A i fiton dot Partia Demokratike zgjedhjet e vetme?

Aktualiteti Comments Off

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, para disa ditësh paska komentuar një deklaratë të kryetarit nga Partia Socialiste të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit paska thënë, me sa duket duke iu referuar problemeve të PD për përzgjedhjen e kandidatëve, se “PD në zgjedhjet e 25 prillit do të shkojë e përçarë në 5 parti”.

Dhe Z. Paloka i përgjigjet se “janë parti të krijuara nga Rama”.

Kjo deklaratë e nënkryetarit të PD-së është në radhë të parë një parapritë për antarë të PD që mund të tentoheshin të krijonin ndonjë parti të re. Por është njëkohësisht edhe një parapritë edhe ndaj partive të tjera të djathta më të vogla që këto të mos dalin me lista të pavarura.

Ka qenë kjo një taktikë e vjetër e PD: çdo parti tjetër e djathtë që ka tentuar të dalë e vetme në zgjedhje është akuzuar me pa të drejtë për bashkëpunim me të majtën. Dhe për fat të keq një strategji e tillë ka funksionuar dhe mund të funksionojë edhe për zgjedhjet e ardhshme. Qëllimi PD është i kuptueshëm: të ruajë e vetme kontrollin e së djathtës.

Arësyetimi i PD është se ndarja e votave në disa lista do të sillte humbje të mandateve.

Por a është e vërtetë kjo me kodin e ri zgjedhor? Ky kod nuk i lejon koalicionet para-zgjedhore, të cilat garantonin se votat e një koalicioni nuk do të shkonin kot, për cilëndo parti të votohej, dhe si pasojë numri i mandatave për koalicionin do të ishte maksimal.

Ky është me sa duket është qëllimi i PS me ndryshimet e njënashme të kodit zgjedhor që pamundësojnë koalicionet para-zgjedhore: të ulë numrin e mandateve të opozitës duke shpërndarë votat e opozitës në disa lista.

PD thotë se dalja e partive të tjera të së djathtës me lista të pavarura në zgjedhje do të dëmtonte opozitën. Teorikisht kjo mund të dëmtonte disi PD-në. Teorikisht sepse në realitet, PD ka treguar se ka qenë gjithmonë e aftë të mbajë votuesit e saj dhe madje edhe të marrë vota nga elektorati i partive më të vogla.

Por ajo që do të fitonte nga dalja e partive të tjera të djathta me lista të pavarura është opozita e djathtë. Sepse këto parti kanë aftësinë të mobilizojnë shumë më tepër votues dhe simpatizantë të tyre, se sa do të humbiste PD nga konkurrenca me to.

Është sot një realitet fatkeq që shumë shqiptarë nuk shkojnë në votime. Në zgjedhjet e vitit 2017 për Kuvendin e Shqipërisë kanë votuar vetëm 47% e zgjedhësve. Kjo do të thotë se 1 milion e 800 mijë zgjedhës nuk kanë votuar.

Në zgjedhjet e 25 prillit faktori kryesor që do të vendos fituesin do të jetë mobilizimi i zgjedhësve. PD po punon në këtë drejtim dhe ndoshta  mund të mobilizojë më shumë se në zgjedhjet e vitit 2017. Por a do të jetë ky mobilizim i mjaftueshëm ? Kjo nuk është e sigurt.

Ka shumë votues të djathtë sot në Shqipëri që nuk do të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Lodhja nga politika, zhgënjimet, ndjesia e të mos qenit të përfaqësuar sigurisht që ndikojnë në këtë mos-interesim. Dhe PD nuk mund t’i motivojë këta votues. Por këtë mund ta bënte fare mirë një parti e cila është më afër sensibilitetit të tyre dhe i përfaqëson realisht ata.

Do të ishte në interesin e opozitës së sotme dhe të PD të tregohej e hapur dhe jo armiqësore ndaj këtyre partive, nëse vërtet dëshiron që në prill të fitojë opozita dhe të kemi një ndryshim më se të nevojshëm të pushtetit në Shqipëri.

Përse duhet ta bënte PD këtë ?

Sepse në radhë të parë PD nuk mund t’i pengojë këto parti që të paraqiten me listat e tyre të pavarura. Në radhë të dytë këto parti mund të mobilizojnë shumë më tepër zgjedhës dhe të shtojnë numrin e deputetëve të opozitës së djathtë. Dhe e treta, pas 25 prillit ka shumë të ngjarë të shtrohet çështja e koalicioneve pas zgjedhore. Deputetët e këtyre partive natyrshëm do të futeshin në një koalicion të djathtë. Dhe në hipotezën e një rezultati të ngushtë në zgjedhjet e 25 prillit, kjo do të përcaktonte edhe fituesin e zgjedhjeve.

As PS dhe as PD nuk duket se kanë analizuar çështjen në aspektin e mobilizimit, por janë mjaftuar me një përllogaritje statike të numrave që kanë nga rezultatet e zgjedhjeve të kaluara. Është sot me rëndësi që PD ta kuptojë dinamikën që krijon një mobilizim i gjerë dhe t’i konsiderojë listat e tjera të djathta jo si një pengesë, por si një mundësi. Dhe t’i japë përgjigje një pyetje të thjeshtë: a është gati t’i rrezikojë zgjedhjet vetëm apo të ndajë fitoren bashkë me parti të tjera të djathta.

X.M

 

Author

Back to Top