Mocion për shkarkimin e kryeministrit Edi Rama

Aktualiteti Comments Off

Në takimin e fundit të nismës së « Ballkanit të hapur » në Beograd nën drejtimin e presidentit të Serbisë Vuçiç dhe me pjesëmarrjen e tre vendeve nënshkruese Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kryaministri Rama, pasi ngriti në qiell vlerat e kësja nisme, i bëri sërish thirrje Kosovës që t’iu bashkohet. Jo vetëm kaq, por edhe kërcënoi Kosovën se nuk do të kishte më prioritet në marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë ! Dhe këtë prioritet do ta kishte sigurisht Serbia.

Është ky një qëndrim i papërgjegjshëm si nga pikëpamja kombëtare, ashtu edhe shtetërore, qëndrim i cili shkon kundër edhe nenit 8/1 të Kushtetutës së Shqipërisë i cili thotë: « Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. »

Nisma e « Ballkanit të hapur » është hapur kundër interesave të shqiptarëve të Kosovës, sepse dëmton vullnetin e tyre për të jetuar të pavarur nga Serbia. Institucionet e Kosovës janë shprehur qartë kundër kësaj nisme të cilën kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përpiqet t’a imponojë duke shkuar deri në kërcënime të turpshme.

Nisma e « Ballkanit të hapur » është qartësisht kundër Kosovës, sepse Serbia kërkon ta përdor këtë nismë vetëm për ta ri-futur Kosovën nën sundimin e saj. Nëse Serbia do të ishte e sinqertë për këtë nismë, do ta kishte njohur tashmë Kosovën.

Kjo nismë është anti-shqiptare sepse krijon kushtet që Serbia të fus nën dominimin e saj ekonomik por më vonë edhe politik të të gjitha trojeve shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.

Është e qartë se Kosova nuk mund të pranojë të futet në « Ballkanin e hapur » dhe në asnjë marrëveshje tjetër me hapje kufijsh pa u njohur më parë nga Serbia, e cila nga ana e saj nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën por kërkon ta fusë në këtë nismë si krahinë serbe të administruar përkohësisht nga OKB. Kjo do të thotë se Kosova nuk do të hyjë kurrë në nismën e « Ballkanit të hapur ».

Atëherë përse Edi Rama këmbëngul dhe sa herë që ka rastin i kërkon Kosovës të futet në « Ballkanin e hapur » ? Ndoshta është megallomania, budallallëku, interesi apo të gjitha së bashku. Por rezultati mund të jetë tejet i rrezikshëm për kombin shqiptar, sepse për herë të parë, pas 20 vitesh afrimi kombëtar, qëndrimet e kryeministrit Rama mund të sjellin fundin e këtij afrimi dhe ndryshimin e kësaj tendence.

Edi Rama e paraqet veten si « patriot » dhe deklaron se ka ëndërr bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Por si mund të jetë e vërtetë kjo, kur veprimet e tij sjellin një efekt diametralisht të kundërt ? Si mund të bashkohet Kosova me Shqipërinë në « Ballkanin e hapur » të dominuar nga Serbia ? Si mund të thotë Edi Rama se kjo nismë do të hapë kufijtë midis Kosovës dhe Shqipërisë kur ajo hap edhe kufijtë midis Serbisë dhe Kosovës? Por çfarë është Kosova, han me dy porta ? A e di Edi Rama se hapja e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë siç e parashikon « Ballkani i hapur », pa njohjen paraprake të Kosovës nga Serbia, do të thotë fund i Pavarësisë së Kosovës?

Edi Rama merr guximin të shkojë edhe më larg se babai i tij shpirtëror Enver Hoxha. Ky i fundit ia la Kosovën Serbisë, e ndihmoi madje që ta mbyste rezistencën kosovare në vitet 1944-1945. Por megjithëse filloi bashkimin doganor, monetar dhe ekonomik me Jugosllavinë, nuk i shkoi deri në fund kur pa se « shokët » jugosllavë deshën ta zëvendësonin me njerëz më të besuar. Kurse sot Edi Rama, pa asnjë nevojë apo detyrim të dukshëm, jo vetëm që i « fal » Kosovën Serbisë, por e fut edhe Shqipërinë dhe si rrjedhojë gjithë kombin shqiptar nën sundmin ekonomiko-politik të Serbisë.

Jemi sot larg kohëve kur Edi Rama me « heroizëm » thoshte në mes të Beogradit se « Kosova është e pavarur ». Nuk është më koha e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë me flamuj kuqezi tre kate të lartë. Ka ardhur koha e mbledhjeve të « Ballkanit të hapur » me flamuj serbë dhe maqedon dhe me këngëtarë e këngë serbe në Korçë.

Kjo tregon se « patriotizmi » i Edi Ramës është i rremë dhe i rrezikshëm. Po ashtu edhe megallomania, arroganca tipike komuniste dhe demagogjia e këtij personazhi në pamje të parë atipik, por në të vërtet mëse i zakonshëm në vazhdën e politikanëve të vegjël dallkaukë që ka njohur Shqipëria në historinë e saj.

Ka ardhur sot koha që shqiptarët ta largojnë nga pushteti i vjedhur këtë uzurpator të paskrupullt. Do të ishte mirë, për hir të së ardhmes demokratike që aspirojnë shqiptarët, që të gjendeshin mekanizma institucionalë për ta larguar nga pozita e kryeministrit Edi Ramën.

Deputetët e opozitës e kanë mundësinë sot që të kërkojnë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Edi Rama. Kushtetuta e Shqipërisë ua jep këtë të drejtë me nenin 105/1 i cili thotë:
« Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri. »
Kjo do të thotë se 28 deputetë e kanë mundësinë sot ta këkojnë këtë mocion. Duke qenë se opozita numëron sot plot 63 deputetë, ky mocion është plotësisht i mundur.

Arsyet e këtij mocioni për shkarkimin e kryeministrit Edi Rama janë më se të qarta : deklarata dhe veprimtari anti-kushtetuese dhe anti-kombëtare në lidhje me Kosovën dhe interesat e Shqipërisë në kuadrin e nismës së « Ballkanit të hapur », kërcënime ekonomike ndaj Kosovës, prioritet i marrëdhënieve ekonomike me Serbinë dhe jo me Kosovën, por edhe inkurajim i shkeljes së ligjit për të dhënat personale sensitive kur ka dalë hapur në përkrahje të « patronazhistëve ». Pa folur pastaj për rrezikimin e demokracisë me tjetërsimin e vullnetit të votuesve në zgjedhjet e 25 prillit, me kapjen e të gjitha pushteteve, me përdorjen e fondeve publike për përfitime elektorale, dhe si përfundim keqpërdorjen e fondeve publike duke thelluar borxhin publik.

Për të gjitha këto arsye, Edi Rama duhet të largohet nga funksioni i kryeministrit të Shqipërisë dhe do të ishte në nderin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që ta realizonin këtë me votën e tyre sa nuk është shumë vonë.

Xhemil Meço

 

Author

Back to Top