Edi Rama vazhdues i traditës anti-kombëtare të komunizmit shqiptar

Aktualiteti 0 Comment

Në daten 21 dhjetor perfundoi në Tiranë takimi i 3-të i të ashtuquajturit « mini-Shengen ballkanik » midis presidentit të Serbisë, kryeministrit të Maqedonisë, presidentit të Malit të Zi dhe kryeministrit të Shqipërisë. Dy takimet e meparshme ishin zhvilluar në Novi-Sad dhe në Ohër dhe takimi tjetër është parashikuar të mbahet në Beograd pas një muaji. Qëllimi i këtyre takimeve është krijimi i një hapësire ballkanike midis vendeve të sipër përmendura ku njerëzit dhe mallrat të qarkullojnë lirisht.
Kosova, pavarësia e së cilës nuk është njohur nga Serbia, refuzoi të merrte pjesë në këtë takim, qëllimi i të cilit ngjan shumë me krijimin e një Jugosllavie të re. Për më tepër një marrëveshje e tillë do ta detyronte Kosovën të hiqte dorë nga një nga mundësite e pakta që ka për të afirmuar sovranitetin e saj : kontrollin e kufijve.
Nga ana tjetër, mos-pjesëmarrja e Kosovës në një marrëveshje të tillë rajonale e izolon atë dhe e ndihmon Serbinë në përpjekjet e saj për të mohuar pavarësinë e Kosovës.
Pikërisht për këtë arësye Shqipëria nuk duhet të kishte marrë pjesë në këtë marrëveshje. Jo se duhet refuzuar bashkëpunimi rajonal. Por sepse nuk është momenti për Kosovën dhe Shqipërinë. Në një situatë ku Serbia nuk pranon pavarësinë e Kosovës, Shqipëria nuk duhet të bënte asnjë marrëveshje direkte me Serbinë dhe duhet të kishte gjithmonë një qëndrim të përbashkët me Kosovën.
Për këtë arësye qëndrimi i kryeminstrit në detyrë të Shqipërisë Edi Rama duket i çuditshëm dhe i ndryshëm nga qëndrimi zyrtar i Shqipërise që prej Luftës së Kosovës në vitin 1999. Në atë kohë Kosova ra pre e spastrimit të egër etnik nga ana e Serbisë së Sllobodan Millosheviçit si pasojë e të cilit humbën jetën mbi 10 mijë shqiptarë të Kosovës dhe u detyruan të lënë vatrat e tyre 900 mijë të tjerë.
Por ky qëndrim i kryeministrit Edi Rama kuptohet më lehtë po të shikosh nga vjen kryeministri shqiptar dhe çfarë përfaqëson ai. Edi Rama vjen nga elita komuniste e Shqipërisë qe tradicionalisht ka mbajtur një qëndrim anti-kombëtar.
Në radhë të parë që në fillimet e tij komunizmi shqiptar u ndihmua nga Serbia, dy të dërguarit e së cilës Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç luajtën një rol më se aktiv në krijimin e partisë komuniste shqiptare në vitin 1941 dhe në fitoren e revolucionit komunist në Shqipëri më 1944.
Më pas komunistët shqiptarë, nën presionin e të dërguarve të Serbisë, tradhëtuan marrëveshjen e Mukjes të nënshkruar me nacionalistët shqiptarë në gusht 1943 për arësyen e vetme sepse në këtë marrëveshje përmendej lufta për Shqipërinë etnike, pra për çlirimin e Kosovës.
Më keq akoma, në fund të Luftës njësi të ushtrisë komuniste shqiptare shkuan në Kosovë për të luftuar gjoja kundër « elementeve reaksionarë », në fakt për të ndihmuar Serbinë që të rivendoste sundimin në Kosovë.
Këto akte anti-shqiptare kulmuan me masakrën e Tivarit ku me mijra kosovarë të çarmatosur u shoqëruan nëpër Shqipërinë e veriut për të arritur në Tivar ku u masakruan nga ushtria jugosllave. E gjithë kjo me bashkëpunimin e komunistëve shqiptarë që nuk patën asnjë reagim për këtë tragjedi të vëllezërve të tyre të një gjaku.
