Rinia shqiptare nuk e pranon diktaturën neo-komuniste

Aktualiteti Comments Off

Prej më shumë se 4 muajsh rinia shqiptare po proteston kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Kërkesat e protestuesve janë të qarta: dorëheqje e Edi Ramës dhe zgjedhje të reja dhe të lira brenda 6 muajsh të organizuara nga një qeveri teknike. Këto kërkesa kanë ardhur pasi në Shqipëri nuk ka më zgjedhje të lira sepse partia socialiste dhe kryeministri Rama i kanë kapur thuajse të gjitha pushtetet, shteti identifikohet me partinë socialiste, dhe në periudha zgjedhore partia-shtet përdor burimet shtetërore, korrupsionin, organizatën e jashtëligjshme të patronazhistëve dhe krimin e organizuar për të fituar zgjedhjet, me anë të blerjes së votës, manipulimit të votimit dhe frikësimit të votuesve. Sistemi demokratik në Shqipëri ka rënë, vota nuk është e lirë dhe rotacioni demokratik i pushtetit është bërë i pamundur. Në vitin 2025 Edi Rama i fitoi zgjedhjet për të katërtën herë radhazi dhe premton t’i fitojë ato edhe në vitin 2029, gjë të cilën mund ta bëjë pa asnjë dyshim në këto kushte.
Arsyeja kryesore e protestës së rinisë shqiptare është mungesa e së ardhmes në vendin e saj. Politikat e qeverisë Rama që prej ardhjes së tij në pushtet kanë detyruar gati 1 milionë shqiptarë të ikin nga Shqipëria sepse ua kanë bërë të pamundur ta ndërtojnë jetën në vendin e tyre. Cdo familje shqiptare sot ka njerëz në emigracion. Të rinjtë shqiptarë pas mbarimit të studimeve ka shumë të ngjarë që të largohen nga Shqipëria drejt një vendi tjetër sepse në vendin e tyre nuk gjejnë asnjë mundësi për shkak të papunësisë, çmimeve të larta dhe të papërballueshme të jetesës të cilat janë pasojë direkte e politikës së ndjekur nga qeveria Rama, e cila është e zhytur në korrupsion, me ministra që vjedhin fondet publike dhe me një kryeministër që shet pasuritë kombëtare çdo ditë me vendime qeverie, për interesa personale. Dhe i paraqet këto si arritje të mëdha për Shqipërinë. Por për çfarë i duhen Shqipërisë resortet luksoze kur rinia e saj nuk mund të jetojë aty por merr rrugët e emigracionit? Për çfarë i duhen Shqipërisë resortet luksoze kur fshatrat dhe qytetet e saj zbrazen dhe bashkë me to humbet edhe kujtesa historike ? Për çfarë i duhet Shqipërisë një politikë që shpie në shpopullimin dhe shkombëtarizmin e saj?
Rinia e shqiptare e ka kuptuar qartë se Edi Rama dhe qeveria socialiste po e lënë atë pa të ardhme në vendin e saj. Dhe rinia e sotme shqiptare dëshiron ta ndërtojë aty të ardhmen e saj. Dhe nuk dëshiron që ta provojë fatin “në vende të tjera” siç e nxit Rama. Për këtë arsye rinia shqiptare prej më shumë se 4 muajsh proteston në mënyrë paqësore në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Por kryeministri Rama e ka injoruar këtë protestë dhe nuk i ka përfillur kërkesat e saj. Që në fillim ka bërë sikur nuk shikon, sikur nuk kupton, sikur nuk dëgjon. Madje lëshon lloj-lloj akuzash ndaj protestuesve dhe tallet me ta, në vend që t’u japë përgjigje. Si pasojë, pas 4 muajsh protestash paqësore, javën e kaluar protestat u bënë të dhunshme. Dhuna është një fatkeqësi, si kur drejtohet kundër policisë së shtetit që fundi i fundit bën detyrën e saj, por akoma më shumë kur drejtohet kundër nxënësve, gjimnazistëve apo studentëve, fëmijëve të këtij vendi të cilët luftojnë për të ardhmen e tyre. Është një situatë që nuk duhet të ishte krijuar kurrë, por për fat të keq sot ndodhemi këtu dhe përgjegjësi i vetëm për këtë quhet Edi Rama, i cili ka vetëm një arsye dhe një motiv: mbajtjen e pushtetit personal. Këtë pushtet personal ai mund ta mbajë vetëm me një diktaturë, të cilën është duke e instaluar çdo ditë e më shumë.
Sot kryeministri Rama, në vend që të reflektojë dhe t’i japë një zgjidhje politike situatës katastrofike të vendit, këmbëngul se nuk do të japë dorëheqjen dhe përpiqet ta paraqesë veten si shpëtimtar të Shqipërisë. Por është ai vetë që e krijoi këtë situatë! Edi Rama bën sikur shqetësohet se kjo protestë do të prengojë hyrjen e Shqipërisë në BE. Por është ai vetë që duke shkatërruar sistemin demokratik në Shqipëri e pengon hyrjen në BE. Edi Rama bën sikur shqetësohet se po ndalet ecja përpara e Shqipërisë. Por në cilin drejtim ? Drejt shpopullimit dhe shkombëtarizimit të Shqipërisë? Apo drejt një neo-diktature komuniste të bazuar tek korrupsioni dhe narko-trafiku?
Edi Rama nuk ka për ta dhënë dorëheqjen sepse nuk ka as ndërgjegje qytetare dhe as ndërgjegje kombëtare. Edi Rama është një kandidat për diktator i cili nëse arrin të qëndrojë në pushtet do të vendosë një diktaturë neo-komuniste në Shqipëri e cila do të ketë pasoja tragjike për Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar. Prandaj e vetmja rrugë për Shqiptarët është që ta largojnë Edi Ramën nga pushteti. Dhe sot Rinia Shqiptare, e cila është ngritur e gjitha në këmbë, ka për t’ia arritur pa as më të voglin dyshim këtij misioni kombëtar historik dhe ka për ta hedhur në koshin e plehrave të historisë diktatorucin antishqiptar Edi Rama. Sepse kur punët i merr në dorë rinia, me energjitë e saj të pashtershme, ajo i çon deri në fund. Dhe nuk ka tiran apo diktator në botë që t’i bëjë ballë forcës dhe energjisë së rinisë!

Rroftë Rinia Shqiptare!

Shqipëria e Shqiptarëve!

Xhemil Meço

Author

Back to Top