Rezistenca heroike e Çetës së Ballit Kombëtar të Bozhigradit dhe Batalionit të Ballit Kombëtar të Devollit ndaj barbarisë komuniste

Botime, Historia, Lufta 1939-1944, Lufta civile Comments Off

Megjithëse bërthama e rezistencës së popullit patriotik të katundit Bozhigrad pat filluar qysh n’orët e para të okupacionit fashist italian, ajo u mishërua në një Çetë Nacionaliste në Prendverën e vitit 1942 dhe u rreshtua në radhët e organizatës së Ballit Kombëtar. Po kështu patën zënë fill edhe Njësitet Balliste të katundeve Sul, Koshnicë, Dobranj, Cipan dhe Verlen të cila u rreshtuan në Batalionin Ballist të Devollit.
Përveç kontributit të vlefshëm që dhanë patriotët Dhimitër Fallo dhe Fazli Frashëri, të cilët më vonë u vranë nga komunistët barbarë, në formimin e Batalionit të Ballit Kombëtar në Devoll, Çetës Balliste të Bozhigradit dhe njësiteve të sipër-përmendura, shumë patriotë nga Bozhigradi, Suli, Koshnica, Dobranji, Stropani, Ecmeniku, Piluri, Vranishti, Tresteniku, Çipani, Verleni, Graca, Zemblaku dhe Bilishti luajtën një rol të rëndësishëm patriotik në organizimin dhe drejtimin e çetave Balliste në Devoll. Për t’u përmendur midis tyre në Bozhigrad ishin ati im Vesel Emin Sino, dhe bijt e tij Safet, Abdyl, Xhevdet dhe Xhevit; Qeham, Seit dhe Beqir Mucka; Ymer Hasani; Bajram Ymeri dhe Hamit Goli; Refat, Hysen, Muharem dhe Shaban Zaci, Rasim Ajdini dhe Nedim Sino; Habil Ismahili ; Jashar Asllani; Jashar dhe Islam Hajro; Riza dhe Sefedin Xhezari; Mehmet Elmazi dhe Bato Seiti; Beqir Hasimi; Shaban dhe Nexhip Ceta; Muharem dhe Taip Lamcuri; Banush dhe Shaban Ibrahimi dhe shumë të tjerë. Gjithashtu për t’u përmendur si patriotë të vendosur ishin të rinjtë Xhevit Vesel Kaso, Sabri Sulejmani, Nazmi Nexhipi, Servet Dajlani dhe shumë të tjerë.

Ndërsa në formimin e Njësiteve Balliste të sipër-përmendura një kontribut të rëndësishëm dhanë patriotë nga Suli – Ismahil Kadriu, Kurtali Mahmuti, Islam Ismahili, Hilmi Mehmeti, Mehmet Karacja, Feim Beu, Sefedin Selmanxhaxhe dhe shumë të tjerë. Gjithashtu për t’u përmendur në këtë drejtim ishin Qamil Caushi dhe Refat dhe Elmas Koshnica; Mersin dhe Nijazi Dobranji; Emin Dauti dhe Enver dhe Salih Tare Bracanji; Xhemal Arëza, Badyl Sinica dhe të tjerë.

Dhe tani pak fjalë mbi formimin e Batalionit të Ballit Kombëtar të Devollit. Një rol tepër të rëndësishëm në formimin e këtij batalioni luajtën Demirshah Rexhep Stropani, Fuat Ecmeniku, Hytbi Tresteniku; Seit, Nevrus dhe Cane Piluri; Ajdin Zemblaku, Dilo Graca, Feti Verleni; Isa Berberi, Nevrus Kello, Nafis Kasemi, Salih Shehu dhe Shaban Gjyli dhe vëllezërit e tij nga Bilishti; Hysni dhe Saliko Cipani; Selman Rakicka, Shaban Kapeshtica dhe shumë të tjerë.

Me këtë rast vlen të përmendet edhe fakti që patriotizmi i flaktë dhe rezistenca e vendosur kundër armiqve të kombit dhe pushtuesve të huaj ka qenë traditë karakteristike e popullit të Bozhigradit dhe fshatrave të sipër-përmendura. Ky fakt u vërtetua edhe në luftën heroike kundër komunistëve për shpëtim kombëtar. Kjo traditë është e njohur jo vetëm në krahinën e Devollit dhe qarkun e Korçës por edhe në krahina të tjera të Shqipërisë. Megjithatë qëllimi i këtij përshkrimi nuk është për t’i thurur lavdi popullit heroik të Bozhigradit, Sulit, Koshnicës, Stropanit, Ecmenikut, Pilurit, Vranishtit dhe të tjerë, por për të vënë në dukje luftën e tyre kundër këlyshëve të Stalinit gjakatar – Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe të tjerë – të cilët masakruan Popullin Shqipëtar dhe e hodhën Atdheun në një katastrofë të tmerrshme.

Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për popullin e këtyre fshatrave, fjala është për shumicën e tyre, mbasi në raste të veçanta ekzistonte dhe një numër personash të cilët përkrahnin komunistët dhe bashkëpunonin me tradhëtarët e Kombit. Elemente të kësaj ngjyre në Bozhigrad ishin Emin, Rexhep, Qemal, Nesim dhe Faik Kacandoni; Estref, Ali dhe Zija Lace; Beqir dhe Nexhip Demiri; Ahmet, Fazli, Emin dhe Daut Ceta dhe Kurtali Hajderi. Ndërsa në Sul elemente të tillë ishin Ibrahim Xhaferi, Enver Ahmeti dhe të tjerë, kurse në Dobranj dhe Mengulas ishin Bato Dobranji dhe Bahri Neim Hyseni. Ata jo vetëm u jepnin informata komunistëve mbi aktivitetin e Çetës Balliste të Bozhigradit, por ishin bërë edhe elemente të rrezikshëm. Në fillim të vitit 1943 shumë prej tyre u futën në radhët e batalionit komunist “Fuat Babani” dhe rrjedhimisht luftuan kundër Çetës Balliste të Bozhigradit.

Ndërkohë ballafaqimi midis Çetës Balliste të Bozhigradit dhe batalionit gjakatar “Fuat Babani” po acarohej nga dita në ditë. Përballë kësaj gjendje komandanti kriminel i batalionit “Fuat Babani” Tefik Cakonji dhe agjentët e tij Myzafer Spaho, Zija Kambo, Nazif Poncare dhe shumë të tjerë përdorën gjithë taktikat e ndyra kriminale për t’a shkatërruar Çetën Balliste të Bozhigradit dhe Batalionin e Ballit Kombëtar të Devollit. Dhe kur të gjitha horrllëqet e tyre dështuan, batalioni komunist filloi kërcënimin me armë. Gjë kjo që u vërtetua gjatë Korrikut dhe Gushtit 1943. Pra gjithë shenjat dhe informatat tregonin se batalioni komunist “Fuat Babani” po përgatiste terrenin për të goditur dhe shkatërruar Çetën Balliste të Bozhigradit me çdo kusht. Presioni në këtë drejtim u shtua dhe vazhdoi dei në kohën kur krimineli Enver Hoxha dhe klika e tij mbajtën një mbledhje në Labinot t’Elbasanit ku, nën presionin e emisarëve të Titos, hodhën poshtë Marrëveshjen e Mukajt arritur me udhëheqësit e Ballit Kombëtar. Fill mbas kësaj mbledhje famëkeqe komunistët ndërmuarën aventurën tragjike vëlla-vrasëse. Fajtorë për këtë tragjedgi të tmerrshme janë kryesisht Stalinistët e tërbuar Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Populli Shqipëtar i dënon këta gjakatarë të përbindshëm me neveritje për krimet e tyre të shëmtuara.