Pas fitores së komunizmit, Shqipëria për pak sa nuk u kthye në një republikë të shtatë të Jugosllavisë. Komunistët shqiptarë pranuan në vitin 1947 diçka të ngjashme me atë që pranon Edi Rama sot, heqjen e doganave midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë si një hap i parë drejt « bashkimit në të gjitha fushat : parti, ekonomi, ushtri ». Për fat të mirë kjo nuk u realizua, për shkak të kontradiktave midis Stalinit dhe Titos që lindën në atë kohë.
Kur kosovarët vuanin shtypjen dhe dhunën e Serbisë në vitet 1968 apo 1981, komunistët shqiptarë nuk ndiheshin fare, sikur këto ngjarje të ndodhnin në anën tjetër të globit.
Nuk duhet harruar se gjatë diktaturës komuniste, rinia ushqehej me frymën anti-kombëtare të « internacionalizmit proletar ». Nacionalizmi dhe nacionalistët konsideroheshin « reaksionarë » dhe armiq. Zbehja e ndjenjës kombëtare ishte deri në atë pikë sa që në organet e shtypit shqiptar, mund të lexoje fjali të tipit « vëllezërit kinezë dhe miqtë nga Kosova ». Në periudhën e rënies së diktaturës komuniste, situata ishte e tillë që rinia e Shqipërisë nuk arrinte ta kuptonte se si kosovarët luftonin për flamur !!
Me këtë frymë është formuar dhe Edi Rama. Prandaj nuk është aspak i papritur qëndrimi i tij ndaj në raportet me Serbinë dhe çështjen kombëtare shqiptare dhe posaçërisht Kosovën.
Elita komuniste shqiptare nga e cila vjen Edi Rama interesohet vetëm për pushtetin të cilin e konsideron si një të drejtë të trashëguar. Komunistët nuk e kuptojnë çështjen kombëtare, për ta ajo është thjesht një mjet propagande në shërbim të pushtetit. Dikur e luftonin nacionalizmin me të gjitha mjetet. I kanë vrarë dhe persekutuar përfaqësuesit e nacionalizmit pa mëshirë. Pas Luftës së Kosovës në vitin 1999, kur ndjenja kombëtare pati një ngritje te shqiptarët, e kanë përdorur nacionalizmin për të fituar dhe konsoliduar pushtetin. Kurse sot kanë kurajon të dalin përsëri hapur kundër Kosovës, sepse ndihen mjaft të fuqishëm dhe fundi i fundit e kanë konsoliduar pushtetin e tyre.
Një qeveri e përgjegjshme shqiptare, duhet të mbante gjithmonë të njëjtin qëndrim me Kosovën, aq më tepër në çështje që prekin direkt Kosovën. Dhe jo të bëntë lojën e armiqve të kombit shqiptar.
Kosova e ka vuajtur në kurrizin e saj dhunën e Serbisë, dhe nesër ajo do të jetë ne vijën e parë të frontit nëse Serbia do të tentojë të dërgojë ushtrinë. Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka të drejtën morale të diktojë politikën kosovare, sidomos kur ajo është hapur kundër interesave kombëtare shqiptare.
Në një demokraci të vërtetë një kryeministër që bën një veprim të tillë duhet të jepte menjëherë doreheqjen dhe të përgjigje përpara organeve kompetente. Por është e qartë se kjo nuk ka për të ndodhur me një përfaqësues të denjë të komunizmit shqiptar, i cili do të përpiqet t’i shkojë deri në fund politikës së tij anti-kombëtare.
Por kohët kanë ndryshuar. Nuk jemi më në vitin 1944. As diktatura komuniste nuk do të rivendoset, dhe as Kosova nuk do të rikthehet më nën sundimin e Serbisë.
Ka ardhur koha e kombit shqiptar, i cili me votën e lirë dhe të guximshme do t’i heq nga rruga e tij reliket e diktaturës komuniste dhe do të shkojë përpara drejt vendit që i takon në histori.

Author

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.

Back to Top