8 maji Dita e Fitores në Europë
Lufta 1939-1944 10 Maj, 2026, by admin Comments OffPara dy ditësh, në 8 maj vendet perëndimore përkujtuan 81-vjetorin e fitores të vendeve aleate mbi nazi-fashizmin. Kjo datë, e cila shënon edhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, përkon me nënshkrimin e kapitullimit të Gjermanisë naziste në 8 maj 1945. Gjatë kësaj lufte Shqipëria u radhit në radhën e vendeve fitimtare, si rezultat i një rezistence të fuqishme dhe kontributit të padiskutueshëm të shqiptarëve në këtë luftë.
Po përse është e ende e rëndësishme kjo datë edhe 81 vjet më pas për Shqiptarët? Përse duhet ende të flasim dhe të shkruajmë për këtë datë të largët?
Për dy arësye.
Së pari ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ndikuan shumë në zhvillimet që pasuan, si gjatë diktaturës komuniste për 55 vjet me radhë por edhe më pas gjatë periudhës së tranzicionit për më shumë se 35 vjet. Ky ndikim është i ndjeshëm edhe sot në shoqërinë shqiptare dhe e ka fragmentarizuar atë.
Së dyti sepse kemi detyrimin moral që të përkujtojmë 2500 (dy mijë e pesë qind) luftëtarët e Ballit Kombëtar që ranë duke luftuar kundër pushtuesve nazi-fashistë. Ndër ta duhen përmendur Hysni Lepenica me 38 komandantë çetash të vrarë nga italianët në 14 shator 1943 në Grihot (Gjirokastër), Skënder Muço i ekzekutuar nga gjermanët së bashku me Yzeir Ismailin dhe Zako Mezinin në 12 gusht 1944, Mustafa Dervishi i vrarë në Shkodër nga italianët në 26 korrik 1943, Seit Seknej i kapur nga gjermanët dhe i varë po në Shkodër nga xhandarmëria në qershor 1944, Shaban Reçi i vrarë nga italianët në betejën e Reçit në 30 gusht 1943, dhe qindra e qindra nacionalistë të tjerë që ranë në luftën për çlirimin kombëtar. Sigurisht lufta e Ballit Kombëtar ishte thjesht kombëtare, për çlirimin e Shqipërisë Etnike, dhe nuk ishte një luftë ideologjike, siç ishte ajo e fashizmit, nazizmit apo komunizmit. Por duke luftuar për çlirimin e Shqipërisë, Balli Kombëtar pati përballë ushtritë fashiste dhe naziste, luftoi kundër tyre dhe flijoi në fushën e betejës 2500 luftëtarë. Duke kontribuar kështu në një luftë më të madhe, atë kundër regjimeve totalitare fashiste dhe naziste.
Propaganda zyrtare komuniste ka mohuar çdo kontribut të Ballit Kombëtar në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, duke e cilësuar atë si bashkëpunëtor të pushtuesit të huaj. Në historinë e tyre komunistët përdorin rregullisht togfjalëshin “nazistët/fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre ballistë”, apo “forcat gjermano-balliste”, sikur ky togfjalësh të ishte një provë apo fakt historik. Por si shpjegohet atëherë që Balli Kombëtar ka 2500 të rënë në luftën kundër fashistëve dhe nazistëve? Vetëm ky fakt mjafton për t’i hedhur poshtë akuzat komuniste. Do të shikojmë më poshtë se ku e kanë origjinën këto akuza. Por, për të kuptuar më mirë atë që ndodhi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, le të shikojmë më parë se si u zhvillua rezistenca kundër fashizmit dhe nazizmit.
Duhet thënë që në fillim se rezistenca shqiptare ndaj fashizmit dhe nazizmit ka qenë e dyfishtë: nga njëra anë rezistenca nacionaliste dhe nga ana tjetër rezistenca komuniste.
Rezistenca shqiptare fillon me pushtimin nga Italia fashiste në 7 prill 1939 dhe ka kaluar në disa faza.
1/ Faza e parë ishte rezistenca në ditët e pushtimit. Njësi të ushtrisë shqiptare, megjithëse të vogla përballë numrit të madh të ushtrisë italiane dhe të armatosura keq, bënë rezistencën e parë në Durrës. Ndërkohë qytetet e Shqipërisë zienin, rinia kërkonte armë dhe përgatitej për luftë. Por kjo nuk ndodhi për mungesë përgatitje të mjaftueshme dhe organizimi qendror. Italia në saj të fuqisë së madhe ushtarake arriti ta pushtojë Shqipërinë.
