Si e përvetësuan komunistët shqiptarë Luftën e Gjormit

Aktualiteti, Diktatura komuniste, Historia, Lufta 1939-1944, Pushtimi fashist Comments Off

Gjormi është një fshat i Vlorës që ndodhet në anë të Shushicës ose siç i thonë ndryshe lumit të Vlorës. Në këtë vend nga data 28 dhjetor 1942 deri më 3 janar 1943 është zhvilluar një nga betejat më të suksesshme të rezistencës shqiptare kundër pushtuesit italian. Në këtë betejë morën pjesë 1600 forca nacionaliste nën drejtimin e komandantit të Ballit Kombëtar Hysni Lepenicës. Mori pjesë gjithashtu edhe një çetë partizane me 50 veta.
Forcat armike, mbi 3000, ishin të përforcuara me artileri të rëndë dhe makina të blinduara. Të vendosur në pozicione të forta rreth Gjormit, forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar luftuan armikun dhe pas katër ditë luftimesh të ashpra e detyruan atë të dorëzohet; pas kësaj atij i erdhën përforcime të reja dhe arriti të tërhiqet duke lënë pas ( sipas të dhënave të BK) 186 të vrarë, të plagosur dhe robër, 3 topa, 29 mitraloza, 318 pushkë, 22 arka me municion dhe shumë materiale të tjera, së bashku me komandantin, kolonel Franco Clementi.
Kjo betejë pati një rëndësi të madhe sepse ishte hera e parë që forcat e rezistencës shqiptare thyenin një ushtri italiane të armatosur me mjete të rënda në një luftë frontale. Forcat e Ballit Kombëtar në vazhdimësi të kësaj fitoreje madhështore, do të zhvillonin me sukses beteja të tjera kundër forcave italiane : Beteja e Greshicës (Mallakastër) në 5 shkurt 1943, Beteja e Ruzhdijes më 11 deri në 13 mars 1943 e shumë beteja të tjera të cilat e tronditën pushtimin itialian dhe çliruan krahina të tëra të Shqipërisë së jugut.
Natyrisht që historiografia komuniste nuk e përmend kurrë luftën e Ballit Kombëtar kundër pushtuesit italian. Por betejat e zhvilluara nga nacionalistët i përvetëson në mënyrën më të paskrupullt. Rasti më flagrant është pikërisht ai i betejës së Gjormit për të cilën folëm më sipër. Ja si e përshkruan historiografia komuniste këtë betejë :
« … Komiteti qarkor i Partisë për Vlorën dha kushtrimin që armiku të pritej me luftë. Së bashku me partizanët, u ngritën më këmbë me armë në dorë rreth 1500 fshatarë trima të Vlorës, të Kurveleshit e të Mallakastrës dhe me qindra të tjerë u vunë në gatishmëri. Forcat kryengritëse u drejtuan nga Hysni Kapo. Luftimet më të ashpra u zhvilluan në afërsi të fshatit Gjorm. Me luftën heroike të partizanëve dhe të popullit të armatosur, me gjithë tradhtinë e një çete balliste që dezertoi nga fronti i luftës, mësymja e armikut u ndal dhe u thye më 1 janar. Forcat partizane më 2 janar kaluan në sulm kundër forcave armike, që ishin rrethuar në fshatin Gjorm. Fashistët pësuan disfatë duke lënë në fushën e betejës më se 60 të vrarë bashkë me komandantin e operacionit, Klementis….»

Siç shihet propaganda komuniste forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar i quan « fshatarë trima » dhe nga ana tjetër akuzon se « një çetë balliste paska dezertuar », kur aty ka patur 1600 forca balliste. Dhe më në fund as e përmendin fare Hysni Lepenicën, por e zëvendësojnë me Hysni Kapon!

Lufta e Gjormit nuk është e vetmja që përvetësuan komunistët. Shumë beteja të tjera të Ballit Kombëtar janë përvetësuar nga partia komuniste , disa të tjera janë lënë qëllimisht në harresë dhe nga ana tjetër çdo betejë e partizanëve është glorifikuar në maksimum. E vërteta është se në luftën kundër italianëve Balli Kombëtar ka qenë forca kryesore e rezistencës dhe ka luajtur një rol kryesor, gjë të cilën komunistët janë përpjekur t’ia fshehin shqiptarëve dhe botës së jashtme me anë të propagandës së tyre dhe rishkrimit të historisë siç iu duhej atyre në kohën e diktaturës. E kush do t’i kundërshtonte, duke patur parasysh se ai që do të guxonte të bënte këtë të paktën do të dënohej me 10 vjet burgim për « agjitacion dhe propagandë ».

Sot ka ardhur koha që shqiptarët të mësojnë të vërtetën për luftën çlirimtare dhe rezistencën e shqiptarëve ndaj pushtimit të huaj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Historianët e vërtetë, dhe jo ata të dalë nga shkolla e marksizëm-leninizmit, duhet të hulumtojnë me kujdes atë periudhë kritike për kombin shqiptar dhe t’ia tregojnë të vërtetën shqiptarëve, sepse vetëm kështu brezat që vijnë mund ta kuptojnë historinë e tyre dhe të mësojnë nga ajo.

Balli Kombëtar ka qenë një nga përfaqësuesit më të fuqishëm dhe të pastër të nacionalizmit shqiptar. Duke sulmuar BK, komunistët kanë sulmuar vetë nacionalizmin dhe kombin shqiptar në momente shumë kritike për të. Historia e dekadave të fundit na ka treguar se këto goditje i kanë sjellë dëme të mëdha kombit shqiptar, prandaj duhet të ndalen. Edhe sot i shohim pasardhësit e komunistëve që me projekte si « Ballkani i hapur » ta luftojnë me zell nacionalizmin shqiptar dhe kombin shqiptar dhe të vendosen kundër intersave kombëtare dhe në anën e gabuar të historisë.

Ka ardhur koha që kjo marrëzi të marrë fund. Shqiptarët duhet t’i japin fund njëherë e mirë aventurës komuniste dhe t’iu kthehen vlerave thjesht kombëtare. Vetëm kështu mund të krijojnë një të ardhme më të mirë, të sigurt dhe të begatë. Për fat të mirë Shqiptarët sot e kanë mundësinë që ta vendosin të ardhmen e tyre nëpërmjet votës. Por duhet të dinë dhe të zgjedhin për kë të votojnë. Shqiptarët nuk duhet të votojnë më për bijtë e komunistëve që i gënjejnë dhe i mashtrojnë me një copë bukë, të cilën ua marrin përsëri sapo mbarojnë punë. Ka ardhur koha që Shqiptarët të votojnë për njerëz të rinj, që vlerat kombëtare dhe demokratike i vendosin mbi gjithçka. Ka ardhur koha që Shqiptarët të votojnë për shërbestarë të Kombit!

Xhemil Meço

Author

Back to Top