Bujqësia duhet të jetë prioritet kombëtar

Aktualiteti Comments Off

Duke filluar me vitet ’90 Shqipëria është përballur me dy lloj zhvendosje të popullsisë. Një emigracion drejt vendeve të tjera duke bërë që gati gjysma e Shqiptarëve të lindur në Shqipërinë londineze jetojnë sot në një vend tjetër. Por edhe një zhvendosje e brendshme e popullsisë, nga fshati në qytet dhe nga rrethet drejt Tiranës. Ky fenomen shkakton përqendrimin e popullsisë në qytete, sidomos në kryeqytet dhe e thellon edhe më shumë shpopullimin e fshatrave nga emigracioni i jashtëm.Duhet kuptuar që baza e një vendi është fshati. Sepse aty zhvillohet bujqësia, e cila nga ana e saj është sektori bazë i ekonomisë së një vendi. Një vend që nuk zhvillon bujqësinë, varet nga importi për produktet ushqimore bazë. Pra mbijetesa e tij varet nga marrëdhëniet tregtare me vende të tjera, marrëdhënie të cilat varen nga ana e tyre nga shumë parametra të cilët mund të jenë të paparishikueshëm. Kjo tregon rëndësinë që ka bujqësia për një vend dhe për një komb.Qeverisja aktuale e ka lënë pas dore bujqësinë dhe ka priviliegjuar sektorë të tjerë të ekonomisë dhe në veçanti turizmin. Sigurisht turizmi është një sektor që mund të sjellë të ardhura për vendin, por mbetet një sektor të ardhurat e të cilit janë të ndjeshme ndaj shumë parametrave shumica e të cilëve nuk kanë të bëjnë me vendin pritës.Shqipëria ka një interes shumë të madh që ta zhvillojë bujqësinë, duke iu krijuar kushtet e nevojshme fermerëve që të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Duke filluar me infrastrukturën dhe subvencionet, por duke shkuar edhe më larg, me ndihmën për gjetjen e tregjeve dhe sidomos mbrojtjen e prodhimeve shqiptare me anë të një politike të përshtatshme të tarifave doganore për importet dhe negocimin e tarifave për eksportet. Këto negociata duhet të bëhen para hyrjes së Shqipërisë në BE, e cila ka një eksperiencë të gjatë me këtë problematikë. Marrëveshje si ajo e “Ballkanit të hapur” dëmtojnë prodhuesit shqiptarë dhe duhen anulluar.Nga ana tjetër arritjet e teknologjisë duhen përdorur në sektorin e bujqësisë sepse lehtësojnë punën, rrisin rendimentin, ulin kostot me afat të gjatë dhe e bëjnë prodhuesin shqiptar më konkurrent në tregjet e BE ku synon të hyjë Shqipëria.Zhvillimi i bujqësisë dhe i zonave rurale apo fshatrave do të ndalojë shpopullimin e Shqipërisë dhe shkombëtarizmin e saj i cili është konstatuar vitet e fundit dhe që rrezikon të jetë edhe më i madh në vitet që vijnë. Është edhe një garanci për ruajtjen e kombit shqiptar i cili, si të gjithë kombet e tjerë, rrezikohet në botën e sotme globaliste e cila ka tendencë t’a përqëndrojë popullsinë në qytete dhe metropole si dhe të nxisë emigracionin, duke çuar në shpërbërjen e kombeve dhe shoqërive tradicionale.

Xhemil Meço

Author

Back to Top