Mefailat e Zajazit, luftëtarë të paepur për liri e bashkim kombëtar

Mefailat e Zajazit, luftëtarë të paepur për liri e bashkim kombëtar

Lufta 1939-1944, Maqedonia Perëndimore 0 Comment
Xhafer Sadiku

Deri në maj 1944, influenca e komunistëve në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, ishte e pakët çka kishte bërë që të rriteshin ndjenjat kombëtare të popullsisë dhe forca e nacionalistëve, veçanërisht në tokat shqiptare nën Jugosllavi, të cilat i ishin kthyer Shqipërisë. Kjo e shqetësonte Partinë Komuniste të Jugosllavisë.
Më 23 mars 1944, shtabi i korpusit të II të Ushtrisë Partizane Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, i dërgonte një telegram udhëheqjes së Partisë Komuniste Shqiptare ku shprehte shqetësimin se: “… reaksionarë prej Shqipërisë së Veriut – të udhëhequr prej Komitetit të Kosovës na krijojnë vështirësina të mëdhaja… mbajnë front kundrejt kufinit të ri e krijuar prej okupatorit të Shqipërisë së Madhe…”.
Ata theksonin se së bashku me komunistët e Kosmetit merrnin përsipër çdo gjë që ta thyenin atë bllok në Kosmet e Shqipërinë e Veriut, por nuk mund të ndërmerrnin operacione të mëdha ushtarake operative.
Ndër luftëtarët më të shquar për liri e bashkim kombëtar ishin Mefailët e Zajazit, Xhem Gostivari dhe luftëtarë të tjerë në trevat e Shqipërisë Veriore e Verilindore.

Projekti i PKJ për tokat shqiptare

Komunistët jugosllavë theksonin se reaksionarët shqiptarë kishin sukses në bashkimin e popullit të Shqipërisë së Veriut e Verilindjes në luftë kundër tyre, dhe e kishin bindur popullin “që neve jemi për çështjen serbe e komuniste…”
Korparmata jugosllave e bënte të qartë edhe qëllimin e luftës dhe qëndrimin e tyre mbi tokat shqiptare nën Jugosllavi, që asokohe i ishin bashkuar Shqipërisë:
“…asnjë pëllëmbë e tokës sonë për lirimin e së cilës na luftojmë qysh tre vjet dhe japim bijtë tonë më të mirë të vendit tonë, nuk do të lëmë kërkënd e aq më shumë atyre që kanë mujtë me grabitë krahinat tona me mbështetjen e grupeve t’okupimit”.
Ata i kërkonin udhëheqjes komuniste shqiptare të lëshonin një trakt për këto krahina, sepse theksonin ata, “… këto proklamata do të plotësojshin dhe do të ishin fitimtare për të dy palët”.
Situata politike dhe ushtarake për partizanët jugosllavë ishte dëshpëruese sidomos në rajonet e Dibrës, Strugës, Kiçovos, Gostivarit dhe Tetovës, pasiqë sipas tyre, kishte masa të mëdha shqiptarësh në luftë kundër ushtrisë nacionalçlirimtare jugosllave. Forcat shqiptare ishin nën komandën e Mefailëve të Zajazit e Xhem Gostivarit.

Bashkëpunimi i komunistëve shqiptaro-maqedonë kundër Mefailave të Zajazit e Xhem Gostivarit

Për të organizuar luftën kundër formacioneve të Mefailave të Zajazit e Xhem Gostivarit, në maj 1944, u largua për në ato vise Dushan Mugosha, që kishte një përvojë të pasur në organizimin e luftës së komunistëve shqiptarë.
Me mbërritjen e Mugoshës, shtabi partizan i Maqedonisë dërgoi forca të mëdha për të goditur forcat nacionaliste të Mefailit të Zajazit dhe Xhem Gostivarit, të cilët i rezistuan sulmit.
Më 18 maj 1944, Shtabi maqedon i dërgoi një letër Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë nacional-çlirimtare shqiptare, ku e udhëzonte se si duhej të bashkëpunonin kundër “reaksionarëve shqiptarë”.
Në letrën e përgjigjes të 14 qershorit 1944, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë nacional-çlirimtare shqiptare, Enver Hoxha, theksonte:
“… jemi të mendimit që veprimet tona ushtarake në sektorët e Dibrës, Peshkopisë, Librazhdit, Strugës, Kiçovos, Gostivarit dhe Tetovës të bëhen të kombinuara dhe të përcaktohen nga një shtab i përbashkët operativ i përbërë prej delegatëve të shtabit tuaj dhe të shtabit të Divizionit I -rë sulmues tonit. Një mënyrë veprimi e tillë do të jetë një grusht i rëndë për okupatorin dhe tradhtarët … Nga ana tjetër do të jetë faktori kryesor i çelikosjes së vëllazërimit të popujve të Jugosllavisë e veçanërisht të popullit maqedon me atë të Shqipërisë”.
Letra e Hoxhës ishte aprovim pikë për pikë i asaj që kërkonin komunistët maqedonë, madje ai caktoi edhe personat të cilët do të hartonin plane të përbashkëta me komunistët maqedonë.
Ata kryen operacione të përbashkëta kundër Mefailit të Zajazit dhe Xhem Gostivarit ku pati shumë të vrarë e të plagosur.
Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë nacionalçlirimtare dhe detashmenteve partizane të Maqedonisë, në komunikatën për territorin shqiptar nën Jugosllavi, njoftonte se: “… në Dibër njësi të Nacionalçlirimtares nën komandën e Haxhi Lleshit bënë luftë me sukses kundër Xhem Gostivarit, Mefailit dhe tradhtarëve të tjerë shqiptarë…” Neve -theksonte Shtabi maqedon, “duhet të forcojmë suksesin që patëm në Kiçevo dhe në Dibër dhe të godasim pa mëshirë tradhtarët Xhem Gostivari dhe Mefailët”.
Ndërkohë, Korpusi i Dytë i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë po marshonte drejt Kosovës e Shqipërisë së Veriut.
_______________
AQSH, FO. 41, viti 1944, dosja 13
AQSH, FO. 41, Viti 1944, dosja 53
AQSH, FO. 41, Viti 1944, dosja 135
AQSH, FO. 41, Viti 1944, dosja 136

Author

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.

Back to Top