« Shteti bektashi » është interes anti-kombëtar
Aktualiteti 2 Shkurt, 2025, Comments OffKryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama papritmas dhe pakujtuar në shtatorin e vitit të kaluar deklaroi se do të krijonte një « shtet sovran bektashi » në Tiranë. Duke parë reagimin unanim të opinionit shqiptar kundër kësaj marrëzie, Edi Rama e la pak në heshtje këtë ide për disa kohë. Por iu rikthye përsëri kësaj çështje javën e kaluar gjatë ceremonisë së 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, duke deklaruar se Kryegjyshatës do t’i jepej « një status i veçantë i ngjashëm me atë të Vatikanit » në Romë.
Por para se t’iu futej aventurave të tilla, Edi Rama duhet ta lexonte pak më shumë historinë e botës dhe do të mësonte se pikërisht për shkak të këtij statusi të veçantë, si kryeqendra e katolicizmit, Roma është djegur dhe bastisur disa herë gjatë historisë së saj.
Nga ana tjetër Edi Rama, « mallëngjehet » për rrezikun e humbjes së kulturës bektashiane dhe kontibutit që Naim Frashëri ka dhënë për të. Edhe këtu z. Rama duhet të lexojë më mirë historinë. Është e vërtetë se Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar, ka shkruar për bektashizmin, besim fetar të cilit i përkiste. Por poema e tij « Qerbelaja », më shumë se sa një kontribut për kulturën bektashiane, ishte një tentativë që t’iu sillte besimtarëve shqiptarë shkrimet fetare në gjuhën shqipe. Nuk duhet harruar se në atë kohë, në fundin e shekullit të XIX, Turqia i quante shqiptarët turq dhe nuk e lejonte shkrimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Feja islame predikohej në arabisht dhe vetë shqiptarët nuk ishin të qartë për identetin e tyre kombëtar. U desh puna kolosale e veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare (me të cilën nuk ka asgjë të përbashkët Rilindja e sotme socialiste), e kolosëve si Naim Frashëri, që Shqiptarët të ndërgjegjësoheshin për identitetin kombëtar dhe për historinë e tyre. Falë këtij ndërgjegjësimi, shqiptarët bektashinj u bënë një nga shtyllat e lëvizjes kombëtare shqiptare e cila solli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.
Nuk duhet të harrojmë se vepra më e njohur e Naim Frashërit, dhe që zuri vend te Shqiptarët, nuk ishte « Qerbelaja », por « Historia e Skënderbeut » dhe poemat e tij madhështore si « Bagëti e Bujqësia », « Gjuha jonë » etj. të cilat frymëzuan dhe vazhdojnë të frymëzojnë Shqiptarët dhe i mbushin me krenari për identitetin dhe historinë e tyre kombëtare.
« Shteti bektashi » në Shqipëri nuk ka asnjë bazë historike. Në radhë të parë numri i bektashinjve në Shqipëri është mjaft i vogël në krahasim më numrin e tyre në vende të tjera si Turqia. Bektashizmi në fakt ka hyrë në Shqipëri nga emigrantët shqiptarë në Turqi në kohën e Perandorisë Otomane. Fakti që Kryegjyshata ndodhet sot në Tiranë është një aksident historik, i shkaktuar nga reformat e presidentit të Turqisë Mustafa Qemalit për modernizimin e Turqisë, si pasojë e të cilave u mbyllën teqetë në atë vend në vitin 1923. Si pasojë Kryegjyshata Bektashiane gjeti mundësinë dhe u vendos në Shqipëri. Nga ana tjetër, po të shikojmë historinë, ngjarjet e përshkruara në poemën epike « Qerbelaja » janë zhvilluar diku në Irak në vitin 680 dhe nuk kanë të bëjnë fare me Shqipërinë. Nuk do të kishte asnjë kuptim që qendra botërore e bektashizmit të ishte në Shqipëri, megjithëse aty mund të ketë besimtarë të kësaj rryme.
Krijimi i një « shteti bektashi » në Shqipëri, përveç bazës historike, paraqet sot edhe disa probleme konkrete që po i rendisim më poshtë:
1/ Rrezikon sovranitetin e shtetit shqiptar dhe krijon një precedent të rrezikshëm.
2/ Rrezikon prishjen e harmonisë ndërfetare e cila mund të ketë pasoja të rrezikshme për kombin shqiptar.
4/ Rrezikon largimin e Shqipërisë nga rruga drejt Bashkimit Europian dhe mund tê sjellë izolimin e saj në rajon
5/ Mund të shkaktojë në të ardhmen probleme me shtete të tjera që kanë komunitete bektashi.
6/ Dëmton çështjen kombëtare sepse e nxjerr Shqipërinë nga rruga e zgjidhjes së çështjes kombëtare.
Është e çuditshme që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk arrin t’i shohë këto rreziqe. Apo më mirë nuk dëshiron t’i shikojë.
Që nga vitet 1990 Shqiptarët janë futur në rrugën e zgjidhjes së çështjes së tyre kombëtare. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është një nga arritjet më të mëdha në këtë drejtim. Për fat të mirë situata ndërkombëtare ka qenë e favorshme për Shqiptarët, ndërgjegja kombëtare e të cilëve është sot në një pikë të lartë. Rezultatet janë të dukshme edhe në zhvilimin ekonomik dhe kulturor. Kemi sot në rajon një hapësirë ku Shqiptarët janë duke zënë vendin që iu takon në të gjitha fushat.
Projekte si ky i « shtetit bektashi », por edhe të tjera si «Ballkani i hapur » , janë tentativa të Edi Ramës dhe shokëve të tij për ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga e zgjidhjes së çështjes kombëtare dhe për ta futur në aventura që nuk iu dihet fundi por që kanë një gjë të përbashkët: dëmtojnë shqiptarët dhe i mbajnë ata nën varësinë e vendeve fqinje.
Për fat të mirë Shqiptarët kanë në dorë një mundësi të artë në zgjedhjet e 11 majit për ta larguar me votën e tyre Edi Ramën nga pushteti dhe për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e demokracisë dhe të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Dhe në veçanti emigrantët shqiptarë, të cilët, ndonëse janë më larg, e shohin ndoshta më qartë atë që përpiqet të bëj Edi Rama me shokë.
Xhemil Meço