Disa Dëshmorë të Ballit Kombëtar
Lufta 1939-1944 18 Maj, 2026, Comments OffNë vijim është një listë e disa anëtarëve të Ballit Kombëtar të rënë për Shqipërinë në luftë kundër pushtuesit. Kjo nuk është listë përfundimtare: këtu përmenden vetëm një numër i vogël. Nacionalizmi shqiptar ka paguar një çmim të lartë me gjak për kauzën e lirisë më se 5000 burra janë vrarë në këtë luftë. Nga ata 2500 u vranë duke luftuar italianët dhe gjermanët, dhe 3000 u vranë kur luftonin komunistët. Të mos flasim pastaj për 5000 shqiptarët e Kosovës të vrarë në Bihor nga Drazhistët në janar 1942. Kemi përmendur këtu disa nga masa e panjohur e atyre njerëzve që vdiqën me qëllim që të jetojë Shqipëria.
Dëshmorët e Tiranës dhe të Durrësit
1.Besnik Çano 2. Qeramudin Sulo – Studentë universitarë me guxim të rrallë. Punonin në shtypin klandestin me aftësi dhe dëshirë. I kryenin detyrat e tyre me vetëmohim dhe modesti. U vranë nga komunistët në tetor 1943, gjatë një misioni të rëndësishëm për forcat e Ballit Kombëtar në jug.
- Ali Peza, nxënës 16 vjeçar, punonjës i guximshëm dhe propagandist i zellshëm. U vra nga gjermanët gjatë një aksioni për marrjen e municioneve nga një depo gjermane, janar 1944.
- Haki Menzelxhiu punëtori i palodhur dhe gjithnjë buzagaz, që dilte vullnetar për shumë punë të ndryshme. Ai i frymëzonte të gjithë të punonin dhe asnjëherë nuk lodhej të kryente porosi të rëndësishme. Shumë aktiv në radhët e rinisë së Tiranës. U vra në rrethana misterioze në nëntor 1943.
- Hamit Troplini. Vullnetar në batalionin “Besnik Çano”; luftëtar i guximshëm. Luftoi në Kosovë kundër sllavëve që po sulmonin kufijtë tanë atje. Ai ra në fushën e nderit, duke shënuar me gjakun e tij kufijtë e Shqipërisë etnike, në Morinë të Pejës në korrik 1944.
- Imran Banka
- Vlash Mima. Nxënës të Liceut të Tiranës, vullnetarë të batalionit “Besnik Çano” Ranë në fushën e nderit duke luftuar kundër komunistëve, që e sulmuan pabesisht batalionin ndërsa po luftonte me gjermanët në 1944 në Prezë.
- Ramazan Picalli. Komandonte një çetë të Ballit Kombëtar në zonën e Tiranës. Luftoi trimërisht kundër italianëve dhe milicëve dhe u vra në prill 1943.
- Ismail Petrela. I pari që mori malet në prefekturën e Tiranës. Luftoi disa herë kundër italianëve. Luftëtar i patrembur. I ndihmoi komunistët në kohë të vështira. U vra prej tyre kur ata hynë në Tiranë.
Dëshmorë të Shkodrës
- Inxhinier Mustafa Dervishi. Profesor në Liceun e Shkodrës. Kishte mbledhur rreth 50 njerëz nga universiteti rreth Ballit Kombëtar në Shkodër. Punoi shumë për të bashkuar rininë. Kreu detyra të guximshme dhe i shërbeu organizatës në rrethana të vështira. Kryetar i rinisë balliste të Shkodrës. U vra nga italianët në Shkodër, në 26 korrik 1943.
- Seit Seknej. La studimet universitare për të ardhur dhe për t’i shërbyer vendit dhe organizatës. Punoi me vetëmohim dhe guxim. U kap nga gjermanët kur po transportonte me makinën e tij armë dhe municione për rininë balliste të Shkodrës dhe u vra nga xhandarmëria në qershor 1944.