2/ Faza e dytë ishte fillimi i reagimit ndaj pushtimit italian i cili shkaktoi një tronditje të madhe sidomos tek nacionalistët dhe rinia shqiptare. Në 25 qershor 1939 Mid’hat Frashëri me një grup patriotësh krijuan Partinë nacionaliste, qëllimi i së cilës ishte “organizimi i qëndresës pasive dhe aktive kundër armikut”[1]. Në 28 Nëntor 1939 në Korçë u zhvillua një demostratë madhështore kundër pushtimit fashist e organizuar nga një profesor i Liceut të Korçës, Abas Ermenji, të cilin italianët e arrestojnë dhe e internojnë në ishullin e Ventotenes së bashku me shumë nacionalistë shqiptarë. Kurse komunistët ende nuk ishin futur në rezistencë, këtë e tregon fakti se Italianët nuk i trazuan ata pas demostratës së Korçës. Komunistët u futën në luftë kundër italianëve vetëm “në qershor 1941 kur u sulmua Rusia sovjetike pas prishjes së paktit Ribbentrop-Molotov”.[2]
Faza e dytë e rezistencës ka shërbyer për të përgatitur rezistencën aktive, ku nga të dy grupimet ka patur ndërgjegjësim dhe organizim të rinisë, aksione të kufizuara, sabotime etj.
3/ Faza e tretë fillon në fund të vitit 1942 me fillimin e luftës së armatosur në shkallë të gjerë. Një nga betejat më të mëdha ka qenë Lufta e Gjormit nën drejtimin e komandantit të Ballit Kombëtar Hysni Lepenica. Duhet shënuar se në datën 10 dhjetor 1942 Aleatët kishin njohur rezistencën anti-fashiste shqiptare. Balli Kombëtar ka dokumentuar luftën që ai ka zhvilluar kundër italianëve dhe më pas, duke filluar nga gushti 1943, kundër gjermanëve. Në dokumentin “Rreth aktivitetit të Ballit Kombëtar kundër okupatorit”, botim i Ballit Kombëtar në emigracion, në shkurt 1945, gjejmë listën e betejave të forcave të BK që nga dhjetori 1942 kundër italianëve (Beteja e Gjormit ” nën komandën e Hysni Lepenicës) deri në tetor 1944 kundër gjermanëve (sulmet mbi kolonat gjermane në rrugën Tiranë-Shkodër nën komandën e Abas Ermenjit). Janë mbi 30 beteja të dokumentuara, me numrin e pjesëmarrësve, humbjet në njerëz, në materiale etj.[1] [5] Shumë nga këto beteja janë konfirmuar në kujtimet e tyre edhe nga oficerët britanikë me misionë në Shqipëri si David Smiley, Julian Amery etj.
Edhe komunistët nga ana e tyre kishin filluar rezistencën e armatosur. Në disa raste lufta kundër italianëve bëhej së bashku, nacionalistë dhe komunistë, por në më të shumtën e rasteve e veçuar. Kishte pasur gjithashtu disa përplasje të vogla midis nacionalistëve dhe komunistëve, por pa kaluar në një luftë të hapur midis tyre. Në këto kushte u arrit në Marrëveshjen e Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe partisë komuniste në 1 dhe 2 gusht 1943, ku u vendos që të dy organizatat të luftonin bashkarisht për çlirimin e Shqipërisë dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike. Por Marrëveshja e Mukjes u prish nga komunistët nën presionin dhe kërcënimin e emisarëve jugosllavë pranë tyre. Në 9 shtator 1943 Enver Hoxha urdhëron komitetet qarkore të partisë komuniste të fillojnë luftën ndaj Ballit Kombëtar të shoqëruar me një fushatë propagandistike kundër tij :
