Si u ngrit Flamuri në Vlorë më 28 Nëntor 1912

Historia Comments Off

Njeriu me shikimin më të mprehtë, n’atë kohë, u tregua Ismail Qemali. Ky nuk e kishte, mjerisht, atë “dorë të hekurt” që i ka dhënë legjenda kombëtare, por ishte i hollë si politikan e si diplomat. Nuk i mungonte as guximi i nismës dhe i marrjes së përgjegjësisë. Sado i drejtë dhe plot shpirt atdhetarie që kishte qënë vendimi i mbledhjes së “Shoqërisë së Zezë” në Shkup, Shqiptarët nuk kishin as organizimin, as numrin, as mjetet për t’i qëndruar rrebeshit me forcat e tyre. Megjith politikën e vakët që kishte treguar deri atëhere Austro-Hungaria, Ismail Qemali e kuptoi se fati i Shqipërisë do të luhej në Vienë. “Kur Aliatët ballkanikë i shpallën luftë Turqisë”, thotë ai vetë në Kujtimet e tija, “dhe ushtëritë bullgare zunë Kirk-Kilisenë, ndërsa Serbët pushtuan Shkupin, mendova se kishte ardhur koha për ne Shqiptarët që të merrnim masa energjike për shpëtimin tonë”. Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin kishin shkuar prej Stambollit në Bukuresht, nga fillimi i Tetorit, për t’i shikuar punët me koloninë shqiptare të Rumanisë dhe për të ndërlidhur vepërimin e atdhetarëvet përjashta, me qëllim që të mpronin të drejtat e Shqipërisë përpara fuqivet të mëdha.
Ndërkaq, ushtëritë e Aliatëvet ballkanikë përparuan me një shpejtësi të pabesuarshme. Turqit u thyen kudo dhe u prapsën. Grushtin më të rëndë ua dhanë Bullgarët në Thrakën e lindjes, ku ishin përqendruar forcat kryesore t’ushtërisë turke. Mali-i-Zi nisi dy kolona në drejtim Shkodrës, dhe me një tjetër mësyjti Pejën të cilën e pushtoi. Në malësitë shqiptare nguli trobojnicën. Malësorët që patën bashkëpunuar me Malin-e-Zi, e kuptuan, kur iu ra kopani prapa kokës, se sa “të mençëm” kishin qënë. Ushtëritë serbe pushtuan Prishtinën, Gjilanin, Prizrendin dhe, bashkë me trupat malazeze, Gjakovën. Pas fitores që patën mbi turqit në betejën e Kumanovës, fuqitë serbe zunë Shkupin, më 26 Tetor, dhe u varën në dy drejtime: një pjesë zbriti nga juga, drejt Manastirit, pjesa tjetër mori nga perëndimi duke shkelur Shqipërinë e veriut nëpër Lumë, Mirditë e Mat, për të dalë sa më shpejt në detin Adriatik. Në të njëjtën kohë, ushtëria greke i theu forcat turke në Thesali e n’Epir, pushtoi Selanikun nga njëra anë, dhe nga ana tjetër rrethoi Janinën.
Shqiptarët u përpoqën të bënin një farë qëndrese por, të shpërndarë dhe të paorganizuar siç ishin, s’mund të mbahëshin përpara ushtërivet të rregullta t’armiqvet. Disa njësi shqiptare që kishin shërbyer në ushtërinë turke, u ndanë prej saj dhe deshën të mpronin vendin e tyre, por s’kishin lidhje, organizim as kumandë.
Në fillim të luftës, për të qetësuar Shqiptarët ose edhe për të pasur ndihmën e tyre, Aliatët ballkanikë e patën shpallur se vinin si “çlironjës”. Mbreti Pjetër i Serbisë, në një shpallje drejtuar ushtërisë së tij, thoshte se do t’iu sillte edhe Shqiptarëvet, pa dallim feje, “lirinë, barasinë dhe vëllazërinë”, njëlloi si Serbvet. Por pastaj ushtëritë ballkanike zunë t’i quanin të tyret tokat e pushtuara, dhe gazetat greke shkruanin se as nuk mund të mendohej që “barbarët Shqiptarë të jetonin të pavarur në mes të qytetërimit helenik”. Një gjuhë të këtillë mbante edhe shtypi serb, për të cilin Shqiptarët ishin një “fis i egër” që s’mund të qëndronte i pavarur as mund të formonte shtet më vehte. Bashkë me këto fjalë “të hijëshme”, Ballkanikët e “qytetëruar” plaçkitën rrëmbyen, shnderuan, dhe vunë kosën mbi popullin shqiptar duke vrar’ e therur me mijëra burra, gra, pleq e fëmijë, për t’a çfarosur “fisin e egër”.
