Teksti origjinal i Marrëveshjes dhe i Proklamatës së Mukjes

Dokumente, Historia 0 Comment

Procesverbalet e Mbledhjes së Mukjes

Proces-verbal

Sot më datë 1 gusht 1943 u mbajt në katundin Mukje, mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës B.K. dhe të Organizatës Nacional-Çlirimtare.
Kryesia e mbledhjes me vota unanime iu ngarkua Z. Thoma Orollogajt dhe sekretaria Z. M. Gjinishi. Bisedimet i hap Z. Dosti, delegat i B.K. i cili deklaron se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit proces-verbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar ad-referendum prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme të bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritun.
Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e nenit 2 të ndryshohet dhe të qëndrojë në këtë mënyrë:
Pika 1. Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator
Pika 2. Luftë për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike.
Pika 3. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë:
Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike, popullore.
Pika 4. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë:
Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverije provizore.
Pika 5. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë:
Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal direkt.

Delegacionet:

B.K.1. Hasan Dosti
2. M. Frashëri
3. Th. Orollogaj
4. Sk. Muço
5. Hysni Lepenica
6. Jusuf Luzaj
7. Kadri Cakrani
8. Major Raif Fratari
9. Nexhat Peshkëpija
10. Halil Mëniku
11. Ismail Petrela
12. Vasil Andoni
K.P.N.Çlirimtar

1. N.Kolonel Jahja Çaçi
2. Myslim Peza
3. Abaz Kupi
4. Ymer Dishnica
5. M. Gjinishi
6. Omer Nishani
7. Sulo Bogdo
8. Shefqet Beja
9. Medar Shtylla
10. Stefan
11. Haki Stërmilli
12. G. Nushi


Proklamatë

Popull Shqipëtar!

Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.

Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës… Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.
2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.
3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Shqiptarë!

Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.

Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.

Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!

Jashtë armiku zaptues!

Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!

Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!

Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë

Author

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.

Back to Top