Koha për Shqipërinë e Shqiptarëve

Aktualiteti Comments Off

Prej një jave, me mijëra protestues çdo mbrëmje mbushin rrugët e Tiranës me flamuj kombëtar dhe me pankarta ku shprehin kërkesat e tyre. Midis tyre shikon shumë të rinj, prindër me fëmijë por edhe mosha të tjera. Shumë prej tyre mbajnë qeleshen apo plisin tradicional me shqiponjën dykrenore. Një pamje me të vërtetë mbresëlënese që flet shumë për këto protesta. Folësit marrin fjalin me radhë për të shpjeguar arsyet dhe kërkesat e protestës dhe për të kaluar më mirë mesazhin shqiptojnë kërkesa që përsëriten në kor nga protestuesit. Një nga parrullat që dëgjohet më shpesh është “Shqipëria e Shqiptarëve”, parrullë e cila e shpreh më së miri burimin dhe arsyet e protestës: sot rinia shqiptare e ka të pamundur ta ndërtojë jetën në vendin e saj, sepse qeveria Rama ia mbyll çdo mundësi duke e trajtuar Shqipërinë si një pronë private të sajën të cilën mund t’a shesë copa-copa sipas interesit të saj.

Protesta nisi pas dhunës në Zvërnec të Vlorës ndaj protestuesve që ishin kundër vendosjes së një gardhi dhe telave me gjemba në bregdetin e Zvërnecit dhe Pishë-Poros. Qeveria Rama u ka dhënë leje ndërtimi investitorëve të huaj për komplekse turistike në këtë zonë, pa marrë parasysh se kjo është një zonë e mbrojtur, por edhe pa pyetur dhe konsultuar shqiptarët. çdo gjë e bërë pa transparencë, pa respektuar ligjet dhe rregullat, vetëm me vullentin dhe “ekspertizën” e Edi Ramës.

Por Zvërneci ishte vetëm pika e ujit që derdhi gotën. Sistemi Rama ka vite që i rrëmben Shqiptarit të pambrojtur tokën për t’ia dhënë investitorëve të partisë socialiste ose të huajve. Vetëm pak përpara protestës së Zvërnecit banorët e Rrjollit në Shkodër kanë protestuar për tokat që iu janë marrë me marifete administrative nga sistemi Rama në kuadrin e “Paketës së Maleve” për t’ia dhënë një investitori. Me pretekste të ndryshme administrative kjo qeveri ka prishur edhe shumë ndërtime të bëra me mund nga shqiptarët për t’ua dhënë investitorëve të “partisë”, siç ka qenë para një viti rasti i Thethit.

Sistemi Rama po e vendos ekonominë shqiptare nën varësinë e tij personale dhe të “partisë”. Ky sistem e detyron rininë shqiptare të marrë rrugët e emigrimit sepse ajo nuk gjen mundësi të ndërtojë jetëne saj në Shqipëri. Nga ana tjetër sistemi Rama garanton pushtetin e tij duke i siguruar “fitoren” partisë socialiste me anë të “biznesmenëve” të partisë, përdorimit të fondeve dhe burimeve publike dhe si përfundim të bandave kriminale të lidhura me të. Duke e shkatërruar në këtë mënyrê demokracinë shqiptare dhe duke e çuar vendin drejt një regjimi diktatorial.

Sistemi Rama është duke i përvetësuar të gjitha pasuritë e Shqipërisë ose duke ua shitur ato të huajve për interesa të tij ekonomike ose politike. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore e protestave në Tiranë. Duket qartë se protestuesit nuk janë një grup uniform, ata kanë pikëpamje dhe origjina të ndryshme. Por të gjithë i bashkon shqetësimi për Shqipërinë e cila po shitet copa-copa. “Shqipëria nuk është në shitje” – është një tjetër parrullë që shikohet shpesh dhe i referohet faktit se Edi Rama e trajton Shqipërinë si një pronë private.

Por kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e Edi Ramës. Deri tani Rama është përgjigjur me arrogancë se nuk do të dorëhiqet. Prandaj edhe protesta do të vazhdojë deri në dorëhqjen e tij. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe qytete të tjera, si Korça, Elbasani, Shkodra etj. por edhe shumë shqiptarë të diasporës, në Itali, Gjermani, Angli, Belgjikë, SHBA etj, të cilët sistemi Rama i ka detyruar të lënë vendin e tyre.

Edi Rama mendon se protesta do të kalojë, se protestuesit do të lodhen, se ai do të arrijë përsëri t’i gënjejë shqiptarë me batuta me aftësitë e tij prej aktori komik. Por gabohet rëndë. Sepse rinia shqiptare më në fund i ka marrë punët në dorë. Dhe askush në botë, asnjë fuqi, asnjë tiran apo diktator nuk e përballon dot rininë kur ajo vendos të marrë në dorë fatet e saj. Shqiptarët dhe rinia shqiptare e dijnë mirë se ky është momenti i fundit kur mund t’a shpëtojnë Shqipërinë dhe do të shkojnë deri në fund protetstave deri në dorëheqjen e Ramës dhe hapjen e një epoke të re për Shqipërinë. Sepse Shqipëria është e rinisë shqiptare, sepse aty ajo do të ndërtojë të ardhmen e saj dhe të fëmijëve të saj.

Përpara Rini Shqiptare!

Xhemil Meço

Author

Back to Top