Midhat  Frashëri – Gjeniu i Kombit

Midhat Frashëri – Gjeniu i Kombit

Historia, Personalitete 0 Comment

 

Dr. Riza Sadiku

 

Gjeniu i kombit Mid’hat Frashëri, ishte i biri i Abdyl be Frashërit. Lindi më 25 mars 1880 në Janinë, në kohën kur tërë populli shqiptar, në trojet e veta etnike, prej veriut të Kosovës deri në jug të Camërisë, ishte trazuar për të mbrojtur tërësinë e Shqipërisë Etnike dhe për të krijuar shtetin autonom, në të cilin do të përfshiheshin katër vilajetet e banuara kryesisht me shqiptarë: Vilajeti i Manastirit, Vilajeti i Janinës, Vilajeti i Shkodrës dhe Vilajeti i Kosovës.
Abdyl Frashëri, veprimtar i shquar i Lidhjes së Prizrenit, pas shtypjes së saj me gjak, në vitin 1881, fillimisht u dënua me burgim të përjetshëm. Pas disa viteve burg do të amnistohet nga Sulltani. Vdiq me 1892, nga pasojat e burgut. Pas vdekjes së Abdylit, i biri i tij, Mid’hati, mbeti në përkujdesjen dhe edukimin e xhaxhallarëve, Naim dhe Sami be Frashrit. Duke u rritur dhe edukuar pranë tyre, Mid’hati brumoset me guximin e Abdylit, frymëzohet me ndjenjat e Naimit dhe stoliset me dijen e Samiut.
Mid'hat Frashëri Mësimet e para Mid’hat Frashëri i mori në shkollën Sulltanie në Gallata Saraj të Stambollit. I vazhdoi ato te një hoxhë i ditur, pastaj te një profesor i dëgjuar grek, për t’i thelluar e zgjeruar më vonë në një shkollë të fretërve katolikë. Nga mosha 12-13 vjeçare, u dha pas disiplinave shkencore të historisë së kohës së vjetër, gjeografisë, aritmetikës, gramatikës, si dhe mësimit të gjuhëve të huaja. Përveç turqishtes, arriti t’i mësojë me lehtësi edhe disa gjuhë të tjera si: persishten, greqishten e vjetër, frëngjishten, më vonë gjermanishten, italishten dhe anglishten.