Disa javë mbas hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukajt nga klika komuniste, batalioni komunist “Fuat Babani” i zu pritë Batalionit të Ballit Kombëtar të Devollit në katundin Ziçisht në mbrëmjen e 9 Shtatorit 1943. Nga zjarri i tyre mbetën të vrarë pesë ballistë dhe një i plagosur. Ndër të vrarët ishin Zija Gashi, Hadi Kazimati, Dilo Graca, Feti Verleni dhe Hilmi Mehmeti, ndërsa Hytbi Kulla mbet i plagosur dhe u kap i gjallë. Komunistët e torturuan Hytbinë barbarisht dhe mandej e ekzekutuan. Pak ditë më vonë qarkulloi lajmi se Hytbiu ishte torturuar nga krimineli Myzafer Spaho, një shok shkolle i Hytbiut dhe i njohur si element i fëlliqur dhe burracak.

Në vazhdim të krimeve të tij të shëmtuara, batalioni “Fuat Babani” rrethoi fshatin Koshnicë në Tetor të vitit 1943 dhe hapi zjarr kundër ballistëve të këtij fshati. Atje ndodhej edhe ballisti Musa Kraja me një njësit të vogël ballistësh. Porsa dësgjuan sulmin komunist kundër Koshnicës, ballistët e Sulit dhe Bozhigradit shkuan në ndihmë të ballistëve të Koshnicës dhe Musa Krajës. Si rezultat, komunistët e panë rrezikun që i priste dhe u tërhoqën në panik.

Këto masakra barbare i dhanë sinjalin Çetës Balliste të Bozhigradit, e cila sikundër përmendet edhe më sipër, ishte sajuar për shkatërrim, për të qëndruar në gatishmëri të plotë dhe vigjilente për të mos u kapur në befasi nga kriminelët komunistë. Kjo aventurë e komunistëve u vërtetua brenda pak ditëve kur kjo çetë u bë objekt sulmesh të vazhdueshme nga batalioni famëkeq “Fuat Babani”. Megjithatë, barbarët komunistë ende nuk patën guxim për të ndërmarrë një sulm të gjithanshëm kundër Çetës Balliste të Bozhigradit. Kjo gjendje presioni vazhdoi deri më 3 Prill të vitit 1944 kur kjo çetë vendosi të tërhiqet për në Bilisht mbasi ishte informuar se batalioni “Fuat Babani” kishte thirrur për ndihmë një numër batalionesh komuniste nga Kolonja dhe Opari. Këto batalione kriminelësh ishin përqendruar në katundet Arëzë, Ndardhë, Sinicë dhe Qytezë n’afërsit e Bozhigradit me qëllim për të sulmuar dhe shkatërruar Çetën Balliste të Bozhigradit. E ndërgjegjshme se një përleshje e tillë me forca shumë herë superiore në numër dhe të pajisura me armë të rënda automatike do të përfundonte me humbje të rënda për forcat mbrojtëse nacionaliste, Çeta Balliste e Bozhigradit vendosi të tërhiqet për në Bilisht. Një ditë mbas tërheqjes së kësaj çete, komunistët hynë në Bozhigrad. Mbasi persekutuan gra, fëmijë dhe pleq dhe plaçkitën pasurinë familjeve të Vesel Sinos, Qenan dhe Seit Muckës, Barjam Ymerit dhe të tjerë, ata i vunë zjarrin shtëpive të këtyre familjeve dhe u tërhoqën për në bazat e tyre në Qytezë, Sinicë, Arëzë dhe Ndardhë. Përballë kësaj gjendje tragjike Çeta Balliste e Bozhigradit mori pak përforcime nga Qendra Balliste në Bilisht dhe u kthye në Bozhigrad më 5 Prill 1944. Por tepër vonë.

