Gjuha shqipe dhe Shqiptarët
Historia 2 Gusht, 2025, Comments OffPërpara se të merrte hov Rilindja kombëtare shqiptare, domethënë më parë se të çohëshin Shqiptarët vetë, ishin interesuar dijetarët e huaj për të studiuar gjuhën dhe kombësinë tonë. Që në shekullin XVII, filozofi e dijetari i madh gjerman, Leibniz, ishte marrë edhe me gjuhën shqipe, por e njihte fare pak dhe e lidhte me keltishten. Në shekullin XVIII, Rektori i Seminarit italo-shqiptar të Palermos, Paolo Maria Parrino, pati bërë studime të gjera mbi historinë dhe ethnografinë shqiptare. Botimi i profesorit gjerman J. Thunmann “Kërkime mbi historinë e popujve t’Evropës lindore” (më 1774) zgjoi një interes më të gjallë rreth shqipes. Thunmann-i, duke u pështetur në studimet gjuhësore, përfshinte edhe Thrakët në përbërjen e popullsisë shqiptare. Malte-Brun e ndante në tre grupe prejardhjen e shqipes duke e lidhur me gjuhët e vjetra t’Evropës. Një shtytje të re i dha studimit të shqipes dhe t’origjinës së kombit tonë vepra e dijetarit gjerman, J. Xylander, “Gjuha e Shqiptarëvet”, botuar në Frankfurt më 1835. Por sidomos shkrimet e të famshmit Georg von Hahn, konsulli austriak në Janinë, “Studime Shqiptare”, botuar më 1853-1854, hapën një tjetër horizont për Albanologjinë, dhe Hahn-i u shikua për disa kohë si babaj i saj. Ky e përshkruante Shqipërinë dhe popullin e saj me histori, gjuhë e zakone, duke botuar një pjesë të folklorit, një fjalor dhe një gramatikë të shqipes. Shkrimtari frëng Ami Boué, në veprën e tij “Turqia e Evropës” (Paris, 1840) dhe të tjerë auktorë kanë hedhur dritë mbi shtrirjen gjeografike dhe veçoritë ethnike të kombit shqiptar. “Shqiptarët janë ndoshta raca m’e bukur e Turqisë… midis tyre mund të gjinden tipa të denjë për t’u marrë si model i Afroditës ose i Apollonit”, shkruante Ami Boué.
Linguistë të mëdhenj si Franz Bopp dhe August Schleicher (Gjermanë), Holger Pedersen (Danes) u muarën me studimin e shqipes. Bopp-i ishte i mendimit se kjo zinte një vend të veçantë në familjen e gjuhëvet indo-evropiane, kurse Schleicher-i e mbante për një gjuhë pellazgjike. Këto theori kishin rëndësi të madhe n’anën historike, sepse gjuha tregonte edhe rrënjën e popullit shqiptar. Prandaj tek Rilindasit u përhap ideja se Shqiptarët rrithnin prej Pellazgëvet dhe se ishin kushërinj me Grekët. Këta të fundit u përpoqën t’a shfrytëzonin legjendën pellazgjike për t’i futur Shqiptarët nën sundimin e tyre, gjoja si me origjinë të përbashkët. Studimet e reja dhe të thelluara të historisë nuk kanë mundur të përcaktojnë asgjë rreth Pellazgëvet, të cilët mbeten si një emër i mjegullt. Grekët e Vjetër quanin Pellazgë atë shtresë popullsie që gjetën në Ballkan dhe n’ishujt e Egjeut përpara se të zbrisnin fiset helenike. Pellazgët kishin qënë ndërtonjës qytetesh dhe muresh vigane me gurë shumë të mëdhenj; Grekët i muarën prej tyre emrat e disa perëndive, sipas Herodotit. Për fise pellazgjike është folur jo vetëm në Ballkan, por në tërë botën e Mesdheut, prej Azisë së Vogël deri n’Itali. Tek historianët e vjetër grekë, Efori, Herodoti, Thuqidhidhi e deri te Hesiodi gjejmë një mishmash të ngatërruar rreth Pellazgëvet. Ky emër mbetet akoma i mjegullt edhe për historianët e sotshëm me gjithë studimet që janë bërë rreth tij e vërteta është se fiset helenike sikurse fiset e të Parëvet tonë, kur erdhën në Ballkan, gjetën aty një shtresë popullsie të mëparshme të cilën e quajtën Pellazgë. Prej asaj shtrese muarën sigurisht fjalë dhe elemente të qytetërimit. Rrënjët e përbashkëta të disa fjalëve ndërmjet shqipes dhe greqishtes e kanë ndoshta burimin tek shtresa e popullsisë pellazgjike. Por si fiset helenike ashtu edhe fiset stërgjyshore të Shqiptarëvet erdhën më vonë e u vendosën përmbi atë shtresë. Dhe ishin fise të ndryshme (të Parët tonë me Helenët) ndonëse bënin pjesë në familjen Ariane ose Indo-Evropiane.
Linguisti austriak Gustav Meyer e hodhi poshtë theorinë pellazgjike të shqipes dhe u përpoq të vërtetojë se kjo vjen prej ilirishtes së vjetër. Por Meyer-i e paraqit mjaft të kufizuar numrin e fjalëvet-rrënjë të shqipes duke i pandehur të huaja një pjesë të tjerash. Kurse linguistë më të rinj, ndër ta edhe Norbert Jokl-i, e tregojnë gjuhën tonë shumë më të pasur me rrënjë thjeshtë të sajat nga ç’e mendonte Meyer-i. Veçse Jokl-i e nxjerr shqipen me rrjedhje iliro-thrake.
Duket se Ilirët, Thrakët, Maqedonasit, Dakët, Frigjët e të tjerë përbënin në kohët e vjetra një familje popujsh me lidhje gjuhe e gjaku, sikurse popujt sllavë që zbritën n’Evropë më vonë. Prej brigjevet t’Epirit, Ilirët kapërcyen n’Itali, ku jo vetëm Japigët dhe Mesapët, por disa historianë mendojnë se edhe Sabinët ishin Ilirianë. Raca iliriane kaloi Apeninet, sipas këtyre, dhe arriti deri n’Etruri.
Sidoqoftë, prej kësaj familjeje popujsh të vjetër, kanë mbetur të pashkrirë vetëm Shqiptarët dhe gjuha shqipe.
Pra, siç e pau për herën e parë Bopp-i dhe siç e vërtetojnë Pedersen, Jokl etj., shqipja zë një vend të veçantë në grupin “satem” të gjuhëvet indo-evropiane. Shqiptarët përbëjnë një komb të dalluar, nga më të vjetrit n’Evropë, dhe nuk janë një përzjerje e çoroditur siç mendonin armiqtë e tyre. Pedersen-i thekëson se shqipja është një gjuhë më vehte dhe se ndryshimet dialektore të saja janë fare të vogla.
Po ashtu, anthropologë që kanë studiuar veçoritë trupore të popullit shqiptar, si Dr. Paul Traeger, Gjerman, Prof. Eugëne Pittard, Zviceran, e të tjerë, vërtetojnë se ai përbën një grup racial të përbashkët dhe se të njëjtët tipa gjinden prej një skaji të Shqipërisë në tjetrin, prej veriut në jugë. Është vështirë të gjindet një popull me trajtë kafke aq të përngjashme, thotë Prof. Pittard, i cili i mban Shqiptarët si një racë shumë të bukur malësorësh, brakiqefalë (kokë-gjerë), me shtat të bëshëm e të zhdërvjelltë, racë që ai e quan Iliriane ose Dinarike.
Gjeografi i madh frëng Elisée Reclus shkruante, më 1875, në Gjeografinë e Përbotëshme “…Kur Shqiptarët të hyjnë në marrëdhënie të vazhduarshme me popujt e tjerë, shpresohet me të drejtë se do të lozin një rol të rëndësishëm, mbasi ata dallohen përgjithësisht nga hollësia e mendjes, qartësia e mendimit dhe forca e karakterit”.
Abas Ermenji
(Marrë nga libri “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”).