N’ato rrethana tragjike, përveç qëndresës së pashpresë që pastaj u kufizua në Shkodër e në Janinë, Shqiptarëvet s’iu kishte mbetur tjetër veçse të bënin protestat e zakonshme pranë fuqivet të mëdha. Ashtu bënë, prej Stambollit, një grup krerësh shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Ashtu bëri Vatra e Amerikës pas një mbledhjeje që u mbajt në Boston, më 17 të Nëntorit, ku fjalimi i Faik Konitzës preku zemrat. Edhe brenda prej Shqipërie, parësia e Tiranës dhe e Durrësit i drejtoi një telegram perandorit t’Austrisë, Franz Jozefit II, më 12 të Nëntorit.
Që Shqipëria të mprohej me forcat e saja, s’kishte mbetur asnjë shpresë. Puna ishte se do të vendosnin fuqitë e mëdha, e në radhë të parë Austro-Hungaria. Pas thyerjes s’ushtërivet turke, mbajtja e statu quo-së në Ballkan dukej e pamundur. Fuqitë e interesuara, Rusia dhe Austro-Hungaria, po bënin planet sesi do të rregullohej harta e gadishullit. Ndërmjet 25 e 30 të Tetorit, një mbledhje ministrore e përgjegjësvet politikë dhe ushtarakë të Vienës u muar kryesisht me çështjen e Shqipërisë, e cila u shikua si zonë e një interesi jetësor për Austro-Hungarinë. Shqipëria vlente për t’i prerë ndonjë fuqie tjetër, të madhe a të vogël, rrugën e daljes n’Adriatik dhe në detin Jon, prandaj duhej mprojtur me çdo çmim. Sipas qarqevet të Vienës, duhej mëkëmbur një shtet shqiptar autonom, ose i pavarur nëqoftëse nuk do të kishte mundësi lidhjesh me Turqinë. Që t’ishte në gjendje të mbahej, shteti i ri duhej të kishte një shtrirje gjeografike të mjaftuarshme duke përfshirë mundësisht të gjitha tokat e banuara prej Shqiptarëvet në vilajetet otomane. Nëqoftëse kjo do t’ishte e pamundur, sepse fqinjët ballkanikë i kishin pushtuar disa nga ato toka dhe në lindje e në jugë kishte përzierie grupesh ethnike, shteti shqiptar mund të delte me kufij më të ngushtë, mjaft sa të qëndronte më këmbë. Natyrisht, duke pasur si qëllim kryesor mprojtjen e bregut të detit, kufijt e Shqipërisë nga ana e lindjes nuk ishin të një interesi jetësor për Monarkinë austro-hungareze, prandaj mund të vihëshin në bisedim. Njëkohësisht qarqet e Vienës mendonin se Malit-të-Zi mund t’i lihëshin malësitë shqiptare me popullsi katolike, mund t’i lihej edhe Shkodra nëqoftëse do t’a pushtonte, por me kusht që ai t’i njihte Austrisë një ndreqje të kufijvet pranë grykavet të Kotorrit dhe të bënte me të disa lidhje doganore.
Këtë plan, diplomacia austriake ia njoftoi më parë Gjermanisë, më 30 Tetor, dhe pastaj Italisë, më 3 të Nëntorit. Gjermania e pranoi menjëherë. Kurse me Italinë, e cila ishte barabar e interesuar në bregun lindor t’Adriatikut dhe të detit Jon, çështja duhej rrahur më gjatë. Ministri austriak i Punëve të Jashtëme, Berchtold-i, sipas marrëveshjes që vazhdonte me kohë midis dy palëvet, i kërkoi Romës, më 17 të Nëndorit, një shkëmbim mendimesh në lidhje me caktimin e kufijvet dhe organizimin e brendshëm të Shqipërisë, mbasi u pa qartas që statu quo-ja në Ballkan nuk mund të mbahej. Sipas Berchtold-it, tokat e banuara prej Shqiptarëvet ose ku këta përbënin shumicën duhej t’i njihëshin Shqipërisë, por Kosovën e kishte pushtuar Serbia dhe nuk mund t’i merrej, prandaj do t’i mbetej asaj. Nga juga, kufijtë e Shqipërisë duhej t’arrinin gjer në lumin Kallama, n’Epir. Sa për Malin-e-Zi, mendimi i parë ishte që t’i lihej Shkodra nëqoftëse do t’a pushtonte, por pastaj Austri e Itali u kujtuan se Shkodra ishte qendra e katolikizmit shqiptar dhe kishte një rëndësi jetësore për Shqipërinë. Mbasi u pa se autoriteti i Turqisë në Ballkan humbi, Berchtold-i mendonte që Shqipëria të bëhej një principatë e pavarur, me një princ që të mos ishte i asnjërës nga të tri fetë e vendit. Keto mendime u pranuan edhe prej Italisë.
Rusia, nga ana tjetër, e kishte kuptuar mirë që Austria s’hiqte dorë gjer në fund nga interesimi për bregdetin shqiptar dhe se një copë Shqipëri do të bëhej, por desh t’i siguronte Serbisë një dalje n’Adriatik, të paktën skelën e Shën-Gjinit. Gjatë muajit të Nëntorit diplomacia ruse u përpoq në këtë drejtim, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e Italisë, pastaj të Gjermanisë, pranë qarqevet të Vienës, por më kot. Më në fund Rusia kërkoi përkrahjen e aliatëvet të saj, Anglisë dhe Francës, për daljen e Serbisë n’Adriatik, por Austro-Hungaria ishte e vendosur të shkonte gjer në një luftë për bregdetin shqiptar. Kur ushtëria serbe, duke përparuar nëpër Shqipëri, iu qas Adriatikut dhe desh t’a vinte Austro-Hungarinë përpara një pune të kryer, Viena ia kujtoi kryeministrit Piashiç se po loste me zjarr.
Një përpjekje me armë ndërmjet Austro-Hungarisë, prapa së cilës qëndronte Gjermania, dhe Serbisë që ndihmohej nga Rusia, mund të shkaktonte luftën e përgjithshme, siç ngjau dy vjet më vonë. Rusia nuk ishte akoma gati, prandaj filloi t’a ulte zërin dhe t’a këshillonte Serbinë që të tregohej m’e matur.
Për të zgjidhur problemet që nxori Lufta ballkanike, fuqitë e mëdha nisën të mendonin mbledhjen e një konference ndërkombëtare.
Në Shqipëri, ushtëritë armike përparonin nga veriu, nga lindja dhe nga juga, duke i shtirë popullit tmerrin me vrasje, djegie e plaçkitje. Me mijëra Kosovarë dhe malësorë ishin shpërngulur prej vatravet të tyre dhe fshihëshin pyjevet ose iknin nga të mundnin për të gjetur shpëtim.
Më 5 Nëntor, Ismail Qemali merrte pjesë në një mbledhje që mbajti kolonia shqiptare e Bukureshtit, e cila përpiqej të bënte diçka në shërbim t’atdheut. Si masa më të shpejta, mbledhja mendoi të formohej një komitet drejtonjës për të marrë në dorë qeverimin e Shqipërisë, dhe të dërgohej një komision n’Evropë për të mprojtur përpara fuqivet të mëdha “të drejtat kombëtare e vendore të popullit shqiptar”. Një komitet ndihmës do të formohej në Bukuresht për të bashkërenditur vepërimet e komitetevet të tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Pas këtyre vendimeve, Ismail Qemali u nis për n’Austri bashkë me Luigj Gurakuqin, Pandeli Calen dhe Dom Nikollë Kaçorrin, të cilët do t’a prisnin në Trieshtë, ndërsa ai vetë shkoi në Vienë. Që në pjekjet e para me diplomatët austriakë, Ismail Qemali u sigurua se Shqipëria do të përkrahej. Ai çfaqi mendimin se do të mblidhte në Vlorë një kuvend kombëtar, i cili do të vendoste mbi formën e qeverimit të Shqipërisë dhe do t’iu drejtonte fuqivet të mëdha një memorandum me kërkesat e popullit shqiptar. Në Vienë, Ismail Qemali u takua edhe me ambasadorët e Anglisë e t’Italisë, të cilëve iu çfaqi pikëpamjet e tija në lidhje me Shqipërinë, iu kërkoi përkrahjen e qeverivet të tyre dhe iu tregoi se populli shqiptar ishte i vendosur t’a mpronte tërësinë e atdheut gjer në pikën e fundit të gjakut. Në fillim, Ismail Qemali nuk ishte akoma i qartë nëse Shqipëria do të bëhej shtet autonom apo i pavarur. Por pas takimit që pati në Budapest me Berchtold-in, ministrin e Punëve të Jashtëme t’Austro-Hungarisë, mendimet u sqaruan më mirë: Turqia ishte thyer e shkatërruar, fjala “autonomi” s’kishte më kuptim, prandaj Shqipëria do të shpallej e pavarur.
Më 17 Nëntor, Ismail Qemali dërgoi telegram në Vlorë se për së shpejti do t’arrinte në Durrës, prandaj duhej thirrur sa më parë kuvendi kombëtar. Të nesërmen u lajmëruan telegrafisht qytetet e Shqipërisë që të dërgonin përfaqësonjësit e tyre në Vlorë. Lëvizja për një mbledhje të krerëvet shqiptarë kishte nisur përpara kësaj date. Disa përfaqësonjës prej Kosove dhe krahinash të tjera kishin ardhur në Tiranë.
Qarkullimi në Shqipëri nuk ishte edhe aq i lehtë. Grekët kishin zbritur në Himarë, më 19 Nëntor, dhe flota e tyre ndodhej përpara Vlorës. Serbët kishin shkelur Mirditën, Matin dhe, më 18 Nëntor, arritën në Lesh. Që këtej, një pjesë t’ushtërisë ia drejtuan Shkodrës, për t’iu ndihur Malazezvet, dhe pjesën tjetër Durrësit. Kurse armata serbe që luftonte në Maqedoni, pasi pushtoi Manastirin më 18 Nëntor, e nisi një pjesë të forcavet nga ana e Ohrit drejt Shqipërisë së Mesme. Jo vetëm ushtëritë armike, po edhe autoritetet turke që kishin mbetur nëpër qytetet e Shqipërisë së pashkelur i pengonin shqiptarët atje ku mundnin.
Ismail Qemali u nis nga Trieshta me shokët e vet më 19 Nëntor dhe më 21 arriti në Durrës, mbasi Vlora ishte blokuar prej flotës greke. Mendimi i parë i tij ishte që t’a shpallte pavarësinë e Shqipërisë në Durrës. Por aty gjeti pengime jo vetëm nga ana e autoritetevet turke, po edhe nga dhespoti grek i Durrësit, Jakovos, i cili “nuk njihte as nuk nderonte tjetër flamur përveç atij të Turqisë”. Kjo tregon se në ç’gjendje ishte kombi i ynë atëhere, kur një Grek i djallëzuar e bark-vozë kumandonte Shqiptarët orthodoks të Durrësit.
Bashkë me delegatët e Shqipërisë së Mesme dhe ata pakë që përfaqësonin Kosovën, Ismail Qemali u nis për në Vlorë ku arriti më 26 të Nëntorit. Pritja që i bëri qyteti i vendlindjes ishte një enthusiazëm i zjarrtë. Siç thotë ai vetë në Kujtimet e tija, “Një zjarr i shënjtë atdhetarie kishte pushtuar qytetin e vendlindjes sime dhe populli më çdo anë na përshëndeste me enthusiazëm e gëzim”.
Ndonëse nuk kishin arritur akoma të gjithë përfaqësonjësit e vendeve të ndryshme (disa erdhën pas shpalljes së pavarësisë), kohët nuk prisnin, ushtëria serbe po iu qasej Durrësit dhe Elbasanit. Prandaj Kuvendi Kombëtar u hap më 28 Nëntor me ata delegatë që ndodhëshin, gjithësejt tridhjeteshtatë, nën kryesinë e Ismail Qemalit. Ky foli shkurtazi mbi të kaluarën e Shqipërisë, mbi gjendjen dhe rrethanat e çastit, tregoi se Shqiptarët kishin marrë pjesë në këtë luftë jo si ushtarë të Turqisë, por si zotër të vendit dhe për të mprojtur vetvehten. Tani s’kishte mbetur tjetër udhë shpëtimi veçse ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Dhe propozoi që të shpallej pavarësia kombëtare, të formohej një qeveri e përkohshme, të zgjidhej një pleqësi (senat) për të ndihmuar e mbikqyrur qeverinë, të dërgohej një komision n’Evropë për të mprojtur të drejtat e Shqipërisë përpara fuqivet të mëdha.
Këto propozime u pranuan me një zë nga Kuvendi. Qeveria e përkohshme u formua nën kryesinë e Ismail Qemalit. Pastaj u zgjodh një pleqësi prej tetëmbëdhjetë vetash. Si në qeveri ashtu edhe në pleqësi u shikua me kujdes që të bënin pjesë atdhetarë prej të tri fevet dhe nga e tërë Shqipëria.
Vendimi i shpalljes së Pavarësisë përmblidhej në pak rreshta: “Pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zā venduan që Shqipëria me sot të bāhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj shpalljeje, më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti në Vlorën trime Flamurin lavdimadh të Skënderbeut, Flamuri i aq luftave, i aq gjaku të derdhur, i aq rektimave dëshmorësh, i aq vegimeve idealistësh dhe i aq shpresave për në t’ardhmen.

Abas Ermenji

(nga libri “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”)

Author

Back to Top