- Shaban Reçi. Djali i bajraktarit të Reçit (Shkodër). Luftoi trimërisht kundër italianëve se bashku me Jup Kazazin kur italianët sulmuan Reçin dhe u vra në atë betejë më 30 gusht 1943.
Dëshmorë të Vlorës
- Hysni Lepenica. Kaloi një pjesë të jetës duke luftuar dhe në burg. Luftoi italianët më 1920. Ishte i pari që iu ngjit malit së bashku me Skënder Muçon kundër italianëve në vitin 1942. Drejtoi dhe luftoi në betejën e Gjormit, Greshicës, Ruzhdijes, dhe shumë të tjera dhe u dallua për trimëri të rrallë, guxim të patundur dhe vetëmohim. Luftoi gjermanët në Gjirokastër. U caktua komandant i forcave të Ballit Kombëtar për jugun. U vra pabesisht nga italianët në Grihot (Gjirokastër) së bashku me 38 komandantë çetash në 14 shtator 1943. Njerëzit e tij morën hak, por për Ballin Kombëtar kjo ishte një humbje e pazëvendësueshme. Komunistët grisën edhe lajmërimet e vdekjes që kishte shpërndarë Balli Kombëtar nëpër Tiranë!
- Skënder Muço Anëtar i komitetit qendror, shkrimtar dhe luftëtar. Luftoi në Gjorm, Greshicë, Ruzhdije, kundër italianëve dhe në Bestovë dhe aeroportin e Gjirokastrës kundër gjermanëve. Ai predikonte me aftësi të rrallë besimin tek e ardhmja e kombit tonë dhe tek demokracia. Luftoi gjithashtu edhe kundër komunistëve në Plloçë. U vra barbarisht nga gjermanët në Bubullimë të Lushnjës më 12 gusht 1944.
- Aziz Çami. Ai jetoi në luftë, në mërgim, dhe në burg. Luftëtar trim i luftës së Vlorës të 1920-ës. U kthye nga mërgimi për t’i shërbyer vendit, dhe ai i shërbeu si burrë. Italianët e burgosën dhe internuan dhe kur e liruan, ai iu ngjit malit. Luftoi italianët në betejat e Gjormit, të Qafës së Dushkut, dhe në Dukat. Ai urdhëroi mobilizimin e përgjithshëm të forcave të Ballit Kombëtar në Vlorë kundër gjermanëve, kundër të cilëve luftoi në Bestrovë, Drashovicë, Mavrovë dhe Sevaster. Komunistët, të cilët kishte guxuar kushedi sa herë t’i lironte nga burgu, ia shpërblyen duke e vrarë në nëntor 1943. Dhe ashtu i vdekur, e përbuzën dhe qeshën me të në spitalin e Tiranës!
- Prof. Yzeir Ismaili. Drejtor i liceut të Korçës dhe anëtar i komitetit rajonal të Ballit Kombëtar. Gjatë pushtimit italian vuajti në burg dhe në kampe përqendrimi. Për një kohë ishte kryetar i komitetit të Ballit Kombëtar për Vlorën. Mori pjesë në betejën e Betrovës kundër gjermanëve dhe në ato të Tragjasit dhe Gjormit kundër komunistëve. U vra nga gjermanët së bashku me Skënder Muçon dhe Zako Mezinin më 12 gusht 1944.
- Zako Mezini. Sekretar thesari për komitetin e Ballit Kombëtar të Vlorës dhe misionar i nacionalizmit nëpër male e fshatra. Luftoi me guxim kundër italianëve dhe gjermanëve. Shtëpia e tij shërbeu si shtab i Ballit Kombëtar. U vra nga gjermanët që bashku me Skënder Muçon dhe Yzeir Ismailin në 12 gusht 1944.
- Aziz Sharra. Nga familja e mirënjohur patriote Sharra. Ndër vullnetarët e parë kundër italianëve dhe i luftoi ata me trimëri në Topallti të Vlorës. U vra nga të kuqtë në 8 tetor 1943, në Vlorë.