Aftësitë krijuese intelektuale të Mid’hat Frashërit u manifestuan shumë herët. Kështu, që në moshën 16-vjeçare krijoi emër gati në të gjitha klubet shqiptare dhe mbajti korrespondencë me personalitete të njohura intelektuale të shoqërive shqiptare të kohës, si me ato të Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Egjiptit, Italisë etj. Në letrën e datës 14 nëntor 1896, dërguar dr. Ibrahim Temos, Mid’hat Frashëri ndër të tjera shkruante: “Në këtë breg ku ndodhemi sot, na është prerë të dalim me pushkë në dorë, sot për sot. Por, në vend të armës, të marrim pendën, e në vend të gjakut të derdhim myreqepin” – ngjyrën. (7)
Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, Mid’hati botoi esenë “BETIMI” – thirrje rinisë shqiptare për bashkim dhe çlirim kombëtar: “Zgjohuni të ri nga gjumi! Jemi buzë varrit. S’duhet ma të rrim në zgjedhën e pushtuesve turq, ata janë rracê mongole, ne rracë pellazge, me një histori dhe qytetërim të vjetër”. Mid’hat Frashëri më tutje kërkon autonomi, si hap i parë i pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë etnikë. (8).  Këso kohe, me pseudonimin Lumo Skëndo, filloi bashkëpunimin me revistën “ALBANIA” të Faik Konicës në Bruksel, kurse nga mosha tetëmbëdhjetë vjeçare filloi bashkëpunimin me revistën e “KALENDARIT KOMBIAR” të Kristo Luarasit në Sofje dhe, në vijimësi, do të bëhet kurrizi i tij. Cdo numër i saj, për kohën ka qenë një enciklopedi e vërtetë e jetës dhe kulturës shqiptare. Më 1901, Mid’hati botoi librin “Naim Frashëri”, të nënshkruar me pseudonimin Mali Kokojka dhe filloi bashkëpunimin me gazetën “La Nazione Albanese” të arbëreshëve të Italisë me një shkrim për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe rëndësinë e Abdyl Frashërit në këtë. Më 1902 Mid’hatin e quajtën pendë maje mprehtë shkrimet: “Deri kur në gjumë, kur grekët, serbët, bullgarët dhe rumunët po fitojnë të drejtat kombëtare”, “Cilat janë rreziqet tona”, “Po humbasim”, “Të hapim sytë”, “Ku vejmë”, “C’duhet të bëjnë shqiptarët” etj.
Në vitin 1905, Mid’hat Frashëri nga Stambolli vjen në Selanik, në detyrën e drejtorit të punëve politike të Vilajetit. Me ardhjen e tij në këtë mes u bë zë i ndërgjegjes shqiptare të këtij qyteti. “Duhet të flasim dhe të shkruajmë shqip, se gjuha është rrojtja a vdekja e kombit” – shkruante Ai (9) .
Pas shpalljes së Hyrjetit (Lirisë) nga Turqit e rinj, më 23 korrik 1908, Mid’hat Frashëri dhe kontribut të çmueshëm, në vijë institucionale legale, për rritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjes kombëtare në masën e gjerë shqiptare, duke bashkëpunuar me shtypin shqip dhe klubet kulturore shqiptare. Pikëpamjet e ti, të avancuara në planin kombëtar, do t’i afirmojë në gazetën “LIRIA”, të cilën filloi ta botonte në Selanik, si organ i Klubit Shqiptar të Selanikut, nën drejtimin e tij, pranë të cilit hapi një shkollë shqipe.
Mid’hati ishte njëri ndër organizuesit e Kongresit për Alfabetin e Gjuhës Shqipe që u mbajt në Manastir, duke filluar prej 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908. Për shkak të autoritetit që gëzonte dhe kontributit që kishte dhënë për kulturën kombëtare, Mid’hat Frashëri do të zgjidhet Kryetar i Kongresit, me nënkryetarë: Luigj Gurakuqin e Gjerasim Qiriazin dhe Gjergj Fishtën – kryetar të Komisionit për alfabetin unik të gjuhës shqipe (10).
Veprimtari i shquar, Mid’hat Frashëri mori iniciativën dhe përgatiti programin e Kongresit për Shkollën Shqipe, të mbajtur në Elbasan më 2 shtator të vitit 1909. Sipas vendimeve të këtij Kongresi, më 1 dhjetor 1909, u hap Normalja e Elbasanit me drejtor Luigj Gurakuqin, ku mësuan edhe shumë nxënës nga Kosova dhe Camëria. Në vitin 1909, Lumo Skëndo nxori revistën “Dituria”, në Selanik, me të cilën synoi një tribunë për të gjitha shtresat e lexuesve, për nxënës, studentë, intelektualë etj. Shkroi me një gjuhë të lehtë dhe të  pastër dhe më 1915 e botoi përmbledhjen “HI DHE SHPUZË”, le krijime artistike në prozë (12).
Në periudhën e ngjarjeve tragjike për popullin shqiptar, në një kohë kur aleatët ballkanikë i koncentruan forcat ushtarake në kufijtë me Shqipërinë, për ta pushtuar dhe copëtuar, Mid’hat Frashëri vendosi ta lë në një anë veprimtarinë kulturore, për t’u ballafaquar me të gjitha mundësitë me armiqtë e Shqipërisë. Nuk arriti me kohë në Kuvendin Shqiptar të Shkupit, të 14 tetorit 1912, të Komitetit “Pështimi”, mbajtur në shtëpinë e Salih Gjukë Dukagjinit, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës. Mid’hati në Shkup do të arrijë më 16 tetor 1912, në ditën kur Serbia i kishte filluar sulmet në kufirin e Shqipërisë në Merdar – Përpallac e Kumanovë. Ai do të takohet në pejë me Bedri Pejanin, Rexhep Mitrovicën dhe Sali Gjukën, të cilët ishin të autorizuar nga Kuvendi i Shkupit, të mblidhnin nënshkrimet e parisë së vendit për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. (13). Në Kuvendin e Vlorës, me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, Mid’hat Frashëri përfaqësoi me legjitimitet disa nga qytetet e Kosovës dhe më 4 dhjetor 1912, mori postin e Ministrit të Punëve Botore në Qeverinë e Ismail Qemalit, kurse më 28 maj 1914, të Ministrit të Post-Telegrafeve dhe të Punëve Botërore në Qeverinë e Turhan Pashës nën regjencën e Princ Vidit (14).
Gjatë Luftës së Parë Botërore Mid’hat Frashëri jetoi dhe veproi në Zvicër, kryesisht në Gjenevë dhe në Lozanë, ku zhvilloi një aktivitet të dendur publicistik, politik dhe diplomatik për sensibilizimin e çështjes shqiptare të pazgjidhur në opinion dhe në qarqet diplomatike evropiane.(15). Në prag të Konferencës së Paqes në Versajë – Paris, në fund të vitit 1918, Mid’hati botoi mesazhin: “Nji erë e re për Shqipërinë”, me të cilin u sugjeronte fuqive vendimmarrëse që çështjes shqiptare t’i kushtonin trajtim real, dhe padrejtësitë që shqiptarëve ua kishin bërë Berlini (1878) dhe Londra (1913), të korrigjoheshin përfundimisht në Konferencën për Paqe në Paris (16).
Në vitin 1919, Mid’hat Frashëri shënon kulmin e botimeve madhore, lidhur me sensibilizimin e problemit shqiptar. Të përmendim vetëm titujt e veprave në gjuhën frënge: “Rilindja shqiptare”, “Për Shqipërinë”, “Shqiptarë e sllavë”, “Shqiptarët e Epirit”, “Shqiptarët ndërmjet tyre dhe jashtë” dhe “Rivendikimet shqiptare”, në të cilën ka fokusuar tri pika më të rëndësishme, që duhej t’i merrte parasysh Konferenca e Paqes në Paris:
1. Rinjohja e Pavarësisë së Shqipërisë, një pavarësi e plotë, që nuk lejon asnjë fuqi të ketë të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit shqiptar.
2. Rregullimi i padrejtësive që janë bërë nga Kongresi i Berlinit (1878) dhe Konferenca e Londrës (1913), domethënë rikthimi i trojeve të banuara nga shqiptarët dhe që pak kohë më parë u janë aneksuar Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
3. Shpërblimin në të holla për fshatrat e djegura nga ushtritë greke e serbe, si edhe dëmshpërblimin për shkatërrimet që kanë bërë ushtritë e perandorive qendrore në Shqipëri.(17).

