Abas Ermenji – një jetë për Shqipërinë

Abas Ermenji – një jetë për Shqipërinë

Historia, Personalitete 0 Comment

 

Abas Ermenji lindi më 12 dhjetor 1913 në Ermenj të Skraparit ku kalon edhe vitet e para të fëmijërisë. Shkëputja e Kosovës dhe Camërisë nga trungu shqiptar ishin të freskëta dhe kishin shkaktuar një tronditje të madhe tek shqiptarët. Mësuesi i fshatit do t’i përcillte këto ngjarje edhe tek Abas Ermenji i ri, të cilit kjo padrejtësi i bën aq shumë përshtypje saqë me një zemërim fëmijënor thotë: “një ditë unë do ta ribashkoj Kosovën dhe Camërinë me Shqipërinë!”. Këtë pikësynim tejet të vështirë nuk arriti dot ta realizonte, por që nga ajo ditë e deri në frymën e fundit jeta e tij u kushtëzua prej atij qëllimi.

Familja e Abas Ermenjit ishte e njohur në krahinë  për drejtësi dhe ushtronte funksionin jo-zyrtar të zgjidhjes së çështjeve dhe konflikteve të ndryshme. I ati, Fejziu, ishte i rreptë por gjithmonë e dinte se cila ishte e drejta. Dhe banorët e krahinës i bënin besim dhe e pranonin gjykimin e tij pa mëdyshje. Nga i ati Abazi i ri trashëgoi ndjenjën dhe pasionin për të drejtën. “E drejta është instinktive”, – do të thoshte vite më vonë, “njeriu instiktivisht e ndien se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo”. Dhe do të shtonte se “njeriu e adhuron të drejtën prandaj ndikimi i saj është tepër i madh”.

Këto dy ide, Shqipëria dhe drejtësia, do ta përcaktonin të gjithë fillin e jetës së tij. Shkollën fillore e përfundon në Berat, kurse studimet e mesme në gjimnazin e Shkodrës. Fëmijëria dhe adoleshenca i japin rastin të udhëtojë nëpër Shqipëri dhe ta njohë mirë atë, duke e ndezur më shumë “pasionin e tij mistik”, siç do ta quante ai më vonë, për këtë vend të bekuar. Ritueli i udhëtimeve në tokën amtare do të përsëritet në periudha të ndryshme, në fëmijëri, më vonë gjatë luftës dhe më së fundi pas rënies së komunizmit.

Në vitin 1933, me një bursë të shtetit shqiptar, shkon për studime në Francë. Regjistrohet në Universitetin e njohur të Sorbonës në degën e Letrave (letërsi) me specializim historinë. Përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera dhe në vitin 1938 kthehet në Shqipëri ku emërohet profesor në liceun e Korçës.

Në lice fiton respektin e nxënësve dhe rinisë korçare. Pushtimi fashist e tronditi rininë e atëherëshme e cila ishte tejet nacionaliste. Profesori, siç do ta thërrisnin tashmë, nuk mund të rrinte duarkryq përpara kësaj padrejtësie dhe dhunimi që i bëhej Shqipërisë. Me ndihmën e kolegëve dhe nxënësve të liceut, organizon manifestimin e parë kundër pushtimit fashist në Korçë më 28 nëntor 1939. Manifestim që do të përvetësohej paturpësisht më vonë prej komunistëve, të cilët as që lëvizën fare në atë kohë. Në ditët e para të dhjetorit 1939 Abas Ermenji arrestohet nga autoritetet fashiste dhe internohet së bashku me patriotë të tjerë shqiptarë në ishullin e shkretë të Ventotenes në Itali. “Kurse komunistët nuk i trazoi njeri”, do të kujtonte ai më vonë “sepse fashizmi nuk e merrte seriozisht komunizmin.” Enver Hoxha, që më vonë do të lëvdohej për “demostratën e Korçës”, pas saj shkoi në Tiranë ku hapi një dyqan cigaresh dhe ushtroi qetësisht aktivitetin e tij. ” Komunistët u futën në luftë në qershor të vitit 1941, atëherë kur u fut në luftë atdheu i tyre i  vërtetë, Rusia sovjetike, me prishjen e paktit Molotof-Ribentorp”, do të kujtonte më vonë Ermenji.