Dëshmorë të Beratit
- Jashar Cakrani. Nga një familje e njohur patriotike e Mallakastrës, doli malit që në vitin 1942 për të luftuar pushtuesin dhe iu dha komanda e një çete të zgjedhur që luftoi heroikisht në betejën e Ruzhdijes. Jashar Cakrani u dallua në atë betejë, që mbajti lart nderin e armëve të nacionalizmit shqiptar, dhe atje u vra. Beteja e Ruzhdijes kundër italianëve u zhvillua në 13 mars 1943.
- Selfo Hekali. Student universitar, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe mori malet për të luftuar pushtuesin italian. Mori pjesë në shumë sulme dhe ra në 18 qershor 1943, duke luftuar kundër italianëve dhe tradhtarit Isa Toska në fshatin Luar të Mallakastrës.
- Veli Rehova. Komandant i batalionit vullnetar “Abdyl Frashëri”, mori pjesë në shumë luftime kundër italianëve, sidomos në betejën e Shpiragës, ku edhe u shqua. U vra në dhjetor 1944, duke luftuar komunistët.
- Sherif Prishta. Patriot i vjetër, mori pjesë në lëvizjen nacionaliste si i ri dhe tani ishte komandant i çetës së Ballit Kombëtar në Prishtë. Mori pjesë në sulmet kundër italianëve. U vra pabesisht nga komunistët në dhjetor 1943.
- Fetah Gurazezi. Luftëtar i vjetër, qe ndër të parët që hyri në Ballin Kombëtar dhe një nga shokët e pandarë të prof. Abaz Ermenjit. Mori pjesë në betejën e Beratit (gusht 1943) dhe çeta e tij i shkaktoi shumë humbje armikut. Ra duke luftuar komunistët, në janar 1944, në Qaf Dardhë të Tomorricës.
- Hysen Jaho. Një nga burrat trima të Nahijes (Berat). Ishte ndër të parët që luftoi italianët. Ra në Kapinovë, mars 1944, duke luftuar kundër komunistëve që kishin sulmuar pa asnjë lloj provokimi.
- Qamil Hysa. Ndër të parët që hyri në organizatë dhe që luftoi italianët, që i dëmtoi shumë. Ishte komandant i batalionit vullnetar “Tafil Buzi”. Ra në mars 1944 duke sulmuar forcat e kuqe në Kiçok.
- Ibrahim Çela. Doli në mal të luftonte kundër italianëve që në vitin 1942. Ishte komandanti i një batalioni të Ballit Kombëtar dhe u dallua në luftë kundër armikut. U vra nga komunistët, që i kishin zënë pusi kur po shkonte në fshatin Cakran në qershor 1944.
- Sami Gjergova. La studimet universitare dhe doli në mal për të luftuar pushtuesin. U vra në vitin 1943 nga komunistët sepse ishte në kontakt me misionin ushtarak britanik, që ishte në Vithkuq.
Dëshmorë të Korçës
- Prof. Safet Butka. Ai i edukon nxënësit dhe i përgatit kundër rrezikut që e kërcënonte atdheun nga Italia, udhëheq demonstratat e prillit të 1939-ës dhe me elokuencën e tij ushqen urrejtjen që duhet të ndjejnë shqiptarët për italianët. Organizon demonstratat e nxënësve, më 28 nëntor 1939 në Tiranë, kundër italianëve. E arrestojnë dhe e internojnë në Itali për rreth 3 vjet, pas të cilëve kthehet në Shqipëri dhe merr malin në vitin 1942, në krye të lëvizjes nacionaliste në zonën e Korçës. I duhet të organizojë dhe në të njëjtën kohë, të luftojë. Që në fillim i detyron italianët të tërheqin xhandarët, policët dhe milicët e tyre nga fshatrat, dhe të mblidhen në fortifikime nëpër qytete. Kështu bëhet një pengesë e madhe për komunistët, që dëshironin ta kishin për vete të gjithë zonën. Drejtoi personalisht aksionin kundër divizionit italian që po largohej nga Korça. Kishte kontakte me misionin britanik dhe u përpoq t’i bindte për nevojën e një qeverie jashtë Shqipërisë të njohur zyrtarisht, për shkak të sakrificave të popullit shqiptar. U vuri në dukje punën djallëzore të Partisë Komuniste dhe faktin që ajo ishte rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë Evropën. I dëshpëruar nga vëllavrasja dhe lufta civile që po shpërthente në Shqipëri, vrau veten në 9 nëntor 1943.
