Çështja kombëtare në përvjetorin e 111-të të Pavarësisë

Aktualiteti, Historia Comments Off

Më 28 Nëntor 1912 Ismail Qemali dhe 40 përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare ngritën Flamurin në Vlorë dhe shpallën Pavarësinë e Shqipërisë pas shumë e shumë përpjekjesh dhe sakrificash të shqiptarëve për dekada me radhë. Kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë, fjala « Shqipëri » përmblidhte të gjitha trevat shqiptare të atëhershme, domethënë edhe Kosovën, trevat shqiptare të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërinë. Por Konferenca e Londrës, në vitin 1913, ia shkëputi Shqipërisë më shumë se gjysmën e tokave të saj për t’ia falur Serbisë dhe Greqisë. Plaku i Vlorës, Ismail Qemali, i dëshpëruar do të thoshte se Shqipërisë iu morën tokat më të mira dhe iu la më pak se gjysma e saj. Ai do të përpiqej në vitet që pasuan për t’ia rikthyer ato Shqipërisë, por nuk ia arriti. 

Kjo shkëputje e tokave shqiptare nga ato të cilat iu njohën shtetit të ri shqiptar kanë bërë që ajo që ne e quajmë çështja kombëtare shqiptare të mos mbyllej në vitin 1913 por të mbetej e hapur dhe të arrijë deri në ditët tona duke kërkuar një zgjidhje. Pasojat e mos-zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare dhe zvarritjes së saj kanë qenë dramatike: 1/ gjenocidi i përsëritur i Serbisë në Kosovë dhe tentativat për ta spastruar etnikisht atë nga shqiptarët 2/ gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga Greqia në vitin 1944 dhe zhvendosja e tyre me dhunë drejt Shqipërisë ashtu siç ishte bërë më parë drejt Turqisë 3/ diskriminimi, aparteidi dhe asimilimi i shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. 

Kurse për shtetin gjysmak shqiptar apo Shqipërinë londineze pasojat ishin disi më ndryshe: ndërhyrje të vazhdueshme nga fqinjët për të mos e lënë që të zhvillohet me qëllimin final që të realizojnë projektet e tyre shekullore për aneksimin e tokave shqiptare të mbetura dhe si përfundim zhbërjen e shtetit shqiptar. Kështu ndërhyrjet e Serbisë në vitet 1941-1944 sollën në Shqipëri një Luftë Civile dhe më pas vendosjen e një diktature mizore komuniste.  Kurse Greqia pas viteve ’90 ka ndjekur një politikë aktive të helenizimit të Shqipërisë së Jugut. Masakra e Peshkëpisë e vitit 1994, presioni mbi emigrantët shqiptarë në Greqi për t’u deklaruar si vorio-epirotë, vendosja e një shtetasi grek në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pretendimet për varreza greke në Shqipëri, përpjekjet për ta deklaruar Himarën zonë minoritare, mohimi i gjenocidit ndaj popullsisë çame, mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës me Shqipërinë, përpjekjet për zgjerimin e hapësirës detare greke në dëm të asaj shqiptare – të gjitha këta dhe të tjerë janë tregues të politikës agresive të Greqisë ndaj Shqipërisë londineze dhe prova se Greqia ka plane aktive për aneksimin e Shqipërisë së jugut.

Çlirimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1999 dhe shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 ngjallën shpresat se çështja shqiptare po shkonte drejt zgjidhjes. Por për fat të keq që atëhere shqiptarët kanë bërë hapa prapa. Shqipëria londineze që nga viti 2013 qeveriset nga partia socialiste, trashëgimtarja e denjë e diktaturës komuniste. Sipas traditës së saj anti-kombëtare partia socialiste e Shqipërisë është afruar me Serbinë, ku shembulli më domethënës janë marrëveshjet e « Ballkanit të hapur », dhe nga ana tjetër nuk e ka përkrahur Kosovën madje me qëndrimet dhe aktet e saj e ka dëmtuar atë. Kurse në planin e brendshëm, partia socialiste ka shkatërruar demokracinë e brishtë shqiptare me vjedhjen e zgjedhjeve dhe kapjen e institucioneve dhe po e çon Shqipërinë drejt një diktature të re neo-komuniste. Glorifikimi i periudhës komuniste dhe udhëheqësve komunistë janë disa nga treguesit më domethënës të këtij drejtimi.

