Dita e Flamurit dhe Bashkimi Kombëtar
Aktualiteti, Historia 28 Nëntor, 2025, Comments Off28 Nëntori është Dita e Flamurit. 113 vjet më parë, më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali, i shoqëruar nga delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, ngriti në Vlorë Flamurin Kuq e Zi me shqiponjën dykrenore dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë e shënuar në historinë e kombit shqiptar festohet sot jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha trojet shqiptare, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri dhe në diasporë. Dhe jo rastësisht. Sepse shpallja e Pavarësisë u bë për të gjitha trojet shqiptare të cilat në vitin 1912 ndodheshin nën sundimin e perandorisë otomane dhe ishin ndarë në 4 vilajete.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte një ngjarje me rëndësi të madhe historike për kombin shqiptar, sepse ajo siguroi mbijetesën e tij në një situatë ku vendet fqinje u përpoqën me të gjitha mënyrat, përfshirë edhe forcën e armëve, që ta zhduknin kombësinë shqiptare, t’i pushtonin tokat shqiptare dhe ta asimilonin popullsinë shqiptare.
Por Shpallja e Pavarësisë nuk rregulloi gjithçka. Vetëm disa muaj më vonë, në vitin 1913 në Konferencën e Londrës, Fuqitë e Mëdha njohën si shtet shqiptar vetëm gjysmën e trojeve shqiptare dhe lanë jashtë këtij shteti më shumë se gjysmën e tyre. Kosova dhe Maqedonia iu dhanë Serbisë që i kishte pushtuar ushtarakisht, Çamëria Greqisë dhe troje të toka të tjera shqiptare Malit të Zi.
Që nga ai moment bashkimi kombëtar, pra bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, u shtrua si një çështje që kërkon zgjidhje. Sepse shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë londineze ishin tashmë në rrezik. Dhe koha e ka vërtetuar disa herë këtë gjë. Shqiptarët e lënë jashtë Shqipërisë që nga viti 1913 janë pëballur rregullisht me diskriminim, me mohim të të drejtave kombëtare e deri me spastrime etnike. Rasti më i fundit është ai i luftës së Kosovës ku Serbia e Millosheviçit largoi nga vatrat e tyre shekullore gati 1 milionë shqiptarë, të cilët vetëm 3 muaj më pas mundën të kthehen falë ndërhyrjes ushtarake ajrore të NATO-s. Por rasti me pasoja më të rënda ishte ai i Çamërisë ku Greqia me anë të forcës largoi gati të gjithë popullsinë shqiptare drejt Shqipërisë londineze. Kurse ata Çamë që mbetën u detyruan të asimilohen pa asnjë të drejtë kombëtare.
Ideja e bashkimit kombëtar vjen që nga Lidhja e Prizrenit, e cila e përpoq t’i bashkonte të katër vilajetet e atëḧershme shqiptare në një entitet të vetëm politik brenda perandorisë otomane. Edhe Ismail Qemali u përpoq me mjete diplomatike që t’i bashkojë të gjitha trevat shqiptare në shtetin shqiptar të 1912-ës, por pa sukses. Por përpjekja më e fuqishme për bashkimin kombëtar erdhi në mesin e shekullit të kaluar nga Balli Kombëtar, një organizatë politiko-ushtarake e krijuar në vitin 1939 dhe e drejtuar nga Mid’hat Frashëri. Balli Kombëtar përcaktoi qartë në programin e tij dy qëllime kryesore: luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesi i huaj dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar që ishte Shqipëria Etnike. Balli Kombëtar mobilizoi nacionalizmin shqiptar dhe e ushtroi aktivitetin e tij në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Në gusht të vitit 1943 arriti të bënte edhe një marrëveshje me partinë komuniste për të realizuar bashkimin kombëtar. Por për fat të keq kjo marrëveshje nuk u respektua nga komunistët shqiptarë, të cilët nën shtytjen e komunistëve jugosllavë e prishën marrëveshjen dhe i hapën luftë Ballit Kombëtar. Vazhdimin e njohim të gjithë : një luftë civile e përgjakshme e fituar nga partia komuniste dhe e pasuar nga një diktaturë e egër komuniste e tipit stalinist që zgjati rreth 50 vjet.
