Me Edi Ramën dhe PS nuk mund të ketë zgjedhje të lira!

Aktualiteti Comments Off

Në datën 11 maj 2025 u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë. Partia socialiste dhe Edi Rama synonin të fitonin mandatin e 4-t radhazi ndërsa opozita shqiptare, e shpërndarë në disa koalicione dhe parti, synonte ta përmbyste pushtetin socialist i cili gjithnjë e më shumë po e shpie Shqipërinë drejt një diktature që ende nuk e thotë emrin e saj.
Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të frikësimit fizik të votuesve shqiptarë me anën e bandave kriminale të lidhura me pushtetin në një pjesë të qendrave të votimit kurse në disa të tjera në një atmosferë të shantazhimit të votuesve me humbjen e vendit të punës, të pensionit, të ndihmës ekonomike, të lejes apo liçencës së biznesit, të shtimit të taksave dhe gjobave etj. nga patronazhistët e partisë socialiste, të cilët qëndronin me lista në duar përpara çdo qëndre votimi, në kundërshtim të plotë me ligjin, duke shënuar kush vinte të votonte dhe kush jo.
Një skandal tjetër ishte ai i votës së emigrantëve, ku sipas rezultatit përfundimtar na del se emigrantët na paskan votuar me 61% Edi Ramën?! