Çështja kombëtare sot

Aktualiteti Comments Off

Pas përpjekjesh dhe sakrificash të shumta të patriotëve të Rilindjes Kombëtare, Shqipëria arriti të shpallë Pavarësinë e saj më 28 Nëntor 1912 në Vlorë ku Ismail Qemali ngriti flamurin e kuq me shqiponjën dykrenore. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare, përfshirë Kosovën dhe Çamërinë. Por Konferenca e Londrës në vitin 1913 i njohu Shqipërisë vetëm gjysmën e tokave shqiptare, 28750 km2, dhe dy të pestat e popullsisë së tyre, rreth 900 mijë frymë. Duke lënë jashtë kufirit të shtetit të ri shqiptar në verilindje Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Maqedoninë Përëndimore me Dibrën, Tetovën, Gostivarin, në veri Ulqinin, Tivarin, Krajën, Shestanin, pjesë të Malësisë së Madhe dhe të Anamalit, në juglindje Kosturin, Follorinën, Manastririn, në jug Janinën, Çamërinë me Filatin, Paramithinë, Margëlleçin, Pargën, Gumenicën, Prevezën etj.
Natyrisht që shqiptarët u zhgënjeyn nga kjo padrejtësi ndaj kombit të tyre. Ismail Qemali tentoi që ta ndryshonte këtë ndarje dhe të rikthente në shtetin shqiptare tokat e pushtuara dhe rrëmbyer me forcë fqinjët armiqësorë dhe të njohura nga Konferenca e Londrës. Po pa sukses, sepse Shqipëria nuk e kishte forcën e nevojshme ushtarake dhe as aleatë të fuqishëm ndërkombëtarë.
Nacionalistët shqiptarë i vazhduan sistematikisht përpjekjet për korrigjimin e kësaj padrejtësie gjatë shekullit të kaluar. Pika kulmore e këtyre përpjekjeve ka qenë Lufta e Dytë Botërore, ku si pasojë e zhvillimeve të asaj kohe, Kosova dhe Maqedonia Perëndimore dolën përkohësisht nga sundimi serbo-sllav.
Në prill 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Në këto kushte nacionalistët shqiptarë me Mithat Frashërin në krye krijuan Ballin Kombëtar, një organizatë politiko-ushtarake nacionaliste e cila si program të saj kishte Dekalogun. Ky program kishte si qëllim jo vetëm çlirimin nga pushtimi i huaj por edhe bashkimin e të gjitha tokave shqiptare, përfshirë ato të shkëputura nga Konferenca e Londrës, në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar, thënë ndryshe në Shqipërinë Etnike. Kjo përcaktohej në pikën e dytë të Dekalogut ku thuhet: « Luftojmë për një Shqipëri të Lirë, Etnike, demokratike, me bazë shoqërore moderne. »
Organizata « Balli Kombëtar » pati përkrahje të gjerë nga shqiptarët në Shqipërinë londineze por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore. Në verën e vitit 1943 ajo ishte forca më e madhe e rezistencës kundër italianëve me rreth 10 mijë trupa dhe kishte zhvilluar beteja të suksesshme kundër pushtuesit të huaj italian në të gjithë Shqipërinë. Në gusht 1943 Balli Kombëtar nënshkroi një marrëveshje me partinë komuniste shqiptare për luftë të përbashkët për çlirimin e Shqipërisë dhe për Shqipërinë Etnike. Por kjo marrëveshje, e njohur në histori si « Marrëveshja e Mukjes », u tradhëtua vetëm një muaj më pas nga komunistët shqiptarë të cilët kontrolloheshin nga partia komuniste jugosllave. Pasoi një Luftë Civile midis forcave nacionaliste dhe atyre komuniste ku këto të fundit arritën të fitojnë, nuk u interesuan më për Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, madje ndihmuan edhe Jugosllavinë komuniste të ripushtonte këto toka shqiptare.
Çështja kombëtare shqiptare pësoi kështu një goditje të rëndë dhe u harrua brenda Shqipërisë për dekada me radhë. Por ajo vazhdoi të mbahej gjallë në mërgim nga shqiptarët dhe nacionalistët që komunizmi largoi me dhunë nga Shqipëria. Balli Kombëtar e vazhdoi aktivitetin e tij në  Perëndim në formën e një « Komiteti Kombëtar».
Ndërkohë, të ndodhur nën shtypjen dhe dhunën e regjimit jugosllav, Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë kurrë nuk i ndalën përpjekjet e tyre kombëtare. Këto përpjekje u bënë dhe më të fuqishme me ardhjen në fuqi të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç i cili tentoi t’u heq Shqiptarëve në Kosovë çdo të drejtë kombëtare.
Shqiptarët e Kosovës reaguan fillmisht ndaj heqjes së të drejtave kombëtare me shpalljen e « Republikës së Parë të Kosovës » në vitin 1990 dhe duke krijuar institucionet paralele në kuadrin e një rezistence paqësore. Serbia reagoi duke shtuar represionin dhe duke dërguar trupa të shumta policore dhe ushtarake. Në këto kushte rezistenca paqësore nuk ishte më e mjaftueshme, prandaj Shqiptarët e Kosovës u organizuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe filluan rezistencën e armatosur me shumë guxim dhe sakrifica përballë ushtrisë serbe e cila ishte e armatosur mirë edhe me mjete të rënda.
Në vitet 1998-1999 ushtria serbe ndërmori një gjenocid dhe spastrim etnik ndaj Shqiptarëve të Kosovës, si pasojë e të cilit 1 milionë shqiptarë, ose më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare u detyrua të largohet nga trojet e tyre stërgjyshore drejt Shqipërisë londineze dhe Maqedonisë. Për fatin e mirë të Shqiptarëve, aleaca ushtarake e NATO-s duke e parë se çfarë po ndodhte, vendosi të ndërhyjë dhe të mos e lejojë këtë spastrim etnik ndaj tyre. Më 24 mars 1999, NATO sulmoi trupat serbe dhe pas 78 ditësh i detyroi të largohen nga Kosova, e cila u çlirua përfundimisht nga sundimi serb më 10 qershor 1999.
Me 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë e Kosovës e cila tashmë njihet nga një shumicë e vendeve të OKB, por jo nga të gjitha dhe veçanërisht nga Rusia dhe Kina.
Serbia nga ana e saj nuk e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës dhe shprehet qartë se do të tentojë ta ripushtojë atë sapo t’i krijohet mundësia. Sot nuk e bën, sepse Kosova mbrohet nga një forcë e NATO-s, KFOR-i i cili ka mandat të OKB.
Serbia sot po armatoset deri në dhëmbë dhe po bën çdo përpjekje për të destabilizuar shtetin e ri kosovar. Shembulli më i fundit është ai i ashtuquajtur i « Banjskës », ku trupa serbe u infiltruan në veri të Kosovës me qëllimin për t’ia shkëputur kësaj disa komuna dhe për ta tronditur dhe copëtuar Kosovën.
Nga ana tjetër Serbia përpiqet të destabilizojë dhe të shkatërrojë shtetin e ri kosovar me anë të minoritetit serb në Kosovë. Në bisedimet Kosovë-Serbi të cilat janë zhvilluar që prej vitit 2012 nën kujdesin e Bashkimit Europian (BE), Serbia jo vetëm që nuk pranon ta njohë Kosovën, por kërkon shumë lëshime prej saj, si njohjen e autonomisë së minoritetit serb, njohjen e pronave Kishës Ortodokse Serbe etj. Këto kërkesa do t’i shërbenin Serbisë duke e bërë Kosovën shtet jo-funksional dhe duke e lidhur me zinxhirë me anë të të cilëve Serbia do të mund ta fuste sërish nën sundimin e saj nëse Kosova nuk do të kishte më mbrojtjen e vendeve perëndimore. Nuk duhet të harrojmë se Kushtetuta e Kosovës, e hartuar nën kujdesin e ish-presidentit të Finlandës Martti Ahtisaari, është e drejtë dhe e paanshme dhe i jep një maksimum të drejtash si në qeverisjen qendore edhe atë vendore minoritetit serb në Kosovë.
Së fundmi, Serbia bën përpjekje të mëdha për të bindur vendet perëndimore që të heqin dorë nga mbrojtja e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që ajo në të ardhmen të ketë mundësinë të fusë ushtrinë e saj në Kosovë dhe ta ripushtojë atë. Deri tani këto përpjekje nuk kanë dhënë rezultat dhe vendet e perëndimit e kanë mbrojtur me vendosmëri pavarësinë e Kosovës. Por kjo do të thotë që fati i Kosovës varet edhe nga zhvillimet e brendëshme politike në ato vende.
Në fakt fati i Kosovës duhet të varet në radhë të parë nga Shqiptarët e Kosovës por edhe nga të gjithë Shqiptarët kudo që jetojnë, në Shqipëri, në troje të tjera shqiptare apo në emigracion. Por po të shikojmë qëndrimet e Shqiptarëve për çështjen e Kosovës në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi, situata është tejet shqetësuese.
Shqipëria qeveriset sot nga Edi Rama dhe Rilindja Socialiste. Edi Rama ka treguar qartazi se çështja kombëtare nuk i intereson. Marrëdhëniet e tij me shtetin e ri kosovar janë në pikën më të dobët që nga viti 1999. Sot shteti shqiptar i drejtuar nga Edi Rama dhe partia socialiste jo vetëm që nuk bëjnë pothuajse asgjë për ta përkrahur Kosovën, por edhe e dëmtojnë atë me vendimet e tyre. Për shembull Shqipëria është futur në marrëveshjen e Ballkanit të Hapur e cila kryesohet nga Serbia. Kjo marrëveshje jo vetëm që dëmton prodhuesit shqiptarë, por ka për efekt edhe izolimin e Kosovës në rajon.
Nga ana tjetër Shqipëria, si vend i NATO-s, mund të bënte shumë më tepër për mbrojtjen e Kosovës, duke i siguruar asaj armatimin e nevojshëm për t’u mbrojtur nga një sulm i Serbisë. Shqipëria do të duhej të armatosej edhe vetë në mënyrë që t’i vinte në ndihmë Kosovës në rast nevoje. Por Shqipëria këtë nuk e bën dhe situata është e tillë që ajo nuk ka as edhe një avion luftarak atëherë kur Serbia nuk resht së fuqizuari flotën e saj ajrore luftarake. Askush nuk mund ta ndalonte Shqipërinë të krijonte sot një flotë ajrore ushtarake duke parë atë që ndodh në Serbi. Madje rekomandimet e NATO-s janë që vendet antare të rrisin kapacitetet e tyre ushtarake.
Për më tepër, Shqipëria sot qeveriset nga një regjim neo-komunist i cili ka shkatërruar institucionin e zgjedhjeve të lira dhe është duke zaptuar me babëzi të gjitha pasuritë e shqiptarëve, me të vetmin qëllim pasurimin personal dhe partiak. Sigurisht që çështja kombëtare nuk i intereson këtij regjimi dhe nuk mund të pritet asgjë nga ai.
Në përgjithësi klasa politike në Shqipëri, qoftë pozita por edhe opozita të dyja të dala nga komunizmi, nuk e kuptojnë çështjen kombëtare dhe shpesh herë veprojnë në kundërshtim me interesin kombëtar.
Në vend që të mbështetet tek nacionalizmi, opozita kërkon baza të tjera ideologjike, si konservatorizmi, liberalizmi etj. duke harruar se baza e politikës së çdo vendi është nacionalizmi.
Kurse partitë nacionaliste në Shqipëri janë inekzistente. Partitë tradicionale nuk kanë asnjë përfaqësim politik në pushtetin qendror dhe si pasojë nuk mund ta promovojnë çështjen kombëtare. Këto parti ka kohë që nuk kanë asnjë peshë politike dhe pothuajse janë kthyer në shoqata pa asnjë rol politik ku interesi personal predominon.
Edhe në Kosovë, e cila tradicionalisht ka qenë nacionaliste, situata nuk është më e mirë. Të gjithë shikojnë nga partitë e pushtetit, dhe harrojnë se e gjithë ajo luftë nuk u bë vetëm për të mira materiale, por në radhë të parë për liri, për të dalë nga sundimi i Serbisë. Interesat personale dhe ato ideologjike mbizotërojnë sot edhe në Kosovë, deri në atë pikë sa mund të rrezikojnë humbjen e lirisë që u arrit me aq mund dhe sakrifica.
Edhe më keq akoma, disa promovojnë idenë e « kombit kosovar », një tjetër ide për përçarjen e kombit shqiptar. Duke harruar që të gjithë ata martirë dhe dëshmorë shqiptarë të Kosovës që luftuan kundër Serbisë dhe ranë në fushën e betejës, e bënë këtë për Flamurin Kuq e Zi, u sakrifikuan jo vetëm për lirinë e Kosovës por edhe për kombin shqiptar, ashtu siç ka ndodhur që prej fillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Shqiptarët ndodhen sot të ndarë e të shpërndarë në grupime interesash ekonomike, politike, ideologjike dhe e kanë të vështirë të bëhen bashkë drejt një qëllimi të vetëm që duhet të ishte bashkimi kombëtar.
Duhet të ishte bashkimi kombëtar jo rastësisht, por sepse ai është e vetmja zgjidhje e vërtetë për Shqiptarët të cilët sot ndodhen të ndarë në disa shtete. Kjo ndarje ka për pasojë një aktivitet të shfrenuar nga fqinjët tanë armiqësorë për t’i mbajtur ose për t’i risjellë nën sundimin e tyre këto toka shqiptare. Këto vende armiqësore punojnë shumë që t’i shtojnë ndarjet midis shqiptarëve për t’a patur më të lehtë realizimin e qëllimeve të tyre.
Bashkimi kombëtar do të jetë zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare e cila është shtruar për zgjidhje që në Konferencën e Londrës në vitin 1913. Vetëm bashkimi kombëtar, krijimi i një shteti të vetëm kombëtar shqiptar, do të sillte zgjidhjen e çështjes shqiptare, do të ndalonte aktivitetin antishqiptar të vendeve fqinje dhe do të vendoste paqen dhe qetësinë në rajon.
Por për të arritur bashkimin kombëtar duhet një vullnet i qartë politik i cili sot nuk ekziston as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Është koha që nacionalizmi shqiptar të shprehet në jetën politike në të dyja këto shtete shqiptare dhe të udhëheq klasën politike të tyre drejt realizimit konkret të bashkimit i cili sot është më i arritshëm se kurrë. Bashkimi kombëtar është qartazi vullneti i shumicës absolute të Shqiptarëve sot dhe nuk ka forcë që të mund ta ndalojë, as promovuesit e « kombit kosovar » në Kosovë dhe as neo-komunistët e rilindjes socialiste në Shqipëri. Kombi shqiptar i bashkuar do të triumfojë.

Xhemil Meço

Author

Back to Top