Ka ardhur koha e Nacionalizmit Shqiptar

Aktualiteti 0 Comment

30 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Nacionalizmi Shqiptar ende nuk është i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë. Skena politike shqiptare ka qenë e dominuar nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste të cilat kanë bërë ç’është e mundur që ta ruajnë këtë situatë për interesat e tyre.
Partia Socialiste e cila u krijua direkt nga Partia e Punës, megjithëse paraqitet e ndryshuar, ka trashëguar metodat e gënjeshtrës, të mashtrimit dhe të dhunës të përdoruar nga partia komuniste gjatë sundimit diktatorial 50-vjeçar. Kjo parti e konsideron Shqipërinë si pronë të sajën dhe i jep vetes të drejtën që të bëjë çfarë të dojë me të.
PS-ja ka fituar 2 mandate radhazi dhe pretendon të fitojë një të tretë, me qëllimin për t’u bërë e paçmontueshme nga pushteti.
Gjatë dy mandateve të PS-së kemi parë kanabizimin e Shqipërisë, lulëzimin e grupeve kriminale që në kohë fushate shndërrohen në mbledhës apo më saktë vjedhës votash.
Ndërkohë demokracia ka bërë hapa prapa. Me pretekstin e luftës kundër krimit e korrupsionit, eleminohen kundërshtarët politikë. Me pretekstin e pastrimit të institucioneve, është lënë vendi pa institucionet e domosdoshme kushtetuese.
Partia Socialiste ka përqendruar në duart e saj pushtetin ekzekutiv dhe parlamentar dhe ka ç’aktivizuar pushtetin legjitim gjyqësor dhe e ka zëvendësuar me mekanizma të tjerë jo-kushtetues.
Zgjedhjet vendore të vitit 2019 u kryen pa pjesëmarrjen e partive më të mëdha të opozitës duke na kujtuar zgjedhjet e periudhës komuniste.
Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2021 rrezikohen përsëri nga vjedhje e manipulime. Partia Socialiste nuk ndal së ndryshuari Kodin Zgjedhor pa asnjë justifikim idesh apo parimesh, vetëm për t’ia lehtësuar manipulimet kësaj partie dhe për të garantuar fitoren e saj.
Përsa i përket qëndrimit në lidhje me Kosovën, politika e Partisë Socialiste ka qenë dhe vazhdon të jetë kaotike dhe e rrezikshme. Në vend që të ndihmojë Kosovën në realizimin e qëllimit të saj për njohjen në OKB, Partia Socialiste bashkëpunon me presidentin e Serbisë, i cili si Ministër Informacioni i Millosheviçit ka qenë një nga ekzekutorët kryesorë të gjenocidit dhe spastrimit etnik ndaj Shqiptarëve.

Kryetari i Partisë Socialiste është një nga përkrahësit më të mëdhenj të marrêveshjes së Minishengenit Ballkanik të ideuar nga Serbia për vendosjen e hegjemonisë së saj në Ballkan. Qëllimi i Serbisë me këtë marrëveshje është i qartë: mos-realizimi i pavarësisë së Kosovës dhe rikthimi i saj nën sundimin serb pas disa kohësh.
Për më tepër Partia Socialiste, ashtu si dikur partia-mëmë e saj me Jugosllavinë e Titos, kërkon të na fusë Serbinë në Shqipëri, në portet shqiptare pa marrë parasysh pasojat që kjo mund të ketë në të ardhmen.

Eshtë e qartë se Partia Socialiste, ashtu sikurse tradicionalisht, sot vepron kundër interesave kombëtare dhe asgjë e mirë nuk mund të pritet nga kjo parti.

Nga ana tjetër Partia Demokratike, ka mbajtur një qëndrim më të arsyeshëm në lidhje me çështjen e Kosovës dhe nuk e ka rrezikuar pavarësinë e saj. Por mund të kishte bërë më shumë për ta ndihmuar Kosovën. Po ashtu edhe çështjen çame e cila është lënë sistematikisht e harruar nga partitë e mëdha shqiptare.

Cështja kombëtare nuk është prioritet i partive të mëdha të pushtetit në Shqipëri, të cilat në përgjithësi mbrojnë vetëm interesa shtetërore. Prandaj është e nevojshme që nacionalizmi shqiptar të ketë përfaqësimin e vet dinjitoz në Kuvendin e Shqipërisë, për tê mbrojtur interesat kombëtare të të gjithë shqiptarëve në rajon.

Eshtë momenti sot më shumë se kurrë, sepse jemi në një moment kyç i cili do të përcaktojë vendin e shqiptarëve në rajon për dekadat e ardhshme.

Dhe sigurisht ky vend nuk do të jetë nën hegjemoninë e Serbisë gjenocidale me të cilën nuk mund të ketë marrêdhënie normale përsa kohë ajo nuk heq dorë nga planet për ripushtimin e Kosovës.

Nuk do të jetë as nën hegjemoninë e një Greqie e cila synon që të marrë hapësira nga zona detare e Shqipërisë me qëllimin e vetëm për të dalë përballë Himarës në shërbim të projekteve të saj ekspansioniste.

Ky vend nuk do të jetë as në një diktaturë neo-komuniste, sado bukur të jetë lyer nga bijtë e baballarëve komunistë. Sepse ky vend meriton shumë më mirë dhe është i aftë për shumë më mirë.

Ka ardhur koha që një brez i ri të marrë në dorë fatet e Shqipërisë ashtu siç ajo e meriton dhe të largojë reliket e diktaturës që e kanë marrë peng, po i marrin frymën dhe e pengojnë të ecë përpara.

Ka ardhur sot koha e nacionalizmit shqiptar, si zgjidhja e vetme për ta nxjerrë Shqipërinë nga gjendja e vêshtirë ku ndodhet dhe për të përcaktuar rrugën e saj për të ardhmen.

X.M

Author

Back to Top