Nga ana tjetër kanë filluar goditjet ndaj idesë së bashkimit kombëtar si zgjidhje e çështjes kombëtare si në Shqipëri edhe në Kosovë. Në Shqipëri nuk është as e habitshme dhe as hera e parë që ndodh kjo. Në vitet ’50 komunistët dolën me parrullën: « Kush zë në gojë çështjen e Kosovës, bën punën e armikut ». Klasa politike e sotme shqiptare ka dalë pikërisht nga diktatura komuniste dhe prandaj instiktet e saj janë kundër bashkimit kombëtar. Kurse në Kosovë, e cila gjithmonë e ka patur si qëllim bashkimin kombëtar, puna qëndron ndryshe. Ka që mendojnë, dhe gabohen rëndë, se Kosova mund t’ia dalë e vetme, pa Shqipërinë. Natyrisht qëndrimet anti-kombëtare të neo-komunistëve shqiptarë i kanë zhgënjyer. Por të gjithë e shohim sot se Kosovës me anë të asociacionit serb po i lidhin zinxhirë që nesër mund ta vendosin në trajektoren drejt Serbisë.

Ky 28 nëntor i gjen Shqiptarët në një situatë të paqartë, midis zhgënjimit dhe shpresës. Zhgënjimi nga situata e keqe e Shqipërisë që e shikon demokracinë dhe lirinë të shkërrmoqet pak e nga pak çdo ditë, që e  shikon rininë e saj të largohet drejt vendeve të tjera, rini të cilën partia socialiste ka në plan ta zëvendësojë  me emigrantët, apo « proletarët » e rinj që do t’i sjellë nga fundi i botës. Zhgënjimi nga situata në Kosovë ku bisedimet e pafundme me Serbinë nuk duket të sjellin asgjë pozitive, por vetëm tentativa të armatosura si ajo e Banjskës apo edhe asociacionin serbomadh që rrezikon t’i japë një goditje fatale lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. 

Por Shqiptarët kanë edhe shpresë se punët do të shkojnë në drejtimin e duhur, se demokracia në Shqipëri do të mbijetojë, se Kosova do të mbetet e lirë dhe sovrane, se çështja kombëtare do të zgjidhet. Por që këto shpresa të bëhen realitet duhet që shqiptarët ta kuptojnë se bashkimi kombëtar është rruga e vetme e shpëtimit, se bashkimi kombëtar është zgjidhja e vetme e çështjes kombëtare, se bashkë jemi më të fuqishëm dhe veç e veç jemi më të dobët dhe nuk kemi peshë dhe rrezikojmë të përfundojmë atje ku të na hedhë era e politikës dhe interesave ndërkombëtare. 

Shqiptarët kanë arsye të shpresojnë sepse kombi shqiptar po i reziston sot neo-komunizmit në Shqipëri kurse Kosova deri tani i ka rezistuar me sukses tentativave të Serbisë për destabilizim. Situata sot është në favor të kombit shqiptar i cili nuk duhet ta humbas këtë rast që i ofron historia për ta zgjidhur çështjen kombëtare. Përndryshe tragjedi të mëdha e presin në të ardhmen, me pasoja të paparashikueshme. 

Por le të jemi optimistë në këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar. Shqiptarët arritën ta bëjnë pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912 në kushte edhe më të vështira se sot, në mes të përçarjeve të brendshme dhe përballë fqinjëve armiqësorë të përkrahur nga Rusia dhe të toleruar nga Fuqitë e Mëdha. Sot Fuqitë e Mëdha nuk e përkrahin Serbinë. Por ajo që ka më shumë rëndësi është se sot kemi dy shtete shqiptare dhe një komb shqiptar plotësisht të ndërgjegjshëm për çështjen kombëtare dhe zgjidhjen e saj. 

Xhemil Meço

Author

Back to Top