Nëse ndryshohet Kushtetuta e Kosovës për Asociacionin e Serbisë, përse të mos ndryshohet edhe për bashkimin me Shqipërinë?

Aktualiteti, Kosova Comments Off

Sipas mediave kosovare negociatori i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për të legalizuar Asociacionin serb me kompetenca ekzekutive. Nëse është e vërtetë, kjo kërkesë është e papranueshme.
Kushtetuta e Kosovës, e bazuar në pakon e Ahtisaarit, u jep të drejta të shumta, thuajse privilegje, minoriteteve në Kosovë, sidmos atij serb. Prandaj Asociacioni i komunave serbe, nuk është i nevojshëm në këtë drejtim. Por është një kërkesë e Serbisë e cila synon ta përdorë për të minuar pavarësinë e Kosovës, ashtu sikurse ka vepruar deri tani.
Z. Lajçak sigurisht mbron interesat e BE dhe shpreson se duke i imponuar Kosovës këtë asociacion, qoftë edhe nëpërmjet një ndryshimi kushtetues, do të nxisë Serbinë që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe si përfundim ta njohë atë. Por z. Lajçak gabohet dhe shkon në një drejtim shumë të rrezikshëm.
Presidenti i Serbisë A. Vuçiç e ka treguar dhe e thotë qartë se nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën dhe për këtë mund ta besojmë pa asnjë dyshim. Qëllimi i tij është përfundimi i punës së Sllobodan Millosheviçit për të krijuar Serbinë e Madhe, duke aneksuar të gjitha territoret e ish-Jugosllavisë që mundet, qofshin të banuar me serbë apo jo. Dhe do të përdorë për këtë projet minoritetet serbe. Dhënia a një statusi autonomie këtyre minoriteteve është hapi i parë në këtë drejtim.
Nëse do të realizohej “Serbia e Madhe”, do të ishte kjo një padrejtësi tragjike për popujt e Ballkanit. Sepse Serbia është përgjegjëse për disa luftra në rajon që shkaktuan mbi 130 mijë viktima nga të cilat mbi 13 mijë në Kosovë. Strukturat shtetërore të Serbisë janë përgjegjëse për disa gjenocide dhe spastrime etnike ndaj kombeve jo-serbe. Dhe presidenti aktual i Serbisë ka qenë pikërisht Ministër i Informacionit i qeverisë serbe kur kryhej një spastrim etnik në Kosovë.

Historikisht Serbia ka sajuar mite të rreme për të justifikuar luftrat e saj shoviniste dhe ekspansioniste. Nëse “Serbia e Madhe” do të realizohej, Serbia nuk do të ndalej me kaq por do të inkurajohej për të shkuar akoma më tej duke qenë në çdo kohë një faktor destabilizimi dhe luftënxitje në Ballkan.

E vetmja mënyrë për të vendosur paqen në Ballkan është ekuilibri midis kombeve të rajonit. Dhe sidomos ekuilibri midis Shqiptarëve dhe Serbëve do të jetë i një rëndësie kyçe.

BE-ja është treguar mjaft tolerante ndaj Serbisë. BE duhet ta kishte dënuar qartas ideologjinë serbomadhe që shkaktoi luftrat në rajon. Po ashtu dhe krimet, gjenocidin dhe spastrimin etnik të projektuar dhe ekzekutuar nga Serbia. Për fat të keq kjo nuk u bë dhe Serbia gjenocidale është rikthyer në listën e shteteve të frekuentueshme, pa dënuar as ideologjinë serbomadhe dhe as ekzekutorët e saj.

Dhe arrijmë sot në një situatë ku Serbia drejtohet nga ish-ministrat e Millosheviçit të cilët kanë vetëm një projekt: krijimin e Serbisë së Madhe duke përfituar nga gjenocidi dhe spastrimi etnik i realizuar në vitet 1990.