Pas kësaj aventure të përbindëshme, komunistët vazhduan presionin e tyre n’afërsit e Bozhigradit por nuk guxuan të ndërmerrnin ndonjë sulm kundër Forcave Balliste të Bozhigradit. Kjo gjendje vazhdoi deri më 30 Korrik 1944. Në mbrëmjen e kësaj nate batalioni komunist “Fuat Babani”, së bashku me brigadën e dytë komuniste komanduar nga Beqir Balluku dhe disa batalione komuniste nga Kolonja dhe Opari, rrethuan Bozhigradin. Çeta Balliste kishte informatë për këtë plan barbar dhe ishte pregatitur mirë për një përleshje dhëmb-për-dhëmb megjithëse kundër forcash të shumta në numër dhe të pajisura me armë të rënda dhe automatike. Nga ana tjetër komunistët kishin informatë se gjatë natës Forcat Balliste bënin roje në një numër shtëpish me pozitë strategjike në periferi të katundit. Mirëpo e ndërgjegjshme se komunistët kishin dijeni mbi këtë sistem mbrojtje, Çeta Balliste vendosi të ndërrojë planin e saj mbrojtës dhe shpejt bëri një riorganizim në llogore jashtë periferisë së katundit. Si rezultat, në sulmin e tyre kundër Bozhigradit komunistët u kapën në befasi dhe e paguan shtrenjt aventurën e tyre. Ata e filluan sulmin aty nga ora nëntë në mbrëmje. Së pati hapën zjarr me mortaja të rënda dhe armë automatike rreth e përqark katundit dhe i vunë zjarr disa kashtoreve në Lagjen Cetë me qëllim për të mbjellë panik dhe mandej sulmuan për të hyrë në katund. Por sulmi i tyre dështoi që në minutat e para, plani i tyre shkoi huq. Të kapur në befasi nga zjarri i Ballistëve ata u tërhoqën në panik duke lënë disa të vrarë dhe të plagosur. I pezmatuar nga kjo dackë dërrmuese, Balluku urdhëroi kundërsulme të njëpasnjëshme por pa sukses. Komunistët nuk guxuan t’i afroheshin vijës mbrojtëse të Ballistëve të Bozhigradit. Kjo betejë vazhdoi deri n’orët e vogla të mëngjezit të datës 31 Korrik dhe më në fund komunistët u detyruan të tërhiqen për në bazat e tyre të sipërmendura. Nga kjo përleshje Çeta e Bozhigradit pat një të vrarë (Ali Besimin) dhe një të plagosur (Nexhip Cene), kurse komunistët patën disa të vrarë dhe të plagosur.

Mbas dështimit të kësaj beteje komunistët nuk guxuan më të bënin ndonjë sulm tjetër në shkallë të gjerë, megjithëse gjendja po zhvillohej në favorin e tyre dhe pozita e Çetës Balliste të Bozhigradit po keqësohej nga dita në ditë. Duke parë gjendjen kritike të kësaj Çete si nga pikëpamja morale ashtu dhe nga armatimi, Sulioti patriot Ismahil Kadiu së bashku me veteranin plak Islam Sinica dhe Ballistin Bozhigradas Shaban Ceta, muarën inisiativën e guximëshme për t’i ardhur në ndihmë Çetës së Bozhigradit. Në javën e parë të Gushtit, në murgun e natës dhe pa marrë parasysh rrezikun komunist, ata çanë rrethimin komunist dhe prunë një sasi municioni në Bozhigrad. Ky akt sa heroik aq edhe patriotik i Ismahilit dhe shokëve të tij u prit përzemërisht nga Ballistët e Bozhigradit. Ata do të mbeten të paharruar në analet e luftës që kjo Çetë bëri kundër komunistëve barbarë.

E ndërgjegjshme se gjendja po keqësohej vazhdimisht, Çeta Balliste e Bozhigradit, e cila pat mbetur kryekëput e izoluar në skajin e fundit të Devollit, nuk pat rrugë tjetër veçse të tërhiqej për në Bilisht për të evituar një përleshje me komunistët që pritej të shpërthejë nga momenti në moment. Përballë këtyre rrethanash kjo Çetë u tërhoq për në Bilisht më 24 Gusht 1944 dhe kështu mori fund edhe rezistenca e saj kundër komunistëve n’atë zonë.