Këso kohe në Shqipërinë londineze qeveria ishte e pastabilizuar, andaj në Konferencën e Parisit do të ia mësyjnë disa delegacione të pakoordinuara mirë. Në këto rrethana, më 30 tetor 1919, Mid’hat Frashëri do t’i drejtohet Konferencës me këtë mesazh:
“Shqiptarët mund të bëhen një faktor rregulli dhe ekuilibri në pjesën juglindore të Evropës, falë inteligjencës dhe cilësive të tyre të punës dhe të durimit. Ata që mbajnë në duart e tyre fatet e popujve dhe në këtë çast kanë zënë vend në Konferencën e Paqes në Paris, duhet të binden se kurrë paqja  dhe qetësia nuk mund të vendosen në Ballkan, në rast se nuk do të pranohen kërkesat e shqiptarëve. Vuajtja dhe faqtkeqësitë e pësuara nga mbarë bota janë mjaft të rralla, saqë sot nuk mund të harrohen rrjedhimet e rënda që mund të sjellë shpërthimi i një shkëndije nga ky vend i vogël!
Tani, në çastin kur disa vendeve të vogla, të cilave më parë u është injoruar vetë ekzistenca e tyre dhe u është dhënë një jetë e lirë dhe e pavarur, është e pamundur të mos njihen të drejtat e popullit shqiptar dhe të hiqet ai nga lista e të gjallëve ose të kufizohet liria e tij politike. Në qoftë se Konferenca e Madhe e Parisit dëshiron me të vërtetë qetësinë e mbarë planetit tonë me anë të respektit të lirisë së kombeve dhe të zbatimit të parimeve të së drejtës, ajo duhet të marrë në konsideratë të drejtat legjitime dhe pa parakushte të popullit shqiptar.
A gjendet drejtësia në këtë tokë apo jo? A i kanë shpallur solemnisht parimet liberale dhe respektin e të drejtave të kombeve të vogla Fuqitë e Mëdha përparimtare?
Aeropagu i mbledhur në Paris, a ka për qëllim të sjellë paqen dhe qetësinë në përgjithësi në botë dhe në veçanti në Ballkan? Për këtë do të na përgjigjet më së miri që do t’i jepet çështjes shqiptare”. (18)
Megjithatë, zëri shqiptar nuk depërtonte në veshët e shurdhër antishqiptar të Evropës, për interesa të Serbisë – Jugosllavisë versajase, të Greqisë dhe të Italisë. Në fund të dhjetorit 1919, Fuqitë e Mëdha evropiane: Franca, Anglia dhe Italia, kishin arritur një kompromis që më 13 janar 1920, t’i shpallnin këto vendime arbitrare:
1. Vlora t’i jepej Italisë dhe një mandat për sundimin e saj në Shqipëri.
2. Shqipëria veriore, me Shkodrën si autonomi, t’i jepej Jugosllavisë.
3. Shqipëria e Jugut, me qarqet e Korçës dhe Gjirokastrës, t’i jepej Greqisë. (19)
Roja kujdestare e tërësisë së Shqipërisë, Mid’hat Frashëri, duke parë se po bëheshin pazarllëqe mbi kurrizin e popullit shqiptar, i drejtohet kryetarit të ShBA-ve, z. Uillson. Në aneks të mesazhit, i vë në dispozicion literaturën shkencore mbi çështjen shqiptare nga autorët e huaj, si dhe një seri hartash etnografike të hartografëve të huaj, lidhur me vendbanimet shqiptare etnike. Ai, midis të tjerash, shkroi:

1. Rikrijimi i një Shqipërie të qëndrueshme, duke riparuar padrejtësitë e vendimeve të Konferencës së Berlinit (1878) dhe asaj të Londrës (1913), është i nevojshëm për paqen në Ballkan dhe i imponuar nga parimet e lirisë.
2. Serbia plotësisht duhet të heqë dorë nga pushtimi i vilajetit shqiptar të Kosovës dhe nga pretendimet për krahinat shqiptare, të cilat kanë qenë dhe janë përherë tokë shqiptare (shih kufijtë etnografikë të Shqipërisë, që duhet të jenë edhe kufijtë politikë të saj).
3. Greqia në asnjë mënyrë nuk duhet të ushqejë qëllime imperialiste mbi Shqipërinë e Jugut.
4. Është një pikë evidente dhe Konferneca e madhe e tanishme e Paqes duhet të marrë parasysh që pushtimi i Vlorës nga Italia është i barabartë me copëtimin e Shqipërisë.
5. Shqipëria duhet të nihet si shtet sovran e plotësisht i pavarur. Asnjë shtet i huaj nuk duhet toleruar në Shqipëri.
6. Shqipëria në kufijtë e saj etnografikë, duhet të krijojë një shtet plotësisht të pavarur.
7. Kufijtë etnografikë të Shqipërisë, që duhet të ndihmojnë në kufijtë politikë, janë si më poshtë:
Në jug: Kufiri i vjetër greko-turki kohës së para Luftës Ballkanike të 1913-ës, d.m.th., gjiri i Artës dhe Pindi.
Në lindje: Mali i Gramozit, matanë Kosturit, vargjet e kodrave në lindje të Manastirit si dhe kodrat midis Prilepit dhe Veleshit, liqeni i Kaplan (në lindje të qytetit të Shkupit) dhe një linjë e zgjatur e këtij liqeni në Zibefteka (pjesa më jugore e kufirit të vjetër serbo-turk përpara 1913-ës).
Në veri dhe lindje: Kufiri i vjetër (përpara 1913) serbo-turk deri në fshatin Belotekiza (në verilindje të qytetit të Mitrovicës): nga Belotekiza kjo linjë demarkacioni duhet të arrijë deri në kufirin e vjetër Turqi – Mali i Zi, duke vazhduar me vargmalet e quajtura të Rrojit (Tergovishta) – Guci, Plavë, gjithë Malësia si dhe Ulqini dhe Tivari (dy qytete që iu dhanë Malit të Zi pas Luftës ruso-turke të 1878-ës) duhet t’i mbeten Shqipërisë, si dhe Podgorica e Shpuza.
Në perëndim: Bregu i Atlantikut nga Tivari në Veri, deri në Prevezë në Jug. (20)