“Me anën e nji demaskimi të squet e të një pune të palodhëshme me Ballin në popull, me ja shkëputë popullin dhe me e lidhë me neve, me shkaktue divergjenca në rradhët e Ballit, me krijue situata të përshtatëshme për të shkaktue dhe shpejtue diferencimin në rradhët e Ballit dhe me i ra kresë me squetësi dhe në mënyrë gjithmonë ma vendimtare krenëve reaksionarë të tij ; me e paraqitë mirë në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar vllavrasjeje, me e ba qi populli t’a shofi se politika e Ballit do të na çojë në përpjekje me armë, me e ba qi populli i gjithë të revoltohet për këtë gja dhe kështu përgjegjësit historike të mos bashkimit të popullit Shqiptar dhe të përpjekjes, me armë të bienë, siç ësht e vërteta, dhe kjo gjë të jetë e qartë për të gjithë në Shqipëri, përmbi Ballin Kombëtar; të pregatisim, të tërë ata të Nacional-Çlirimtares, të pregatisim popullin në një përpjekje me Ballin…” – shkruan qarkorja e 9 shtatorit 1943 e Komitetit Qendror të partisë komuniste me firmën e Enver Hoxhës.[3]
Ishte ky fillimi i Luftës Civile. Komunistët kaluan menjëherë në veprim, me sulme kundër njësive të Ballit atje ku kishin mundësi, me atentate nëpër qytete, duke djegur fshatra balliste, duke kryer masakra kolektive si ajo e Lushnjes, ajo e Shipskës etj. pa njohur asnjë kufi njerëzor. Balli Kombëtar, i cili kishte filluar sulmet kundër gjermanëve që në gusht, u gjend midis dy zjarresh: ndërsa luftonte gjermanët u godit papritur pas krahëve nga komunistët, të cilët ishin mjaft mirë të organizuar, ndonëse deri në shtator 1943 më të paktë në numër. Pasojat ishin mjaft të rënda për Ballin Kombëtar i cili pësoi humbje të shumta dhe qëndroi me shumë vështirësi. Kjo situatë e detyroi që ta ndërpriste përkohësisht, për disa muaj luftën kundër gjermanëve. Në janar 1944 në Kongresin e Beratit Balli Kombëtar u përpoq të riorganizohej, por mundi t’a rifillojë luftën e armatosur vetëm pas disa muajsh duke realizuar me sukses një seri sulmesh ndaj kolonave gjermane. Por si përfundim Balli Kombëtar u detyrua të shpërndajë forcat e tij ushtarake në datën në fillim të nëntorit 1944, në pamundësi për t’iu qëndruar brigadave komuniste në fushë të hapur.
Lufta Civile në Shqipëri e dëmtoi rëndë rezistencën shqiptare. Përkrah 2500 luftëtarëve të Ballit Kombëtar që ranë kundër pushtuesit të huaj, 3000 të tjerë u vranë në përpjekje me forcat komuniste.
Ky fakt, 2500 të rënët nacionalistë, është mbajtur i fshehur për shqiptarët nga historia zyrtare gjatë diktaturës komuniste por edhe më pas. Kjo me qëllimin për të fshehur përpara shqiptarëve dhe përpara botës rezistencën nacionaliste dhe kontributin e saj në luftën kundër pushtuesve të huaj nazi-fashistë. Ky fakt tregon qartë kontributin e rezistencës nacionaliste që duket të jetë edhe më i madh se ai i rezistencës komuniste duke patur parasysh se numri zyrtar i personave që regjimi komunist konsideronte si “dëshmorë” ishte rreth 4000 (katër mijë) [4] (shifra 28 mijë ishte propagandistike dhe përfshinte të gjithë ata persona që humbën jetën gjatë luftës).
Po përse komunistët janë përpjekur ta mbajnë të fshehtë këtë fakt? Ka për këtë dy arsye: në radhë të parë për të justifikuar prishjen e marrëveshjes së Mukjes, që ishte në vetvete një akt i rëndë tradhëtie kombëtare. Vetëm duke i hequr çdo kontribut në rezistencë Ballit Kombëtar, partia komuniste mund ta akuzonte atë për bashkëpunim me pushtuesin, dhe duke i bërë këtë akuzë ajo përpiqej të justifikonte prishjen e Marrëveshjes së Mukjes. Dhe në radhë të dytë, për fshehur faktin se arsyeja e vërtetë e sulmit ndaj Ballit Kombëtar dhe hapjes së Luftës Civile ishte marrja e pushtetit nga komunistët, pa e ndarë me asnjë forcë tjetër. Kjo tregohet qartë në qarkoren e partisë komuniste e datës 9 shtator 1943 siç e pamë më sipër.