- Dhimitër Falo. I rritur dhe edukuar jashtë vendit, kishte mësuar ta donte atë edhe më shumë dhe i kushtoi gjithë aftësitë e veta. Ishte ndër vullnetarët e parë kundër pushtuesit dhe shkoi kudo për të ngjallur dhe ruajtur frymën revolucionare të popullit shqiptar. Ishte tmerri i kundërshtarëve të tij. Kishte karakter të fortë dhe guxim. Në fillim të vitit 1944 u caktua me një mision politik delikat jashtë Shqipërisë. Po e përfundonte atë me sukses, kur e vranë komunistët në Korçë më 31 korrik 1944.
- Ing. Ksenofin Xhori Ai nxiti popullin e Sarandës kundër italianëve. E internuan për një vit në Itali. Në vitin 1942 ishte anëtar i komitetit rajonal të Ballit Kombëtar të Korçës. Merrej me furnizimin e çetave, duke rrezikuar çdo ditë jetën e vet. Në qershor 1943 vdiq në male nga lodhja dhe vështirësitë.
- Kalo Rusi Ndër vullnetarët e parë nacionalistë në zonën e Leskovikut. U dallua në luftën kundër një njësie gjermane dhe u vra në korrik 1943.
- Shefqet Pojani. Luftëtar i bindur, e kishte kthyer fshatin e tij të Pojanit në një çerdhe heronjsh që ishin një kërcënim serioz për ushtrinë italiane. U vra nga të kuqtë më 20 gusht 1943.
- Toger Zija Gashi
- Dr. Hadi Kasimati
- Hytbi Velisha
- Dilo Graca
- Feti Verlemi
- Hilmi Suli
- Josif Frashëri. Djem të rinj plot me entuziazëm, ishin ngjitur në male për t’i shërbyer mëmëdheut me fjalë e vepra. Në zonën e Devollit, ku punuan shumë për dy vjet, fituan respektin dhe dashurinë e njerëzve dhe të luftëtarëve të lirisë, për të cilët ishin udhëheqës të vërtetë. U vranë të gjithë nga komunistët teksa kryenin një mision në shtator 1944.
- Baba Zylfo
- Sabri Panariti
- Refat Goskova
- Sotir Prifti
- Xhevdet Bulgareci
- Bexhet Bulgareci
- Lefter Luarasi
- Sade Dëshniku
- Vangjel Joti
- Demir Staravecka
- File Backa
- Xhelal Kurtesi
- Hajredin Orgocka
- Shefqet Butka
- Hysen Caco. Të gjithë punëtorë të palodhur të nacionalizmit me të kaluar patriotike dhe ishin shokë të afërt të Safet Butkës. U sakrifikuan për idealin kombëtar ose duke luftuar armikun, ose të vrarë pabesisht nga të kuqtë.
Dëshmorët e Gjirokastrës
- Nano Gjoni Nëntoger, u bë anëtar i Ballit Kombëtar në qershor 1942. Ishte komandant i njësitit gueril të quajtur “Çelo Picari” që bëri shumë sulme kundër ushtrisë italiane. Kishte dalë malit më 1940. Ra në betejën e Grihotit, afër Gjirokastrës, me 13 shtator 1943, së bashku me të birin dhe 11 anëtarë të tjerë të çetës së tij, duke luftuar italianët që nuk donin të dorëzoheshin.
- Agim Selfo. Nxënës 17-vjeçar, nga familja e njohur patriotike e Xhevdet Selfos, ra në betejën e Grihotit më 13 shtator 1943. Ishte përgjegjës i njësitit rinor të Ballit Kombëtar në Gjirokastër.
- Avokat Emin Kokalari. Një nga të parët që mori pjesë në lëvizjen kombëtare dhe u bë anëtar i Ballit Kombëtar. U zgjodh anëtar i komitetit të Ballit Kombëtar për Gjirokastrën. U arrestua dhe ekzekutua pa gjyq nga komunistët në Gjirokastër, më 25 nëntor 1943.
- Safedin Hadëri. Anëtar i komitetit të Ballit për Gjirokastrën. U burgos nga italianët në gusht 1943 për veprimtaritë e tij anti-italiane dhe u lirua pak përpara kapitullimit të Italisë, kohë kur iu ngjit malit dhe vazhdoi veprimtaritë e tij anti-italiane. U vra në 18 nëntor 1943 nga komunistët në Gjirokastër.
- Muzafer Shehu. Ishte dervish i sektit të kadrit dhe merrej me çështje fetare. U zgjodh anëtar i komitetit të Ballit Kombëtar për Gjirokastrën. U burgos nga italianët dhe u lirua pak përpara kapitullimit të Italisë. Më 18 nëntor 1943 u vra së bashku me të birin 15 vjeçar, anëtar i rinisë së Ballit nga komunistët në Gjirokastër, të cilët ia dogjën edhe shtëpinë.
- Tare Kalo. Profesor i gjimnazit të Gjirokastrës. Për shkak të veprimtarive të tij anti-italiane, iu desh të merrte malet në korrik 1943. Ishte komisar politik i forcave të Ballit Kombëtar në zonën e Gjirokastrës. Me 18 nëntor 1943 komunistët arrestuan dhe ekzekutuan babanë e tij 70 vjeçar, Boço Kalo, dhe u përpoqën ta arrestonin dhe atë; ai rezistoi në shtëpinë e vet dhe në luftim e sipër u vra nga komunistët. Të njëjtën ditë, përveç atyre që kemi përmendur më sipër, komunistët arrestuan dhe ekzekutuan edhe 14 nacionalistë të tjerë nga banorët e Gjirokastrës, ndonëse asnjë prej tyre nuk bënte pjesë në Ballin Kombëtar.
- Ahmet Lesko. Nacionalist i vjetër nga një familje me tradita në luftë për pavarësinë e Shqipërisë. Mori pjesë në luftën e Vlorës kundër italianëve më 1920. U bë anëtar i Ballit Kombëtar që nga fillimet e themelimit të tij dhe ishte anëtar i komitetit krahinor të Delvinës. Ishte gjithashtu komandant i batalionit vullnetar Nimet Abazi të Rezomaves, që bëri shumë aksione kundër italianëve. Në nëntor 1943 u plagos për vdekje gjatë një beteje në Qafën e Kiçokut, ku çeta e tij u sulmua nga komunistët.
- Rukmedin Dino. Student universiteti, doli në mal në gusht 1943. Ishte anëtar i orëve të para të Ballit Kombëtar. Më 3 nëntor 1943 merrte pjesë në një sulm kundër garnizonit italian të Libohëvës, kur u sulmua papritur nga komunistët, që e kapën dhe e vranë me disa prej shokëve të tij vetëm sepse ishin nacionalistë!
- Selahedin Çabej. Prefekt i Tropojës. Ishte një nga anëtarët e parë dhe të vendosur të Ballit Kombëtar. Pranoi postin e nën-prefektit të zonës malore të Tropojës që t’i shërbente nacionalizmit duke mbajtur nën mbikëqyrje kufirin etnik të asaj ane. Ai përbuzte rrezikun dhe kërcënimet. Komunistët vendosën se ishte armiku numër një për ta dhe e vranë në janar 1944 thjesht për t’u bërë qejfin sllavëve përtej kufirit.
Burimi: “Rreth aktivitetit të Ballit Kombëtar kundër okupatorit”, botim i Ballit Kombëtar në Emigracion, Shkurt 1945