Mesazhi i Mid’hatit bëri efekt. Kështu, më 10 dhe 26 shkurt 1920, presidenti Wilson në Konferencën e Paqes në Paris, mori në mbrojtje çështjen shqiptare brenda Shqipërisë londineze dhe i prishi planet grabitqare të fqinjëve për copëtimin dhe shpërbërjen përfundimtare të Shqipërisë Etnike.
Në shtator 1920, Mid’hat Frashëri, i dërguar special i qeverisë shqiptare, qëndroi në ShBA, edhe për faktin se Shqiperia ende nuk kishte marrëdhënie diplomatike me këtë shtet, për ta sensibilizuar çështjen shqiptare në administratën amerikane dhe te shqiptarët e Amerikës, si dhe për të siguruar mjete financiare për shtetin e ri shqiptar. Gjithkund u mirëprit nga shqiptarët, dhe sidomos nga udhëheqësit e Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”.(21)
Në fund të nëntorit 1920, Mid’hati shkoi në Paris, kryetar i delegacionit të Qeverisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes, e cila më 17 dhjetor të vitit 1920, do të pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve.(22)
Gjatë viteve 1920/21, Mid’hat Frashëri zhvilloi në Paris një aktivitet shumë të dendur politik dhe diplomatik me interes të veçantë për shtetin dhe kombin shqiptar. Për këto qëllime kontaktoi me personalitete të njohura diplomatike dhe shkencore: E. Durham, R. Cecil, Th. Ipen, A. Herbert, prof. N. Jokli, prof. Pedersen, prof. M. Tomasie, prof. M. Rakes, L . Rey, G. Honotem, H. Batovski, A. Lumbrozo, Lordi Hordrige, E. Frankfurter e shumë e shumë të tjerë. Në shkurt 1921, Mid’hat Frashëri vizitoi Londrën, ku takon shumë miq të vjetër. Nga atje i sugjeron kryeministrit të qeverisë shqiptare, z. Iljaz Vrionit, që t’i drejtohet Lidhjes së Kombeve me një notë të argumentuar për konfliktet serbe ndaj Shqipërisë, me kërkesë për largimin e ushtrisë serbe nga territoret brenda kufijve londinezo-versajas të Shqiptarisë. Kurse më 3 mars 1921, Mid’hat Frashëri i drejtohet me një informatë të thukët Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, lidhur me pozitën e popullsisë shqiptare në Greqi dhe në Jugosllavi. Në prill 1921, Mid’hatin e gjejmë në Konferencën Ndërkombëtare për Telkomunikacion dhe Posta në Barcelonë, prej nga u drejtohet me një shkresë veprimtarëve të dalluar: Eshref Frashërit, dr. Turtullit, Rexhep Mitrovicës, Mehmet Konicës, A.S. Drenovës, Bedri Pejanit, Fuad Dibrës etj., të punonin së fundi për shpëtimin e Shqipërisë londineze nga pazarllëqet e Fuqive të Mëdha. Ndërkaq vetë do të botojë mesazhin në të cilin, përveç të tjerash, shkruante: “Se do të ishte turpi i kohës që të copëtohet ende ajo copë Shqipërie e vitit 1913, duhet të ndodhte e kundërta, territoret e tjera shqiptare, të cilat mbetën jashtë kufirit të shtetit shqiptar londinez, si Kosova dhe Camëria, duhet t’i bashkohen shtetit shqiptar”. (23)
Diplomati i përkorë, Mid’hati, në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, e përfaqësoi shtetin shqiptar me dinjitet të lartë. Pas përpjekjeve maratonike diplomatike e publicistike për tërësinë e Shqipërisë Etnike, më 12 tetor 1922, u kthye në Shqipëri, thellësisht i papajtueshëm me padrejtësitë e Fuqive të Mëdha ndaj kombit shqiptar. (24)
Mirëpo, sado i dëshpëruar, nuk mund të abstenonte nga përpjekja për çështjen shqiptare. Më 9 janar 1923, me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Mid’hati shkoi në Greqi, në një mision special për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Gjatë qëndrimit atje, u bë dëshmitar okular i padrejtësive dhe i ngarjeve tragjike që po i përjetonte populli shqiptar në okupimin grek. Shqiptarët e Camërisë nuk gëzonin asnjë të drejtë elemntare, ndiqeshin, persekutoheshin dhe ndërroheshin me grekë të Azisë.
Në shtator 1923, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Kombeve, që u mbajt në Gjenevë, me ç’rast foli për pozitën e shqiptarëve nën Greqi, për dallimin ndërmjet shqiptarëve myslimanë dhe turqve, të cilët i shkëmbente Greqia me grekët e Turqisë dhe për pozitën e shqiptarëve nën Jugosllavi. Në vitin 1924 vizitoi Turqinë dhe Komisionin të MIKSIT atje, u angazhua që shqiptarët të liheshin jashtë këmbimit të popullatës greke me shqiptarët të konsideruar për turq. Në vijim, para Lidhjes së Kombeve dhe koreve të ndryshme diplomatike shtroi disa ankesa dhe rezoluta, por pa dobi. Evropa vepronte në vijimësi kundër tërësisë së Shqipërisë Etnike dhe kombit shqiptar. Më në fund, Mid’hat Frashëri u bind se edhe politika e jashtme e Shqipërisë nuk përputhej me angazhimin dhe idealin  kombëtar të tij, më 16 dhjetor të vitit 1925, paraqiti dorëheqjen si ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. (25)
Pas kthimit të Ahmet Zogut në krye të pushtetit të Shqipërisë, Mid’hat Frashërit ia ofruan “kolltukun” në qeveri, por nuk pranoi dhe u tërhoq nga politika. Meqë vuante nga një sëmundje kronike e syve, më 27 prill të vitit 1926, shtroi kërkesën për pension të merituar, por nuk iu dha kurrë. (26)
Prej vitit 1926-1939, iu kushtua mbledhjes së literaturës për historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Në Tiranë ngriti një bibliotekë me mbi 40 mijë libra, qendër kjo e rëndësishme për studimet albanistike, e njohur me emrin: “Libraria e Lumo Skëndos”. Mid’hati tërë bibliotekën ia fali shtetit, me qëllim të themelimit të Katedrës së Albanologjisë, mjerisht nga neglizhenca e qeverisë së kohës, një ide e tillë kurrë nuk u realizua. Mid’hati sa vinte dhe konsiderohej meteor i shoqërisë shqiptare. Idealet e tij për lirinë dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike, përpiqej t’i bënte pjesë të ndërgjegjes politike gjithëshqiptare. Shembulli i tij i pashoq në lëmin e edukimit, të ndërgjegjësimit dhe të vetëdijësimit kombëtar të brezave, duke i bartur, gojë pas goje, në çdo mjedis e vend, fjalët e tij dhiatë: “Ta duam Shqipërinë, ta duam njëri-tjetrin, ta duam punën, të krijojmë vlera në të gjitha fushat, në këtë mënyrë jo vetëm që do të respektojmë veten dhe Shqipërinë, por tërë kombin shqiptar”. (27)

