Procesverbali i mbledhjes parapërgatitore të Mukjes në Tapizë

Dokumente, Historia 0 Comment

Procesverbal i takimit midis delegacioneve të Këshillit të Përgjithshëm NÇ dhe të Ballit Kombëtar në Tapizë, 26 korrik 1943

Sot më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në shtëpinë e Z. Dr. Ilisan Toptani në katundin Tapizë të Tiranës, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i përbërë prej Z. major Abaz Kupi. Myslim Peza, Dr. Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”, i përbërë prej Z. Mithat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Me vendim të përbashkët u zgjodh Z. Mithat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe Z. Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendos të pranohen si dëgjues Z. Pater Lek Luli, Dr. Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah Ymeri. Delegatët e të dyja organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën:

Neni 1: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë”.
Neni 2: Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi:
1- Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë.
2- Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut.
3- Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë.
4- Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal.
5- Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore.

Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat.

Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre e nënshkruajnë këtë rezolucion “Ad referendum”.

Delegatët

K. i Përgjithshëm Nacionlaçlirimtar (5 firmat)

Balli Kombëtar (3 firmat)

AQSH. F. 14. dos. 21

Author

Leave a comment

Back to Top