Gju më gju me popullin!

Aktualiteti Comments Off

Dje kryeministri Rama vizitoi një fshat të Dibrës dhe u ul gju më gju me popullin e asaj ane. Kishte me vete edhe dy ministret Balluku dhe Krifca, të cilat në fjalën e tyre treguan se sa mirë shkonte bujqësia në atë zonë. Madje ministrja Balluku bëri edhe disa krahasime me vende të tjera, natyrisht të « Ballkanit të hapur » ose siç tha ajo të « Open Ballkans ». Natyrisht ka ikur koha kur krahasimet bëheshin me vendet e BE-së, duhet ulur pak steka. Kurse ministrja Krifca me shifra, fakte e studime tregoi se çdo gjë shkonte vaj në Dibër për bujqësinë.
Por, megjithëse dashamirës të qeverisë, banorët që merrnin pjesë në takim, nuk duket të ishin plotësisht dakord. Disa prej tyre folën dhe thanë se mungonin makineritë bujqësore, mungonte uji për vaditje, mungonin rrugët për transport. Disa të tjerë u ankuan se jo të gjitha tokat që punonin ishin me dokumenta. Dhe kërkuan të legalizoheshin jo vetëm tokat që u takonin, por edhe ato që i punonin dhe që nuk ishin të tyret. Kryeministri Rama u shpjegoi se fajin e kishte Saliu me ligjin 7501 si dhe ata vetë që i kishin ndarë tokat me marrëveshje të pashkruara dhe, me zemërgjerësinë që e karakterizon në prag fushate zgjedhore, iu premtoi se do ta zgjidhte këtë problem sipas parimit të famshën komunist « toka i takon atij që e punon ». Natyrisht ligjet, të mira apo të këqija, nuk kanë ndonjë rëndësi për kryeministrin aktual të Shqipërisë, rëndësi ka fushata zgjedhore.
Në këtë mbledhje dibrane të transmetuar në të gjitha televizonet lokale, kombëtare, mbarëkombëtare e madje dhe ndërkombëtare patëm rastin të mësojmë se fshatrat e Dibrës, ashtu siç e do partia, bëjnë tregti me Kubën dhe Kinën, marrin eksperiencë nga Europa Lindore, krahasohen me vendet e Ballkanit të hapur dhe marrin financime nga qeveria socialiste, të paktën ata që ishin në mbledhje.
Andej nga fundi i mbledhjes, të entuziazmuar nga vëmendja e qeverisë, të pranishmit filluan të kërkojnë edhe më shumë. Por kryeministri Rama, i cili gjatë gjithë kohës kishte zhgarravitur në disa fletë letre hieroglife që duhet të ishin kërkesat e popullit, në këtë pikë i solli me këmbë në tokë : do të ketë edhe zgjedhje të tjera, disa projekte do t’i lëmë për më vonë.
Kryeministri Rama iu shpjegoi gjithashtu të pranishmëve që të gjitha problemet që kishin, vinin nga e kaluara. Para ardhjes së tij në pushtet në Dibër nuk kishte asgjë! Nuk kishte as ujë dhe as hënë! Cdo gjë në Dibër nisi në vitin 2013, me ardhjen në pushtet të kryeministrit Rama. Dhe sot ja ku jemi: fshatrat e Dibrës kanë ujë! Mësuam me këtë rast se në Dibër nuk paska patur ujë as në kohën e Saliut, as në kohën e Enverit, as në kohën e Zogut dhe madje as në kohën e perandorisë otomane! Por vallë si ia kanë bërë dibranët për ujë gjithë këta shekuj?
Pasi bëri disa premtime elektorale, kryeministri Rama nuk la pa kritikuar dhe kritikat ndaj tij për zullume që sigurisht ia thonë nga inati. Dhe më në fund bëri edhe disa shaka nga ato që bëhen kur je gju më gju me popullin. Dhe popullit të Dibrës, por edhe të gjithë Shqipërisë, nuk i mbetet më veçse të këndojë: « Gëzohu, gëzohu o milet, shakaxhinë e pamë mbret! »

Xhemil Meço

Author

Back to Top