Çfarë kërkojnë në të vërtetë protestuesit ?

Aktualiteti Comments Off

Sot është dita e 20-të e protestave në Tiranë ku marrin pjesë me mijëra shqiptarë. Ka disa gjëra që bien në sy në këto protesta: pjesëmarrja masive e rinisë, karakteri mbarëpopullor dhe karakteri mbarëkombëtar. Në fakt protestat në Tiranë janë shoqëruar me protesta të emigrantëve shqiptarë në të katër anët e botës: në SHBA, Gjermani, Angli, Itali, Zvicër, Belgjikë, Francë etj.

Por cili është shkaku dhe cili është qëllimi i këtyre protestave? Çfarë kërkojnë protestuesit? Për të kuptuar më mirë, le të shikojmë parrullat dhe thirrjet e këtyre protestave.

Në radhë të parë, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës: thirrjet dhe pankartat “Rama jepe dorëheqjen” apo “Dorëheqje”, mbizotërojnë gjithandej. Sepse protestuesit mendojnë se Edi Rama është shkaktari kryesor, por jo vetëm, i situatës së krijuar në Shqipëri, ku rinia shqiptare nuk ka mundësi dhe hapësira të jetojë por detyrohet që të lerë vendin e saj dhe të marrë rrugët e emigracionit.

Thirrjet të tjera janë: “Shqipëria nuk është në shitje”, “Shqipëria e Shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”. Ato tregojnë refuzimin e protestuesve që Shqipëria të shitet copa-copa nga Edi Rama për interesa personale dhe të kastës së tij. Sigurisht që Shqipëria është e të gjithë Shqiptarëve dhe një njeri apo disa njerëz nuk mund të vendosin për fatin e gjithë një kombi!

Boshatisja e vendit nga Shqiptarët, e konstatuar në 13 vitet e pushtetit Rama, është një rrezik vdekjeprurës për kombin shqiptar dhe këtë e ka kuptuar rinia shqiptare e cila nuk dëshiron të largohet nga Shqipëria, por është e vendosur ta ndërtojë të ardhmen aty. Por protestuesit kanë kuptuar edhe diçka tjetër: për të ndërtuar një Shqipëri ku rinia shqiptare të mund të ndërtojë të ardhmen e saj, do të duhet edhe rinovimi i klasës politike aktuale, e cila është përgjegjëse për gjendjen ku ndodhet sot vendi. Kjo klasë politike ka treguar se bashkëjeton me korrupsionin dhe e përdor atë për interesa të saj. Kjo klasë politike ka shumë pak patriotizëm apo ndjenjë kombëtare dhe nuk ka asnjë vizion të vërtetë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve. E vetmja gjë që ajo di të bëjë është mbajtja e pushtetit për veten e saj, duke bërë çdo gjë për të penguar rinovimin e klasës politike në Shqipëri. Prandaj shumë parrulla drejtohen kundër kryetarëve të dy partive kryesore: “Rama n’burg, Berisha n’burg”, ose klasës politike në përgjithësi: “Revolucion” apo “Shqipëri e re”, duke kërkuar ndryshimin dhe rinovimin e klasës politike, gjë cila nuk mund të bëhet pa ndryshuar më parë sistemin zgjedhor.

Një tjetër thirrje e brohoritur shpesh është “Shqipëri Etnike” e cila tregon aspiratën e rinisë shqiptare për bashkim kombëtar, në një moment kur kombi shqiptar ndodhet në një nga momentet e tij më të vështira për shkak të shpopullimit aktual dhe kur Kosova dhe troje të tjera shqiptare ndodhet vazhdimisht nën rrezikun e fqinjve tanë agresivë.

Është me rëndësi të shënohet solidarizimi i emigrantëve shqiptarë në shumë vende të botës me protestat në Tiranë. Në përkrahje të tyre, emigrantët kanë organizuar shumë protesta në vendet ku jetojnë. Madje disa prej tyre kanë shkuar edhe në Shqipëri për të marrë pjesë në protesta. Emigrantët, megjithëse janë larguar nga Shqipëria, zemrën dhe mendjen e kanë atje, shpresojnë të kthehen një ditë, dhe nuk mund ta shikojnë vendlindjen e tyre të boshatiset nga Shqiptarët dhe të shitet copa-copa nga sundimtarë anti-shqiptarë.

Por parrulla “Edi Rama Dorëheqje” është ajo kryesorja e cila i bashkon të gjithë protestuesit. Dorëheqja e Edi Ramës shikohet si hapi i parë dhe kushti sine quo non për të kaluar në hapat e tjerë. Edi Rama deri tani nuk i është përgjigjur kësaj kërkese dhe shpreson se protestuesit do të lodhen, do ta ndalin protestën dhe ai do të vazhdojë i qetë projektet e tij në dëm të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Por kjo nuk ka për të ndodhur. Sepse punët në Shqipëri i ka marrë në dorë rinia. Dhe kur punët i merr në dorë rinia, nuk tiran apo diktator që t’i bëjë ballë.

Përpara Rini Shqiptare!

Xhemil Meço

Author

Back to Top