Në vitin 1941 patriotët e dënuar më 1939 lirohen nga Ventotene dhe kthehen në Shqipëri. Abas Ermenji kthehet në vendlindje dhe vihet të riorganizojë rezistencën e filluar më 1939. Në bashkëpunim me Mithat Frashërin, Hysni Lepenicën, Skënder Muçon, Safet Butkën dhe shumë të tjerë organizojnë Ballin Kombëtar, një organizatë politike e cila i vinte vetes si objektiv themelor jo vetëm çlirimin nga pushtuesi i huaj italian të Shqipërisë, por edhe çlirimin e Kosovës dhe të Camërisë nga pushtuesit serbë dhe grekë. Qëllimi i Ballit Kombëtar ishte që të arrinte çlirimin e Shqipërisë Etnike dhe krijimin e një shteti kombëtar shqiptar në të gjithë hapësirën e Shqipërisë Etnike, duke konsideruar se kjo ishte e vetmja zgjidhje për mbijetesën dhe mirëqenien e kombit shqiptar.

Në fillim Balli Kombëtar ishte mjaft i fuqishëm dhe kishte shumicën numerike. Por me kalimin e kohës komunistët, me metodat e tyre të sprovuara të revolucionit rus, terrorin, shpifjen dhe gënjeshtrën, morën gjithnjë e më shumë fuqi.

Abas Ermenji do të komandonte forcat e armatosura të Ballit Kombëtar në krahinat e Beratit dhe Skraparit. Numri i këtyre forcave arrinte në disa mijëra luftëtarë të cilët zhvilluan luftime të rrepta kundër italianëve dhe më vonë gjermanëve. Por kjo nuk iu vinte për shtat komunistëve.

Më 9 qershor 1943 Prof. Abas Ermenji me forcat e tij tentoi të çlironte Beratin nga italianët. Ja si e tregon këtë ngjarje një trakt i Ballit Kombëtar në atë kohë:  Atë natë që profesorë Abaz Ermenji do t’i binte Beratit me 1500 vullnetarë, komunistët i kërkuan një bisedim mbassi deshnë të merrnin pjesë edhe ata në këtë luftë. Bisedimi në fjalë zgjati për shumë e shumë orë gjatë të cilavet nuk u-fol veç se për dokrra, për gjëra që s’kishin të bënim me planin e luftës. Shumë vonë Abaz Ermenji e kupëtoi se bisedimi i kërkuar qe një dinakëri djallëzore e pregatitur nga komunistët, që donin t’a vononin Abazin në mënyrë që ky ta sulmonte qytetin jo në orën që kishte caktuar. I mërzitur profesor Abaz Ermënji e kuptoi djallëzinë dhe u-nda duke rendur me shpejtësi drejt objektivit. Mirë po para se t’i afërohej Beratit,dëgjoi një rënie mitrolozi dhe ca bomba afër qytetit. Pas pak takoi një patrullë të vogël prej 5-6 partizanësh të cilët këthehshin nga Berati. Tradhëtarët kishin vajtur për t’u dhënë alarmin italianëvet. Sa mbrrijtnë forcat e Ballit në llogoret e para të Beratit, u-pritnë me një breshër predhash prej italianëvet që kishin marrë pozicion; me gjithë këtë Abazi sulmoi me gjithë fuqinë trime të Skraparit, Tomoricës dhe gjithë Nahijes. Cetat hynë në lagjet e para të Beratit, sulmuen portën e kalasë dhe vranë të gjitha rojet. Plani i Abazit kishte qënë të sulmonte aty nga ora 3 e mëngjezit me çetat e tij nga ana e Huznovës dhe e kalasë, dhe do të ndihmohej prej Muharrem Kapllanit nga ana e lumit, Goricës dhe Murat Çelepisë. Por mbassi Abazi sulmoi kur qe gëdhirë mirë, Muharrem Kapllani nuk mundi të sulmonte mbassi rrihej më me lehtësi nga kalaja. Natyrisht partizanët s’kishin qëllim të merrnin pjesë në këtë luftë por deshnë vetëm e vetmë të pengonin Abazin. Ah jo vetëm gënjështarë po edhe trathëtarë komunista! ” (“Historia ndryshe” – botim i PBK në internet “Parti komuniste apo parti terroriste” – http://historia.ballikombetar.org/)

