Serbia do të heq dorë nga Kosova kur ta kuptojë se Shqiptarët janë në gjendje ta mbrojnë vetë

Aktualiteti Comments Off

Pas Luftës së Kosovës në vitin 1999, kjo e fundit me ndihmën e NATO-s arriti të shkëputet nga sundimi barbar serb dhe në 17 Shkurt të vitit 2008 shpalli Pavarësinë. Më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me Ligjin Ndërkombëtar.

Pavarësia e Kosovës njihet sot nga më shumë se gjysma e shteteve antare të OKB-së, përfshirë këtu vendet më të mëdha demokratike si SHBA, Anglia dhe vendet e Bashkimit Europian (BE) me përjashtim të 5 prej tyre. Pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga Rusia dhe KIna të cilat e kanë bllokuar njohjen e Kosovës nga OKB. Pavarësia e Kosovës nuk njihet nga Serbia, por është njohur nga të gjitha vendet e tjera kufitare: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Që prej vitit 2010, me dakordësinë e OKB dhe kujdesin e BE, Kosova është futur në bisedime të « normalizimit të marrëdhënieve » me Serbinë. Por këto bisedime nuk kanë sjellë pothuajse asgjë, vetëm se janë përdorur nga Serbia për të minuar Pavarësinë e Kosovës.


Serbia e konsideron gjithmonë Kosovën si një krahinë të sajën, përkohësisht nën kontrollin e OKB-së bazuar në rezolutën 1244 të OKB-së. Kurse Kosova e konsideron veten të pavarur bazuar në Shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i saj më 17 shkurt 2008 dhe konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.


Natyrisht që këto bisedime nuk mund të funksionojnë dhe nuk mund të sjellin asnjë zgjidhje. Shkaku i vetëm që Serbia merr pjesë në to është vetëm për të fituar kohë dhe për tër përfituar edhe nga ndonjë gabim i Kosovës.


Serbia shpreson se më vonë mund të krijohet një situatë ku ajo të mund ta rifusë nën sundimin e saj Kosovën, megjithëse ajo bëri ndaj shqiptarëve krimet më të tmerrshme për t’i spastruat etnikisht. Por ku bazohet kjo shpresë donkishoteske e Serbisë?


Kjo bazohet thjesht në mendimin se Shqiptarët e Kosovës nuk janë në gjendje të mbrohen vetë. Serbia konsideron se në Luftën e Kosovës ajo u mund nga NATO dhe jo nga Shqiptarët. Serbia konsideron se nëse trupat e KFOR-it një ditë nuk do të jenë në Kosovë, ajo do ta ketë rrugën e hapur për ta pushtuar Kosovën.


Pikërisht për këtë arsye Serbia përpiqet të fitojë kohë duke pritur që situata ndërkombëtare të ndryshojë në favor të saj. Nga ana tjetër Serbia bën një fushatë të vazhdueshme dhe një luftë speciale për të bindur botën por sidomos fuqitë e mëdha që kanë njohur Kosovën, që të ndryshojnë qëndrim.
Natyrisht që sot jemi larg një situate të tillë dhe gjasat që KFOR-i të largohet nga Kosova janë, fatmirësisht për Shqiptarët, të vogla. Por si Shqiptarë këto planë të Serbisë duhet të na shqetësojnë dhe të përgatitemi dhe të mendojmë për të ardhmen.


Situata ndërkombëtare ndryshon ngadalë por vazhdimisht. Askush nuk e besonte që Anglia do të dilte nga BE, por ja që ndodhi. Askush nuk e besonte që Rusia mund të sulmonte Ukrainën, por ja që ndodhi. Ekuilibrat janë prishur në botë por edhe në Europë dhe mund të ketë ndryshime. Nuk jemi më as në periudhën e Luftës së Ftohtë, as në periudhën pas saj. Ekuilibra të rinj po vendosen dhe Shqiptarët duhet të mendojnë për vendin që do të zënë.


Dhe Shqiptarët sot ndodhen në një pozicion të favorshëm. Kosova është e pavarur dhe nën mbrojtjen e KFOR-it. Shqipëria është në aleancën e NATO-s. Por nuk mjafton. Shqiptarët duhet të jenë në gjendje të mbrohen vetë dhe shtrohet pyetja shqetësuese: a janë në gjendje ta bëjnë këtë? Kapaciteti ushtarak i Shqipërisë dhe Kosovës nuk duken sot të mjaftueshëm, sidomos në mbrojtjen ajrore. Ka ardhur koha që Shqipëria të mendojë seriozisht për këtë, sepse, ndryshe nga Kosova ajo e ka të drejtën që të blejë avionë luftarakë dhe ta rimëkëmbë forcën e saj ajrore.