Nëse, me qëllimin për të lejuar krijimin e Asociacionit serb, ndryshohet neni 1 pika 1. e Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili thotë:

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.”

atëherë përse të mos ndryshohej edhe neni 1 pika 3. i cili thotë:

“Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.”

i cili e pengon Kosovën të bashkohet me Shqipërinë, ose Luginën e Preshevës me Kosovën.

Dhe z. Lajçak duhet ta dijë se Shqiptarët e Kosovës e kanë patur dhe e kanë gjithmonë dëshirën për t’u bashkuar me Shqipërinë. Adem Jashari luftoi për Flamurin Kuq e Zi, po ashtu edhe Ushtria Clirimtare e Kosovës.

Kryetari i parë i Kosovës Ibrahim Rugova pati deklaruar: “Kosova ka bërë kompromisin e mos-bashkimit me Shqipërinë dhe nuk ka kompromise të tjera për të bërë”.

Shqiptarët e Kosovës, me dëshirën për të fituar lirinë, kanë bërë tashmë shumë kompromise: mos-bashkimi në një shtet mbarëshqiptar, krijimi i një shteti të përbashkët me serbët e Kosovës, dhënia e të drejtave maksimale minoritetit serb, adoptimi i një flamuri të ndryshëm nga ai kombëtar etj.

Z. Lajçak duhet ta dijë se nëse neni 1.1 ndryshon, Kuvendi i Kosovës e ka vullnetin dhe mundësinë të ndryshojë edhe nenin 1.3 që do t’i hapte rrugën Kosovës që në një moment të caktuar të bashkohej me Shqipërinë. Po ashtu edhe Luginës së Preshevës të bashkohej me Kosovën.

Z. Lajçak duhet ta kuptojë se ndryshimi i nenit 1.1 nuk do të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por do të hapë rrugën e krijimit të Serbisë së Madhe dhe do të destabilizonte krejt rajonin.

Natyrisht Kosova duhet të jetë konstruktive dhe e hapur ndaj bisedimeve me Serbinë, por nuk duhet të pranojë marrëveshje që janë kundër interesave të saj.

Duket qartë se Serbia e sotme nuk është e gatshme për njohjen e Kosovës. Por si mund të reagojë Kosova në këtë situatë ?

Status-quoja nuk është zgjidhja më e mirë, por nuk e dëmton shumë Kosovën. Në realitet nuk ka asnjë nxitim për njohjen nga Serbia. Shteti i Kosovës mund të funksionojë normalisht dhe të konsolidohet edhe pa e njohur Serbia. Siguria e tij është e garantuar nga forca ndërkombëtare dhe ka shumë pak mundësi që kjo të ndryshojë pa u gjetur njê zgjidhje përfundimtare. Duke patur parasysh numrin e madh të shteteve që e njohin, Kosova mund të zhvillojë ekonominë dhe kulturën e saj pa shumë pengesa. Mos-pjesëmarrja në disa institucione ndërkombëtare, nuk e dëmton jashtë mase Kosovën.

Kurse Serbia ka më pak interes në status-quonë. Cdo ditë që kalon e largon atë më shumë nga Kosova. Zhvillimi i saj ekonomik është i kompromentuar pa njohjen e Kosovës. Drejtuesit aktualë janë mjaft të implikuar në gjenocidin serb dhe Kosova nuk duhet të shpresojë asgjë prej tyre. Duhet pritur që një brez i ri politikanësh të vijë në Serbi, më larg ideologjisë serbo-madhe dhe më pranë demokracisë, BE-së dhe paqes së rajonit.

Eshtë urgjente që Kosova të mos nxitohet. Më mirë asnjë marrëveshje se një marrëveshje e keqe. Është Serbia që duhet të ndryshojë dhe të marrë përgjegjësitë e saj dhe të pranojë pasojat për aktet e saj.

Por Kosova duhet të ketë unitet politik në lidhje me çështjet e saj jetësore. Me durim dhe duke  mbrojtur me vendosmëri Kushtetutën e saj është plotësisht e mundur që Kosova të arrijë njohjen e saj nga OKB në kohën e duhur.

X.M

Author

Back to Top