Me atë rast komunistët hodhën edhe një trakt ku nuk i kursenin lëvdatat për “komandantin nacionalist”, por qëllimi i tyre ishte të  pengonin Ballin që të fitonte, sepse duhej që pushtetin ta merrnin vetëm ata, kurse Balli Kombëtar, si një pengesë në rrugën e tyre drejt pushtetit duhej diskredituar dhe luftuar. Megjithëse nën presionin e rinisë partia komuniste nënshkroi marrëveshjen e Mukjes me Ballin Kombëtar, nën presionin e shokëve të tyre jugosllavë dhe me ambicien për një pushtet absolut, komunistët shqiptarë, një muaj pas nënshkrimit, në Konferencën e Labinotit (shtator 1943) e prishën marrëveshjen hapën luftën civile kundër Ballit Kombëtar duke i rënë mbas shpine.

Oficeri anglez David Smiley, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ndihmuar rezistencën kundër fuqive fashiste dhe nazisten, në kujtimet e tija, tregon:

“Pasi ikëm nga Llixha ecëm dy ditë në këmbë dhe arritëm në një fshat pranë Beratit ku takuam një patrullë të Ballit Kombëtar, e cila këmbënguli që patrulla partizane që na shoqëronte të kthehej mbrapsht nëse dëshironim të vazhdonim rrugën, sepse kishim hyrë në një zonë të kontrolluar nga Balli.

Nuk kishim rrugë tjetër veçse të pranonim. Na dhanë një eskortë e cila na shpuri të takonim komandantin. Ishte Profesor Abas Ermenji për të cilin kisha dëgjuar se ishte drejtuesi ushtarak i forcave të Ballit Kombëtar.

Ishte brun, serioz, inteligjent dhe njeri i zoti, ndonëse pak i zymtë. Krijuam simpati për të sepse u tregua i gatshëm të na ndihmonte dhe më vonë kreu disa sulme kundër gjermanëve ku tregoi cilësi të larta. Në mëngjesin që e takuam na paraqiti një pamje të plotë të situatës nga e cila nxori përfundimin e drejtë se lufta civile ishte shumë e afërt. Na tregoi edhe një dokument që  çetat e tij iu kishin kapur partizanëve. Ky dokument, që mbante datën 9 shtator 1943, ishte një qarkore e Komitetit Qendror të Lëvizjes Nacional-Clirimtare që iu dërgohej komiteteve krahinorë.

….

Në dalje të qytetit [të Beratit] ndeshëm në një vendroje partizane. Dy kilometra më tutje hasëm një patrullë balliste. Përsëri u detyruam ta kthejmë mbrapsht eskortën partizane, por në saj të letrës së Abas Ermenjit, u lejuam të kalonim. U desh t’ua tregonim edhe dy patrullave të tjera që na ndaluan atë letër e cila na shërbeu si një leje-kalim me shumë i vyer.” (David Smiley: “Albanian Assignment”, botimi anglisht fq. 89-91, Londër 1984, The Hogarth Press, ISBN 0 7011 2869 0)

Në luftën e përgjakshme civile organizimi komunist dhe metodat e sprovuara të terrorit dhe gënjeshtrës treguan se ishin superiore. Hysni Lepenica me 36 commandante çetash të Ballit Kombëtar të zonës së jugut vriten nga italianët në pritë në Grehot të Gjirokastrës, pas një kurthi të komunistëve. Safet Butka i cili komandonte forcat e Ballit në krahinën e Kolonjës vret veten në një moment ligështimi. Një valë atentatesh që komunistët ndërmorën ndaj drejtuesve dhe aktivistëve të Ballit Kombëtar, si dhe krimet makabre që forcat partizane kryen ndaj antarëve dhe përkrahësve të kësaj organizate nëpër fshatra, e dobësoi së tepërmi këtë organizatë në dimrin e vitit 1943-1944. Në kongresin e Ballit Kombëtar që u mbajt në janar 1944 në Berat, ku Balli ishte ende i fuqishëm, u bënë përpjekje për riorganizim, por pa shumë sukses.