Në një kohë që Serbia blen armatim të rëndë nga Kina dhe avionë nga Rusia, është mëse legjitime që edhe Shqipëria të rrisë fuqinë e saj ajrore. Vetëm ekuilibri i forcave mund ta ruajë një paqe afatgjatë në rajon. Dhe përkundrazi, mungesa e ekuilibrit ka shkaktuar shpesh luftra dhe katastrofa njerëzore. « Nëse do paqen, përgatitu për luftë » thotë një shprehje e vjetër latine. « Lufta e Ftohtë » nuk u shndërrua në një luftë të nxehtë pikërisht falë ekuilibrit të forcave të SHBA dhe Bashkimit Sovjetik.

Por a i ka Shqipëria mundësitë financiare të blejë avionë? Duhet besuar se po, nëse është në gjendje blejë satelitë sipas të thënave të kryeministrit të saj. Nga ana tjetër ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s kanë rënë dakord të përdorin 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Brut (PBB) për nevojat e mbrojtjes. Sipas Bankës Botërore PBB i Shqipërisë për vitin 2020 është gati 15 miliardë USD që do të thotë që Shqipëria mund të shpenzojë teorikisht deri në 300 milionë USD për mbrojtjen.

Sipas webfaqes Global Fire Power (https://www.globalfirepower.com/) që boton çdo vit fuqinë ushtarake të 142 vendeve, buxheti i Mbrojtjes së Shqipërisë në vitin 2022 është 192 milionë dollarë (USD), pra rreth 100 milionë USD më pak se rekomandimi i NATO-s. Nëse Shqipëria do ta rriste buxhetin e saj të mbrojtjes deri në 2 përqind të PBB, mund ta përdorte buxhetin shtesë për rimëkëmbjen e forcës së saj ajrore. Duhet kujtuar se Serbia për vitin 2022 ka një buxhet prej 1 miliard USD.


Nga ana tjetër forca ajrore e Serbisë ka 117 avionë dhe helikopterë kurse Shqipëria 19 helikopterë dhe zero avionë!!!! Është më se e kuptueshme që Serbia është e joshur nga ideja që të presë me durim derisa një situatë e re të krijohet në botë dhe ndërkombëtarët të largohen nga Kosova. Dhe atëherë Serbia do ta kishte fare të thjesht që ta pushtonte Kosovën, sepse as Kosova dhe as Shqipëria nuk do të kishin fuqinë e nevojshme ajrore për t’u mbrojtur. Natyrisht që Kosova do të paraqiste një rezistencë shumë të fortë tokësore, por kemi parë se fati i luftrave moderne përcaktohet nga ajri.

Shembulli i qëndresës së Ukrainës ndaj agresionit rus tregon se një vend i vendosur të mbrojë tokën e tij mund t’i rezistojë një fuqie shumë më të madhe. Por të mos harrojmë se Ukraina nuk lufton vetëm me pushkë, por ka një ushtri të mirë-organizuar dhe ka përdorur forcën e saj ajrore, e cila megjithëse më e vogël se ajo e Rusisë, ka arritur suksese të mëdha. Ukraina ka përdorur gjithashtu me sukses teknologjitë e reja të luftës dhe informacionin të cilat duket se janë me po aq rëndësi në luftrat moderne.

Natyrisht që nuk mund të pritet që qeveria aktuale socialiste të rrisë buxhetin e Mbrojtjes dhe të mendojë për fuqizimin e forcës ajrore, sepse veprimet e saj, sidomos hyrja në « Ballkanin e hapur », tregojnë se ajo në të vërtetë nuk synon të mbrojë interesat kombëtare. Por opozita e re shqiptare, duhet t’i japë rëndësinë e duhur kësaj çështje dhe të marrë masat e duhura sapo të vijë në pushtet.

Vetëm kur ta kuptojë se Shqiptarët janë në gjendje ta mbrojnë vetë Kosovën, Serbia do të heq dorë nga Kosova dhe do të shikojë punën e saj.

Xhemil Meço

Author

Back to Top