Në këtë luftë t’ashpër dy-vjeçare kundër komunistëve barbarë Bozhigradi sakrifikoi një numër të madh burrash dhe djem. Disa prej tyre u vranë në betejat e Bozhigradit dhe Krahina të tjera t’Atdheut, ndërsa shumë të tjerë si Vesel Sino dhe Qenan dhe Beqir Mucka u gjykuan nga t’ashtuquajturit “gjyqe të popullit” në Bilisht dhe u pushkatuan së bashku me një grup tjetër patriotësh nga Devolli dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Barjam Ymeri dhe Hamit Coli u vranë nga komunistët gjatë udhëtimit të tyre për në krahinën e Shkodrës; Xhevit Sino dhe Rasim Ajdini u dënuan gati me burgim të përjetshëm dhe ata vdiqnë në burg nga torturat e komunistëve barbarë. Safet Vesel Sino u dënua me 15 vjet burgim. Ndërsa Xhevdet Vesel Sino dhe Xhemil Osman Sino, të cilët shërbenin në xhandarmëri respektivisht në periferinë e Tiranës dhe Korçës, u vranë në beteja kundër komunistëve. Habil Ismahili u dënua gati me burgim të përjetshëm. Nga ana tjetër dy të rinj të mitur – Ismahil Ademi (15 vjet) dhe Riza Hyseni (12 vjet) u rrëmbyen nga komunistët kur ata u ndodhën për vizitë në katundet Qytezë dhe Sinicë respektivisht dhe u pushkatuan nga kriminelët komunistë vetëm e vetëm se ata ishin bij ballistësh. Ndërkaq shumë familje nga Bozhigradi dhe fshatra të tjerë të Devollit u internuan në kampet e torturave në Lushnje, Fier, Mat dhe Krujë ku shumë nga pjestarët e tyre vdiqnë nga uria dhe persekutimet e komunistëve.

Gjithashtu një numër patriotësh nga Bilishti, Piluri, Ecmeniku dhe fshatra të tjerë u arrestuan dhe u gjykuan nga t’ashtuquajturat gjyqe të popullit dhe u dënuan me vdekje. Ata u pushkatuan dhe u hodhën në një gropë të përbashkët me shumë patriotë të tjerë. Midis tyre ishin Sheh Qerim Bilishti dhe biri i tij Salih, Ajdin Zemblaku, Nevrus Piluri, Fuat Ecmeniku dhe shumë të tjerë.

Ky heroizëm i pashembëllt dhe këto sakrifica të mëdha të popullit të Bozhigradit, Sulit, Koshnicës, Dobrenjit, Pilurit, Stropanit, Ecmenikut, Graces, Verlenit, Zemblakut dhe Bilishtit për shpëtimin e kombit nuk do të harrohen. Brezat e ardhshëm të një Shqipërije të lirë dhe demokratike do t’i kujtojnë me nderim heronjtë e këtyre fshatrave dhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre në luftën kundër tradhëtarëve komunistë të cilët e kthyen Shqipërinë në një burg të tmerrshëm stalinist dhe në një vend terrori, shtypje, frike dhe urie.

Lavdi heronjve Shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në luftën kundër komunistëve për shpëtimin e kombit !

Shkruar nga Abdyl Vesel Sino

* Titulli origjinal:
Pak fjalë mbi rezistencën heroike të Çetës së Ballit Kombëtar të katundit Bozhigrad, njësiteve balliste të katundeve Sul, Koshnicë dhe Dobranj dhe Batalionit të Ballit Kombëtar të Devollit në luftën kundër barbarëve komunistë të udhëhequr nga këlyshët e Stalinit Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe të tjerë.

Author

Back to Top