 

Pushtimi fashist italian i Shqipërisë, më 7 prill të vitit 1939, atdhetarët shqiptarë në krye me Mid’hat Frashërin i tronditi thellë për fatin e popullit shqiptar. Gjatë kësaj kohe në krye të rezistencës kundër pushtimit italian u vu rini shqiptare e frymëzuar me ndjenja kombëtare për çlirim dhe bashkim të trojeve etnike. Nga këto elemente të rezistencës  shqiptare, më 13 prill 1939, themelohet Balli Kombëtar, si kërkesë e kohës, në krye me Mid’hat Frashërin, i cili me dorën e vet i shkroi Tetë Pikat e Nacionalizmës shqiptare, në bazë të të cilaveu vun themelet e platfromës politike të Ballit Kombëtar, rreth të cilës u mblodh yndyra e inteligjencies shqiptare, duke i dhënë një hov të ri frymës së Lidhjes së Prizrenit. (28)

Në bazë të Tetë Pikave të Nacionalizmës Shqiptare, pa u ndryshuar thelbi i tyre, duke i modifikuar dhe duke iu shtuar edhe dy pika të tjera në vitin 1942, u përpilua Dekalogu i Ballit Kombëtar, i cili ishte dhe mbetet udhërrëfyes i çdo shqiptari të ndërgjegjshëm për zgjidhjen drejt të çështjes kombëtare. Ideologët e Ballit Kombëtar, në krye me Mid’hat Frashërin, të frymëzuar me fanatizëm me ndjenjat e atdhedashurisë, u përpoqën me tërë qenien e tyre shpirtërore dhe intelektuale t’i kultivojnë dhe t’i mbjellin në kombin shqiptar. “Dashuria ndaj Atdheut nuk është politikë”, do të konstatojë në një rast Vasil Andoni emblematik i Ballit Kombëtar, por është një ideal i lartë fisnik dhe virtyt i ndjenjave kombëtare, të cilat arriti t’i kultivojë dhe zhvillojë Mid’hat Frashëri, përmes veprimtarisë së Ballit Kombëtar. (30)
Në vitin 1941, grupet komuniste iu bashkuan Partisë Komuniste të Shqipërisë, si filiale antifashiste kominterniste. Fillimisht raportet ndërmjet PKSh-së dhe Ballit Kombëtar ishin të përmbajtura dhe pati edhe shenja të bashkëpunimit për një qëllim të përbashkët – çlirimin e vendit. Nga mesi i korrikut 1943, nisen përpjekjet për të lidhur një marrëveshje Balli Kombëtar – PKSh, për çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike. Këtê nismë e ndërmori Ihsan Bej Toptani, person autoritativ me ndikim në të dy palët. (31)
Më 26 korrik 1943, u takuan delegacionet e dy grupimeve politiko-ushtarake në shtëpinë e Ihsanit, në Tapizë të Tiranës. Delegacionin e Ballit Kombëtar e përbënin: Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Cuku, kurse delegacionin e Këshillit Nacionalçlirimtar: Abas Kupi, Myslim Peza, Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi. (33) Mbledhjen e udhëhoqi Mid’hat Frashëri, sekretar u zgjodh Mustafa Gjinishi. Pas diskutimeve dhe polemikave të shumta u hartuan dhe u miratuan pikat fillestare të marrëveshjes. Për shkaqe të sigurisë, u vendos që bisedimet të vazhdonin në Mukje, më 1 gusht 1943, me një përfaqësim më të gjerë. Në mbledhjen e Mukjes morën pjesë 24 përfaqësues, 12 nga Balli Kombëtar dhe 12 nga PKSh-ja. Pas shumë polemikave, më 2 gusht 1943, u arrit marrëveshja historike:
1. Formohet Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë prej 12 anëtarësh (6 përfaqësues nga Balli Kombëtar dhe 6 përfaqësues nga komunistët).
2. Të dy partitë pranuan se do t’i luftonin si italianët ashtu edhe gjermanët, deri në çlirimin e vendit.
3. Vendoset që, pas çlirimit të Shqipërisë, forma e regjimit të vendosej nga vetë populli shqiptar. (34)
Kjo marrëveshje i shqetësoi përfaqësuesit e PKJ-së, si : Miladin Popoviqin, Dushan Mugoshën dhe Svetozar Vukmanoviq Tempon, personalitete me ndikim në kreun e PKSh-së. Me intervenimin e tyre, PKSh-ja e prishi marrëveshjen e Mukjes. Prej kësaj periudhe më tepër mund të flitet për luftë ideologjike, për luftë qytetare dhe vëllavrasëse, sesa për luftë çlirimtare të Shqipërisë Etnike, pasi që për antifashistët kominternistë Balli Kombëtar do të konsiderohet armik më i rrezikshëm se sa nazifashizmi italiano-gjerman. Kjo më së miri kuptohet nga direktivat sekrete të Enver Hoxhës, më 10 shtator dhe 1 tetor të vitit 1943, për të gjitha komitetet qarkore të PKSh-së:
“Ne mendojmë se me Ballin Kombëtar nuk do të jetë e mundur të arrihet nji marrëveshje. Mendojmë gjithashtu se Balli ka marrë një rrugë që do të na shpjerë në një përpjekje me ne, prandaj na duhet të punojmë në drejtimin që vijon: ta demaskojmë dhe ta diskreditojmë Ballin në popull, ta paraqesim Ballin në popull si përçarës dhe shkaktar të vëllavrasjes. Të bëjmë që populli të shohë se politika e Ballit do të na shtjerë në përpjekje me armë… që populli i tërë të revoltohet dhe kështu gjithë përgjegjësia historike e mos bashkimit të popullit shqiptar dhe të përpjekjes me armë, të bjerë pêrmbi Ballin Kombëtar”. Përkatësisht: “Ne duhet të ndërhymë e tê godasim pa mëshirë Ballin Kombëtar. Asnjë hezitim… ndryshe ne jemi të humbur në qoftë se veprojmë me zemër prej murgeshe. Balli nuk ta liron pushtetin dhe askush tjetër në qoftë se nuk e rrëmben me forcë… Mbaroi çështja e bashkimit me Ballin, s’jemi më në atë periodë, tash Balli duhet të demaskohet si një organizatë reaksionare… Demaskimi të bëhet i vazhdueshëm  dhe ne vemi drejt likudimit të Ballit dhe jo të bashkimit me të. Në rast se ai gjen ndonjë rast të vendoset në ndonjë fshat a qytet, duhet të veproni përnjëherësh dhe politikisht dhe ushtarakisht kundër tij”. (35)

