Sistemi Rama, shkatërruesi i ëndrrës shqiptare
Aktualiteti 13 Qershor, 2026, Comments OffMe rënien e komunizmit në Shqipëri, në fillim të viteve ’90, Shqiptarët shpresuan se tashmë Shqipëria do të ishte një vend i lirë dhe demokratik. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte aspirata e parë më e madhe në atë kohë. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi nga Serbia gjatë viteve ’90, të cilat u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës në vitin 1999, ngjallën tek shqiptarët aspiratën tjetër të madhe: atë të bashkimit kombëtar. Gjatë viteve ‘2000 Shqipëria bëri hapa të vendosur drejt këtyre dy aspiratave, ndoshta jo me shpejtësinë e duhur, por në drejtimin e duhur.
Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet në vitin 2013 çdo gjë ndryshoi. Shqiptarët nuk e panë me shumë dyshim ardhjen e tij në pushtet. Menduan se ndoshta pak ndryshim nuk do të ishte keq. Dhe se pas një apo dy mandatesh, do të fitonte një forcë e re politike dhe do të kishim një rotacion të pushtetit. Por zgjedhjet e vitit 2021, ku Edi Rama “fitoi” mandatin e tretë, e përgënjeshtruan këtë dhe i shqetësuan shqiptarët. Të cilët kuptuan se tashmë Edi Rama kishte ndërtuar një sistem i cili nuk lejonte më rotacionin e pushtetit. Sistem i bazuar tek patronazhistët, vjedhja dhe abuzimi i burimeve shtetërore nga militantë partiakë si dhe tek grupet kriminale. Sistem i cili i lejonte Edi Ramës të nxirrte rezultatin zgjedhor që dëshironte ai. Madje, në zgjedhjet e viteve 2021 dhe 2025, Edi Rama u tregonte shqiptarëve rezultatin e saktë të zgjedhjeve disa ditë para zgjedhjeve!
Zgjedhjet e vitit 2025 treguan se sistemi Rama ishte konsoliduar dhe demokracia kishte rënë në Shqipëri. Punët kishin vajtur deri atje, sa ky sistem deformoi edhe votën e diasporës, e cila tradicionalisht është kundër tij. Është tashmë e qartë për të gjithë Shqiptarët se Edi Rama nuk largohet me votë sepse në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira.
Ardhja në pushtet e Edi Ramës goditi edhe endrrën tjetër shqiptare, atë të bashkimit kombëtar. Si fillim Edi Rama bëri rolin e patriotit. Në një konferencë në Beograd tha para gazetarëve se Kosova është e pavarur. Por çdo gjë përfundoi këtu. Koha tregoi se kjo nuk ishte veçse një retorikë boshe, sa për të veshur njëherë kostumin e “patriotit”. Nuk pati asnjë veprim konkret, asnjë masë në favor të pavarësisë së Kosovës. Madje ndodhi e kundërta. Edi Rama filloi të sulmonte drejtuesit politikë të Kosovës. Arriti deri aty sa të hidhte në gjyq kryeministrin e Kosovës. Nga ana tjetër u afrua shumë me presidentin e Serbisë dhe bashkëpunoi me të. Në vitin 2021 u fut në nismën e “Ballkanit të hapur” të ndërmarrë nga Serbia në vitin 2019. Jo vetëm kaq, por i bëri presion Kosovës që të futej në këtë nismë, në një kohë që Serbia nuk e njeh pavarësinë dhe kufijtë e Kosovës! Sigurisht që Kosova, e cila e ka larë me gjak tokën e saj në luftë kundër Serbisë, nuk e pranoi këtë çmenduri, por kjo ishte një goditje e rëndë kundër saj. Dhe jo vetëm, sepse “Ballkani i hapur” rrënoi edhe prodhuesit shqiptarë përballë prodhimeve që futen pa doganë nga Serbia.
Sistemi Rama, nën maskën e zhvillimit, prej vitesh po grabit pasuritë shqiptare, ose për t’ua dhënë biznesmenëve të partisë, ose për t’ua shitur të huajve. Ky sistem nuk lejon zhvillimin normal të vendit, nuk lejon zhvillimin e shtresës së mesme, por i detyron të rinjtë shqiptarë që të marrin rrugët e emigrimit nëpër botë. Dhe shifrat janë tronditëse. Gati 1 milionë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria që nga viti 2013 kur Edi Rama erdhi në pushtet. Sepse sistemi Rama nuk i lë asnjë mundësi rinisë shqiptare në vendin e vet. Shqipëria po shndërrohet në një vend ku shqiptari nuk ka më vend. Ose duhet të jesh militant i sistemit Rama, ose i huaj. Sistemi Rama po vret dita-ditës të ardhmen e rinisë shqiptare, po vret endrrën shqiptare për liri, për demokraci, për drejtësi, për bashkim kombëtar dhe për begati.
Shkatërrimi i ëndrrës shqiptare, i të ardhmes shqiptare, është shkaku i vërtetë i protestave të cilat zhvillohen çdo ditë, që prej dy javësh, në Tiranë. Kjo duket mjaft qartë nga parrullat dhe pankartat e protestës. E gjithë rinia shqiptare, pa dallim feje krahine apo ideje, merr pjesë në këtë protestë popullore.
Edi Rama bën sikur nuk e kupton shkakun e protestës dhe mundohet ta paraqesë atë si një keqkuptim apo si një keq-informim. Ai mendon dhe shpreson se protestuesit do të lodhen, se protesta do të shuhet. Por Edi Rama gabon rëndë. Se kjo protestë nuk do të ndalet pa e detyruar Edi Ramën të japë dorëheqjen! Kjo protestë nuk do të ndalet pa e rrëzuar sistemin e korruptuar dhe anti-shqiptar Rama! Kjo protestë nuk do të ndalet pa risjellë zgjedhjet e lira në Shqipëri!
Përpara rini shqiptare!
Xhemil Meço