Në këtë mënyrë ideja e bashkimit kombëtar u godit rëndë por nuk u zhduk. Balli Kombëtar i vazhdoi përpjeket e tij në emigracion. Po ashtu shqiptarët e Kosovës nuk i reshtën përpjekjet e tyre për të drejta kombëtare. Lëvizjet e viteve 1968 dhe 1980 e dëshmojnë këtë. Në vitin 1990 regjimi serb i Millosheviçit u përpoq t’ua hiqte të gjitha të drejtat kombëtare shqiptarëve të Kosovës, të cilët reaguan me rezistencën paqësore dhe me shpalljen e Republikës së Kosovës. Represoni serb u bë edhe më i madh duke i detyruar shqiptarët të merrnin armët dhe të mobilizoheshin masivisht në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës UÇK. Sigurisht që qëllimi i shqiptarëve të Kosovës, të cilët luftonin nën flamurin kombëtar, ishte çlirimi nga Serbia dhe bashkimi me Shqipërinë. Por shteti shqiptar, i sapodalë nga sistemi komunist i cili kishte bërë gjithçka për t’ua zbehur shqiptarëve ndjenjat kombëtare dhe i kishte lënë ata në një gjendje të mjeruar ekonomike, nuk ishte gati. Duke marrë parasysh këtë fakt dhe gjendjen ndërkombëtare të asaj kohe, drejtuesit politikë kosovarë zgjodhën taktikën e krijimit të një shteti të pavarur kosovar, i cili do të realizonte të paktën çlirimin nga Serbia. Objektiv i cili u arrit në qershor 1999 me ndërhyrjen e NATO-s kur Serbia provoi të bënte spastrimin etnik të Kosovës. Disa vjet më vonë, në 17 shkurt 2008 Kosova shpalli Pavarësinë dhe njihet sot nga mbi 100 vende të botës, por jo nga OKB e cila pengohet nga Rusia dhe Kina për njohjen e Kosovës.
Në këtë 28 nëntor, kemi pra sot dy shtete shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, në vazhdim të njëri-tjetrit. Por shqiptarët jetojnë edhe në shtete të tjera: Maqedoni, Mal të Zi dhe Greqi. Dhe bashkimi kombëtar ende nuk është realizuar. Dikush mund të thotë : a na duhet me të vërtetë bashkimi kombëtar? Përgjigja është pamëdyshje PO! Bashkimi kombëtar është një domosdoshmëri. Sepse për sa kohë që ai nuk realizohet, fqinjët tanë agresivë do të shpresojnë dhe do të vazhdojnë përpjekjet që t’i fusin tokat shqiptare në sundimin e tyre. Serbia nuk pranon ta njohë Pavarësinë e Kosovës, e quan gjithmonë atë pjesë të sajën, e mban ende në kushtetutën e saj dhe nuk fsheh qëllimin e saj se do ta sulmojë sapo t’i krijohet mundësia. Domethënë sapo bota të largojë vëmendjen nga Kosova dhe rajoni. Kurse Greqia, pasi e zbrazi Çamërinë nga shqiptarët në fund të Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të kërkojë aneksimin e Shqipërisë së jugut me idenë e gënjeshtërt të Vorio-Epirit. Nga ana tjetër shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, të cilët me shumë përpjekje arritën disa të drejta kombëtare në fillim të këtij shekulli, e shikojnë se si maqedonët dhe malazeztë përpiqen t’ua heqin ato sapo iu vjen rasti.
Po vjen koha për një përpjekje tjetër për bashkimin kombëtar i cili duhet të sillte krijimin e një shteti të vetëm demokratik, modern dhe kombëtar shqiptar. Bashkimi kombëtar nuk do të vijë vetë. Do të duhet që shqiptarët vullnetmirë të punojnë për të dhe të krijojnë kushtet e nevojshme që ai të realizohet. Për fat të mirë kombit shqiptar historia po i ofron një mundësi të mirë për të realizuar këtë bashkim, por iu takon shqiptarëve që ta shfrytëzojnë atë dhe të zgjidhin çështjen kombëtare shqiptare për të cilën kanë punuar dhe sakrifikuar një numër i madh patriotësh dhe dëshmorësh.
Gëzuar Ditën e Flamurit!
Xhemil Meço