MID’HAT FRASHËRI – BETIMI I MËRGATËS NË THEMELE TË RIBASHKIMIT TË SHQIPËRISË ETNIKE

Me fitoren e Lëvizjes Antifashiste Kominterniste në trojet shqiptare, u thellua gjahu kriminal komunist kundër pjesëtarëve të organizatave dhe të lëvizjeve që kishin në program çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike. Protagonistët dhe simpatizantët e tyre u vranë, u burgosën dhe u ndoqën, pa mëshirshëm, nga regjimi ushtarak dhe policor shqiptar e jugosllav.
Në mesin e atyre që preferuan ekzilin politik, në nëntor 1944, për të vazhduar përpjekjet për lirinë dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike, ishte edhe Apostulli i saj, Mid’hat Frashëri, themeluesi dhe drejtuesi i Organizatës “Balli Kombëtar”, i cili fillimisht u strehua në kampin anglo-amerikan Santa Fara të Italisë.
Pas largimit nga Shqipëria, Mid’hat Frashëri me një numër të anëtarëve dhe simpatizantëve të Ballit Kombëtar, nga kamp-strehimorja e Santa Farës do të dërgohen në kampin Reggio Emilia të Italisë. Nga malli për Atdheun, të brengosur për fatin e kombit shqiptar, çdo mëngjes do të luten me fytyrë kthyer kah Shqipëria, duke kënduar këngë patriotike kushtrimi për bashkimin e forcave liridashëse për lirinë e Shqipërisë Etnike. Njërën prej këtyre këngëve e shkroi Mid’hati, ku përmes vargjeve plot me ndjenjë, i drejtohet të Madhit Zot:

Ti neve na ndihmo,
Bashkimin na forco,
Dashurinë na shto,
Për Shqipëri. (37)