Në fund-verën e vitit 1944 komunistët kishin arritur ta  vendosnin pushtetin e tyre gati në të gjithë jugun e Shqipërisë. Balli Kombëtar mundi të mbahej në jug deri në gusht 1944. Por një goditje tjetër e dobësoi akoma më shumë: Skënder Muçua, anëtar i komitetit qendror të tij dhe drejtues i Ballit për qarkun e Vlorës u kap dhe u ekzekutua nga gjermanët së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij, Zako Mezinin dhe Yzeir Ismailin.

Prof. Abas Ermenji me forcat e tij detyrohet të zhvendoset në Shqipërinë e Mesme duke u përpjekur për një riorganzim të forcave nacionaliste të Veriut. Së bashku me Mithat Frashërin merr pjesë në një takim të krerëve të Veriut, por pa rezultatin e duhur.

Në shtator 1944, me rreth 1000 forca, vendos bazën në Prezë, pranë Tiranës dhe ndërmerr disa goditje kundër gjermanëve. David Smiley tregon: “Për dy javë rresht, duke filluar nga data 9 shtator 1944, nuk i lamë gjermanët të merrnin frymë në rrugën kryesore Tiranë-Shkodër. Si fillim një çetë e madhe e Ballit e komanduar nga Abas Ermenji, ku ishin atashuar Merret, Jenkins dhe Corsentino, i sulmuan gjermanët në rrugën kryesore duke shkatërruar 15 makina, duke vrarë 35 gjermanë dhe duke kapur shumë material.

Natën e 12-13 shtatorit një forcë e kombinuar zogistësh dhe ballistësh nën komandën e Kupit dhe Ermenjit, me McLean dhe Amery të atashuar pranë tyre, sulmuan një autokolonë prej nëntë kamionash në rrugën Tiranë-Shkodër. Të gjitha makinat u dogjën dhe gjermanët ose morën arratinë, ose u vranë, përfshirë këtu dy oficerë. U kap shumë material, përfshirë edhe postën midis shtabit të Divizionit 181 dhe Korpusit Alpin 21 në të cilën  pati informacione që patën vlerë të madhe më vonë. Për fat të keq autokolona gjermane ishte shumë e vogël, sepse forca prej 200 zogistësh dhe 100 ballistësh pati shpresuar për më shumë.” (David Smiley: “Albanian Assignment”, botimi anglisht fq. 142-143, Londër 1984, The Hogarth Press, ISBN 0 7011 2869 0)

Në fillim të nëntorit 1944 komunistët vendosën pushtetin e tyre gati në të gjithë Shqipërinë. Prof. Abas Ermenji detyrohet të shpërndajë forcat e tij sepse komunistëve nuk mund t’iu rezistohej më në fushë të hapur. Ja si e përshkruan ai këtë moment:

“Duke mbajtur si bazë fortesën e Prezës, fuqitë e Ballit Kombëtar i vazhduan vepërimet kundër ushtërisë gjermane gjatë muajit të Tetorit, ndërsa komunistët kishin hyrë në Shqipërinë e veriut, kishin zënë Krujën dhe po i përqëndronin brigadat e tyre në fushën ndërmjet Krujës dhe Tiranës për t’iu dhënë grushtin e fundit forcave të Ballit. Nga mbarimi i Tetorit e rrethuan natën fortesën e Prezës dhe, në të zbardhur të mëngjezit, hapën zjarr nga të katër anët. Pas një luftimi të rreptë prej 12 orësh, auktori i këtij studimi [Abas Ermenji] e çau rrethimin dhe i tërhoqi fuqitë e Ballit në drejtim të Ishmit e të Bregut-të-Matit.

Qëndresa në fushë të hapët kundër brigadavet komuniste ishte bërë e pamundur, sepse i tërë vendi ndodhej pothuajse ndën kontrollin e tyre mbasi në Shqipërinë e veriut nuk gjetën asnjë kundërshtim të organizuar. Kështu që, në fillim të Nëndorit, auktori i këtij studimi [Abas Ermenji] u shtrëngua ti shpërndante fuqitë e Ballit në çeta të vogla, mbasi të këthehëshin gjer në Shqipërinë e jugës si një trupë ushtarake e rregullt, ndënë kumandën e Muharrem Kapllanit, Maliq Dusharit, Tefik Sfirit dhe Haxhi Mirakës. Kurse ai vetë do të  qëndronte disa kohë në Shqipërinë e veriut për të provuar nëse do të kishte mundësi organizimi dhe krijimi forcash të reja me kuadra të reja për të vazhduar luftën. Pastaj do të zbriste në jugë, sido që të zhvillohej gjëndja, i vendosur që t’a mbante lart flamurin e lirisë kundër komunizmit. Nuk kishte çast më dramatik. Ata burra që e kishin ndjekur kumandarin e tyre me plot bindje gjatë tre vjetëve, në shi e në dëborë, në çdo rast të gatshëm për t’u hedhur në zjarr, pa asnjë shpërblim vetëm për lirinë e Shqipërisë, për të cilën kishin lënë prindër e motra, gra e fëmijë, ata burra e dëgjuan urdhërin në një heshtje madhështore. Me vijat e fytyrës si tejza çeliku, e shikuan kumandarin në sy, pa rrahur qepallat, duke mbledhur në atë shikim të tëra pyetjet, të tërë forcën e shpirtit. Edhe ai i shikoi në sy me një vështrim që përmblidhte të tërë dramin e çastit, po edhe vullnetin e atyre që nuk thyhen prej fatkeqësivet, që duhet të qëndrojnë deri në fund si burra. Duket se u kuptuan të dy palët. Oficerët, mbasi muarën urdhërat, drejtimet sesi duhej të vepronin, dhe mbasi kumandari i tyre i përqafoi një e nga një, paraqitën bashkë me trupën për-nder-armët duke thirrur: “Rroftë Shqipëria!”; dhe u vunë në lëvizje, ballin lart, me të njëjtin shpirt dhe me të njëjtin çap sikur nisëshin për sulm. Atë ditë mbyllej por jo pa mbresë heroizmi, një fletë e historisë së Ballit Kombëtar. ” (“Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, Abas Ermenji, Romë 1969, Tiranë 1996, botimi në internet: http://www.ermenji.org/historia/historia.html )

Pas largimit të Mithat Frashërit dhe të një pjese të Ballit Kombëtar për në Itali, Prof. Abas Ermenji qëndroi në qarkun e Shkodrës së bashku me vëllezërit Kazazi dhe në janar 1945 ngritën në këmbë një fuqi dhe provuan të çlirojnë Shkodrën nga komunistët. Por kryengritja dështoi dhe mundësitë për një organizim kundër komunizmit në veri u zvogëluan ndjeshëm.

Në shkurt 1945, në mes të një dimri të acartë dhe rrezikut komunist, Prof. Abas Ermenji zbriti në Shqipërinë e jugut, sipas fjalës që iu kishte dhënë shokëve të luftës, dhe qëndroi aty gjer në mbarim të atij viti. Por komunistët të ndihmuar prej dimrit të jashtëzakonisht t’ashpër, s’kishin lënë çetë balliste të gjallë, komandantët e tyre i kishin vrarë ose kapur gjysëm të ngrirë në dëborë.

Prof. Abas Ermenji qëndroi rreth një vit në malet e vendlindjes, i mbrojtur nga populli i krahinës së tij që e donte dhe respektonte aq shumë. Por më në fund, kur shpresat për një përmbysje të shpejtë të komunizmit ishin zbehur dhe i ndodhur nën rrezikun e përhershëm të kapjes dhe ekzekutimit nga gjyqet komuniste, Abas Ermenji u detyrua të merrte rrugën e gjatë të mërgimit.

Por me shpresën dhe vendosmërinë për t’u rikthyer së shpejti.

Author

Leave a comment

Back to Top