Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023

Aktualiteti Comments Off

Dje u hap fushata elektorale per zgjedhjet vendore të 14 majit ku do të marrin pjesë 40 parti dhe koalicione. Partia « Balli Kombëtar » është regjistruar në këto zgjedhje dhe kandidon për këshilltarë në qarqet Durrës, Lezhë, Tiranë, Elbasan dhe Vlorë. Nga ana tjetër PBK nuk ka paraqitur kandidatë për kryetar bashkie por përkrah kandidatët e koalicionit opozitar « Bashkë Fitojmë » për kryetar bashkie.
Balli Kombëtar në këto zgjedhje është rreshtuar në anën e opozitës dhe iu bën thirrje nacionalistëve shqiptarë të votojnë kundër kandidatëve të partisë socialiste të drejtuar nga Edi Rama, apo ndryshe të Rilindjes Socialiste.
Arsyet për këtë pozicionim janë të shumta, por ato më kryesoret janë dy: qëndrimi negativ i Rilindjes Socialiste ndaj çështjes kombëtare dhe rrezikimi i demokracisë shqiptare nga partia socialiste.
Në radhë të parë Rilindja Socialiste ka vepruar në dëm të çështjes kombëtare duke u përpjekur ta fusë Shqipërinë në « Ballkanin e Hapur » që është një krijesë e Serbisë dhe ka synim të vendosë hegjemoninë ekonomiko-politike të kësaj të fundit në rajon. Po ashtu « Ballkani i Hapur » dëmton pavarësinë e Kosovës, në kushtet ku pavarësia e saj nuk është njohur nga Serbia. Qeveria socialiste shqiptare nuk ka reshtur së bëri presion mbi Kosovën që edhe ajo të futet në « Ballkanin e Hapur » pa u njohur më parë Pavarësia, gjë e cila do të dëmtonte përfundimisht çështjen kombëtare shqiptare. Pavarësisht demagogjisë së deklaratave dhe evenimenteve pompoze që nuk sjellin ndonjë përparim real për Kosovën dhe çështjen kombëtare, qëndrimi i qeverisë socialiste në Tiranë ka qenë tejet i rrezikshëm dhe i dëmshëm.
Nga ana tjetër politikat e qeverisë socialiste kanë sjellë largimin e mëse 1 milion shqiptarëve nga Shqipëria në 10 vitet e fundit. Rilindja Socialiste, pasi e ka shkaktuar këtë hemoragji, nuk bën asgjë për ta ndaluar atë, e justifikon atë dhe e quan si diçka krejt normale, dhe madje premton se do të sjellë fuqi punëtore nga vende të tjera për të zëvendësuar atë shqiptare që ikën nga vendi. Është ky një çkombëtarizim i Shqipërisë që edhe Vaso Çubriloviq, autori i planit famëkeq serb për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, do ta kishte zili. Prandaj Rilindja Socialiste sot është një rrezik për kombin shqiptar dhe votuesit duhet ta ndëshkojnë me votën e tyre.
Dhe së fundi Rilindja Socialiste kërcënon edhe demokracinë shqiptare me sistemin që ka krijuar për manipulimin dhe deformimin e votës së Shqiptarëve. Ky sistem u shfaq qartë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021, ku socialistët me anë të patronazhistëve, dhënies së paligjshme të fondeve nga buxheti i shtetit në periudhën zgjedhore që është e barabartë me blerjen e votës, arritën të manipulojnë dhe deformojnë votën e shqiptarëve. Edhe në këto zgjedhje, ende pa filluar fushata, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar tashmë përdorimin nga partia socialiste të evenimenteve publike për fushatë elektorale, gjë e cila është e ndaluar me ligj. Me këto metoda Rilindja Socialiste rrezikon të vendosë në Shqipëri një diktaturë neo-komuniste, e cila do ta kthente mbrapa në kohë dhe do t’i risillte tragjedi të reja Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Për këto arsye zgjedhjet e 14 majit nuk janë thjesht vendore, por thellësisht politike dhe do të jeni preludi i zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025. Në to luhet fati i demokracisë shqiptare dhe i kombit shqiptar. Prandaj i ftojmë nacionalistët shqiptarë të votojnë për Ballin Kombëtar, për forcat nacionaliste, pro opozitës dhe kundër kandidatëve të Rilindjes Socialiste.

Xhemil Meço

Author

Back to Top