Në kampin strehimor Reggio Emilia, Mid’hat Frashëri shkroi edhe disa këngë të tjera, për Flamurin Kombëtar, për dëshmorët dhe trimërinë e Ballit Kombëtar, për Kosovën etj. Së bashku me të ishin mbi 750 simpatizantë dhe anëtarë të Ballit Kombëtar nga vende të ndryshme të trojeve etnike shqiptare.(38)
Mid’hat Frashëri, duke qenë adhurues i flaktë i arsimit dhe i forcimit të ndërgjegjes kombëtare, me ndihmën e disa arsimtarëve, edhe në kamp-strehimore, më 1945, organizoi shkollën në gjuhën shqipe, e cila u emërua me emrin e heroit të Ballit Kombëtar, Besnik Cano.(39)
Ndonëse i ndjekur dhe përbuzur nga pushteti në Atdhe, Mid’hat Frashëri në ekzil nuk do ta ndërpresë aktivitetin politik për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Në këtë kontekst, kontribut të çmueshëm do të japë përmes shkrimeve, apeleve dhe memorandumeve drejtuar opinionit ndërkombëtar dhe atij diplomatik, për njohjen me situatën politike në Shqipëri dhe në trojet e tjera të Shqipërisë Etnike, ku sundonte regjimi kominternist. Më 28 korrik 1946, Mid’hat Frashëri, si ish-ambasador i Shqipërisë në Athinë, Lec Kurti, ish-ambasador në Londër dhe Vasil Andoni, sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombëtar, i dërgojnë një memorandum Konferencës së Paqes në Paris, në të cilin i mbrojnë të drejtat e Shqipërisë Etnike, duke dhënë një sqarim retrospektiv për çështjen shqiptare të pazgjidhur. (40)
Duke e pasur të qartë faktin se suksesi i një aktiviteti varet nga shkalla e organizimit, Mid’hat Frashëri, pa humbur kohë, i hyri riorganizimit të Ballit Kombëtar në gjirin e mërgatës politike shqiptare antikomuniste. Vështirësitë ishin evidente. Këso kohe në radhët e ballistëve gjallëronin disa tendenca apo fraksione, të cilat ishin kundër politikës parimore të Mid’hat Frashërit – për shkaqe oportuniste të mos bashkëpunohej me personalitetet shqiptare të cilët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishin bashkëpunuar me pushtuesin nazi-fashist në Shqipëri. Këto opsione do t’i kundërshtojnë Ali Këlcyra dhe Koço Muka, të cilëve më vonë do t’u bashkohen Hasan Dosti, Nuredin Vlora etj. (41)
Vërtet, në atë kohë, përveç Ballit Kombëtar, në emigracion vepronin edhe disa grupime politike të tjera si: Blloku Indipendent me qendër në Romë, në krye me Ismail Vërlacin, i cili kishte përkrahjen e qeverisë italiane dhe një numër i anëtarëve të tij merrnin edhe rrogë; Zogistët dhe Legalistët të përqendruar në Kajro në krye me Ahmed Zogun, të cilët kishin krijuar organizatën “Fronti i çlirimit Nacional” etj. Edhe në këtë organizatë zogiste do të paraqiten plasaritje, sepse alternativa e Abas Kupit mbështetej nga fraksioni i demo-laburistëve të Seit Kryeziut, Ibrahim Frakës etj., të cilët ishin më afër me Ballin Kombëtar të Mid’hat Frashërit. Më pranë qëndrimeve politike të Zogut qëndronte një pjesë e grupit “Kosovar”, me qendër në Siri, në krye me Xhafer Devën, kurse pjesa dërrmuese e grupit Kosovar ishte pro qëndrimeve të Mid’hat Frashërit. Ndërkaq në Francë, nga emigracioni politik shqiptar, ishte themeluar Komiteti i Bashkimit Kombëtar në krye me Nuçi Koton. Këta, edhe pse nuk ishin angazhuar në parti politike, ishin më afër qëndrimeve të Mid’hat Frashërit dhe të Abaz Kupit. (42)
Mid’hat Frashëri në këtë kohë, duke u gjetur në një situatë të antagonizmave midis grupeve politike shqiptare në emigracion, në një anë, dhe duke i njohur qëllimet e politikës të së djathtës greke për aneksimin e Jugut të Shqipërisë londineze, në anën tjetër, ndërmori një ofensivë politike dhe diplomatike, duke vizituar grupet e së djathtës politike shqiptare në Itali, në Francë, në Greqi dhe në shtete të tjera. Në disa vende dërgon emisarët e vet, kurse disa grupe i informon me anë të shkresave. Në prill tê viti 1949, Mid’hat Frashëri viziton Turqinë, e cila kishte një rëndësi të veçantë për grupet e së djathtës shqiptare nga Kosova, në krye me Rexhep Mitrovicën. Përfaqësuesve të emigracionit kosovarë ua qartësoi qëllimet politike të qeverisë dhe të djathtës greke ndaj Shqipërisë londineze dhe Rexhep Mitrovicës ia shpalli idenë për nevojën e organizimit të një mekanizmi përfaqësues të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të botës demokratike. Udhëheqësin përfaqësuese të kêtij mekanizmi ta përbënin personalitetet e lindura jashtë territorit të Shqipërisë londineze, të cilët nuk ishin bashkëpunues të kompromentuar të okupatorit nazi-fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. (44) Pas shumë pune të mundimshme, Mid’hat Frashëri, duke udhëhequr një politikë largpamëse dhe argumentuese, arriti të kurorëzojë qëllimin fillestar. Më 26 gusht 1949, në Paris e shpalli manifestin e themelimit të Komitetit Shqipëria e Lirë, me udhëheqës: Mid’hat Frashërin (kryetar), Abas Kupi, Zef Pali, Said Kryeziu dhe Nuçi Kota (anëtarë), të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore u përkisnin organizatave të ndryshme politike. Pikërisht qëllimi politik i Mid’hatit ishte që në kuadër të Komitetit Shqipëria e Lirë të përfshiheshin përfaqësuesit e të gjitha organizatave dhe grupeve politike që vepronin në emigracion. Në organin më të lartë, Këshillin Kombëtar të Komitetit Shqipëria e Lirë u inkuadruan këto personalitete: Eqrem Telhai (Lidhja Katundare), Hysni Mulleti (Lidhja Agrare), Muharrem Bajraktari (Grupi Luftëtar i Pavarur),  Ihsan Toptani (i pavarur), Gaqo Gogo (Zogist), Myftar Spahiu dhe Gani Tafilaj (Legaliteti), Halil Maçi, Vasil Andoni dhe Abaz Ermenji (Balli Kombëtar). (45)
Më 6 shtator të vitit 1949, Mid’hat Frashëri arrin në Londër, ku, përmes Radio BBC-së për shqiptarët në “Botën e lirë”, shpalli lajmin mbi themelimin e Komitetit “Shqipnija e Lirë”. Me këtë rast, Mid’hati organizoi një konferencë shtypi, ku foli për pozitën e pabarabartë të shqiptarëve të Kosovës me popujt e tjerë në Jugosllavi dhe me plot argumente denoncoi mënyrat e shkëputjes së Kosovës nga shteti amë. Gjatë konferencës së shtypit, miqtë e Jugosllavisë e ndërpresin Mid’hat Frashërin, duke ia bërë me dije se ai, në emër të Komitetit “Shqipnija e Lirë”, mund të fliste vetëm për Shqipërinë dhe jo për territoret shqiptare të cilat nuk ishin nën administrimin e Tiranës. Veprimtari i shquar i çështjes shqiptare, Mid’hat Frashëri, i prekur dhe i revoltuar për shkak se ia pamundësuan të fliste për Kosovën dhe për trojet e tjera etnike shqiptare, të okupuara nga shtetet fqinje, në shenjë revolte e në mënyrë demonstrative, e prishi konferencën e shtypit. (46)
Incidenti në konferencën e shtypit të shtatorit 1949, në radion e BBC, u bë një përvojë e mirë për Mid’hat Frashërin të mendonte edhe për kurthe të tjera antishqiptare të faktorit evropian.
Prometeu shqiptar e vazhdoi aktivitetin politik organizativ nga një skaj në skajin tjetër të botës, nga Londra në Nju-Jork, me qëllim që t’i inkurajonte shqiptarët në mërgim dhe t’i informonte koret diplomatike se do të vijë dita kur populli shqiptar do të çlirohet nga regjimi i egër komunist dhe nga robëria sllave e greke. Në përpjekje të pareshtura me mision të Mesiut për kombin shqiptar, Madhori i Kombit papritmas ndërroi jetë, më 3 tetor të vitit 1949, në moshën 69-vjeçare. Vdiq nga pika në zemër, në hotelin “Winthrop” të Nju-Jorkut, në prani të bashkëveprimtarit besnik Talat Karagjozi.
Vdekja e papritur e Mid’hat Frashërit pllakosi në zi botën shqiptare patriotike, sepse një jetë u martirizua për Shqipërinë Etnike dhe për këtë fakt gëzonte një autoritet jashtëzakonisht të madh dhe të pazëvendësueshëm, jo vetëm në mërgatën shqiptare, por edhe te personalitetet e ndryshme ndërkombëtare, lojalë ose miq të kombit shqiptar.
Për këtë arësye, në shenjë respekti dhe për kontributin kombëtar që ka dhënë për çështjen shqiptare, për 53 vjet veprimtarie të ngjeshur dhe interdisiplinare, mërgata shqiptare në Nju-Jork organizoi katër ditë zi-homazh. Derisa qëndroi në shtëpinë “Funeral Home”, rojë nderi i bënë këto personalitete: Shefqet Iseraj, Muho Xhake, Braho Husi, Astrit Sako, Sulejman Mane, Hysni Aliko, Hajredin Peshkopia, Skënder Omari, Iljas Guri dhe Luan Dosti. Nderime me përkulje i bënë edhe përfaqësuesit e komuniteteve shqiptare nga vende të ndryshme të botës, personalitete të dalluara politike evropiane dhe amerikane, si dhe përfaqësues të ndryshëm të organizatave ndërkombëtare. Xhenazen e Mid’hatit për varrim e përgatiti Imam Vehbi Ismaili, veprimtar i dalluar i çështjes shqiptare në mërgim dhe imam shumë vjeçar i xhamisë të Detroitit. (47)
Pas katër ditë nderimesh dhe mallëngjimesh, Burri më i mash i Kombit, Mid’hat Frashëri, varroset në varrezat e Ferncliff të Nju-Jorkut, me nderime të mëdha. Mjerisht varri i Mid’hatit ende gjendet në Nju-Jork, jashtë trojeve etnike shqiptare, të cilave ua kushtoi tërë jetën. (48)
Mërgata shqiptare e Nju-Jorkut po atë ditë botoi një informatë për vdekjen e Mid’hat Frashërit, e shkruar nga një pendë e hollë, nga një njohës i madh i jetës dhe veprës së Mid’hatit. Kjo është kurora ma e mirë për meritat dhe kontributin e Mid’hat Frashërit pêr kombin. (49)
Vdekja e papritur e Mid’hat Frashërit e goditi thellë në qenie Ballin Kombëtar në diasporë dhe në mbarë trojet shqiptare. Me rastin e shënimit të Njëqindvjetorit të lindjes së Mid’hatit, Abas Ermenji, njëri nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, u shpreh me këto fjalë:
“Mid’hat Frashëri mbylli me nder historinë e familjes së tij, si një nga pishtarët e Rilindjes Kombëtare dhe mbrojtës i paepur i Shqipërisë Etnike. Për historinë më të re të popullit shqiptar do të mbetet një personalitet i pavdekshëm dhe frymëzues i ndjenjave kombëtare dhe atdhedashurisë”. (50)
Vasil Andoni, bashkëkohës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të lindjes së Mid’hatit, veç të tjerash, jep edhe këtë vlerësim:
“Këngëtari i fundit i Frashërllinjve, edhe pse fizikisht nuk është në mesin tonë, por kënga e tij jeton, këndohet dhe përkëdhel ndjenjat e atdhedashurisë, këtë këngë Balli Kombëtar do ta këndojë gjithmonë deri sa të ekzistojë populli shqiptar”. (51)

Marrë nga studimi “Lidhja Kosovare 1949-1999” nga Dr. Riza Sadiku
Prishtinë 2006, ISBN 9951-8645-1-1

(7) M. Frashëri, Vëllimi I, Letërkëmbime, Tiranë 2000, 5.
(8) Për jetën dhe veprën e Mid’hat Frashërit, gjerësisht pa precedencë: Uran Butka, Gjeniu i Kombit, Tiranë, 2000
(9) DIELLI; vol. 55, no. 40, Boston, 20 nëntor 1968, 3
(10) BESA, Viti i IV-të, nr. 62-63, Istanbul, tetor-nëntor 1958, 3; Prof. Dr. Athanas Gegaj, Epopeja e një populli, FLAMURI, vol. III, nr. 31-36, Romë, korrik – shëndre 1954, 4.
(11) Po aty
(12) U. Butka, Gjeniu i Kombit, 35.
(13) Gjerësisht, Muhamet Pirraku, Roli i Salih Gjukës në përgatitjen e aktit politik të pavarësisë së Shqipërisë, Gjurmime albanologjike, SSHH – 31 – 32 (2001-2002), Prishtinë 2003, 140-142.
(14) FLAMURI, nr. 129-132, Kalendari i disa datave Historike, 28 nëntor 1962, Romë, 3.
(15) URAN BUTKA, Gjeniu i Kombit, Tiranë 2000, 126-154.
(16) Po aty.
(17) Po aty, 132.
(18) Po aty, 137.
(19) Lumo Skëndo, Probleme të Shqipnisë Indipendente, DITURIA, Tiranë, 1928
(20) Eugen Pittard, parathënie e librit të L. Skendos, Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë atdheut, Lozanë, 1919.
(21) Federata Pan-Shqiptare është themeluar më 28 prill 1912 në Boston. Për shpërnguljet e para të shqiptarëve të ShBA-së, themelimin e shoqërive, gazetave, revistave të para në mërgim dhe të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, gjerësisht shiko: Valentina Duka, Shqiptarët në rrjedhat e shekullit XX, Panteon – Afërdita, Tiranë 2001.
(22) Për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve meritë të veçantë ka edhe delegacioni i mërgatës shqiptare në krye me Fan S. Nolin – kryetar, dr. Adhamidhi, Hil Mosi dhe Pandeli Cale.
(23) Sipas U. Butka, Gjeniu i Kombit.
(24) FLAMURI, nr. 68-69, Shënime biografike, Romë, 3 tetor 1955, 1.
(25) Zëri i Shqipërisë nr.3, Tiranë 1935.
(26) Uran Butka, Gjeniu i Kombit, fq. 278-279.
(27) Gjerësisht, po aty.

Author

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.

Back to Top