Sot shumë pak është e njohur në Shqipëri rezistenca nacionaliste, sepse historia zyrtare komuniste është përpjekur me fanatizëm ta fshijë këtë pjesë të historisë. Jo vetëm gjatë diktaturës komuniste, ku makineria propagandistike komuniste punonte pa ndërprerje për t’iu treguar shqiptarëve një histori sipas interesit komunist, por edhe gjatë viteve të tranzicionit, kur me hapjen e Shqipërisë shqiptarët filluan të zbulonin një version tjetër të historisë, me prova dhe fakte, nostalgjikët e komunizmit përpiqeshin t’i relativizonin ato dhe të vazhdonin të propagandonin historinë zyrtare komuniste. Edhe më e keqe është situata sot, kur shumë media dhe televizone nuk reshtin së transmetuari materiale propagandistike të diktaturës komuniste si filma, dokumentarë etj. duke shpërndarë gjerësisht propagandën komuniste, gjë e cila ka një ndikim negativ sidomos tek të rinjtë që nuk e kanë njohur periudhën e komunizmit, sepse i ushqen ata me të pavërteta dhe gënjeshtra. Kjo është një nga arsyet që Shqipëria e ka kaq të vështirë që të ecë përpara, dhe rrezikon të rikthehet edhe njëherë në një diktaturë neo-komuniste.
Është sot e nevojshme për shqiptarët që të mësojnë të vërtetën për historinë e vërtetë të rezistencës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duhet qartësuar kjo histori larg propagandave apo qëllimeve politike të cilat sot janë të tejkaluara dhe të pakuptimta. Për çfarë arsye vazhdojnë ende nostalgjikët e komunizmit shqiptar të akuzojnë Ballin Kombëtar për gjëra të paqëna? Me çfarë qëllimi? Për të mos pranuar gabimet e partisë komuniste? Apo për të rikthyer përsëri komunizmin? Nuk ka sot asnjë kuptim dhe nuk mund të shkaktojë gjë tjetër veçse ndarje në shoqërinë shqiptare dhe të pengojë ecjen përpara drejt bashkimit kombëtar. Shqiptarët kanë nevojë sot ta njohin historinë e tyre ashtu siç ajo ka qenë, ta pranojnë atë, në mënyrë që t’i kapërcejnë problemet që ajo ka shkaktuar dhe të kenë mundësinë të ecin përpara dhe të kalojnë në diçka të re.
Sido që të jetë dhe çfarëdo që të ndodhë me historinë zyrtare shqiptare, 2500 të rënët e Ballit Kombëtar në luftë kundër pushtuesit dhe 3000 të rënët në luftë kundër komunizmit e sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e Shqipërisë dhe për Shqipërinë Etnike dhe këtë nuk mund t’ua mohojë askush. Kombi shqiptar nuk do t’i harrojë kurrë.
Lavdi të rënëve të Ballit Kombëtar!
Xhemil Meço
[1] “Rreth aktivitetit të Ballit Kombëtar kundër okupatorit”, botim i Ballit Kombëtar në Emigracion, Shkurt 1945
[2] “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, Abas Ermenji, 1968
[3] “Historia ndryshe”, http://historia.ballikombetar.org/?id=trakte-bk.html&what=artikull&where=#dokument, Balli Kombëtar, 2005
[4] “28 mijë dëshmorë, një shifër e falsifikuar.Diktatori: 28 mijë dhe 6 mijë janë afër”, https://opinion.al/28-mije-deshmore-nje-shifer-e-falsifikuar-diktatori-28-mije-dhe-6-mije-jane-afer/, 06/05/2018
[5] http://www.ballikombetar.org/index.php/2019/06/16/balli-kombetar-ne-lufte-kunder-pushtuesit/

Author
Kalendari Historik
Events
- Dita e gjenocidit ndaj popullsisë çame
- 27 Qershor - 27 Qershor
- Beteja e Luarit
- 20 Maj
- Qarku Mallakastër
- Beteja e Vasjarit
- 1 Qershor
- Qarku Gjirokastër
Peticion
Artikujt e fundit
Kategori
- 1944-1990
- 1990 – Pas rënies së komunizmit
- Aktualiteti
- Botime
- Diktatura komuniste
- Dokumente
- Historia
- Këngë të Ballit
- Komiteti "Shqipëria e Lirë"
- Komiteti Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë"
- Kosova
- Lidhja Kosovare
- Lufta 1939-1944
- Lufta civile
- Maqedonia Perëndimore
- Marrëveshja e Mukjes
- PBK – Partia "Balli Kombëtar"
- Personalitete
- Pushtimi fashist
- Pushtimi nazist
Të tjera
Kalendari Historik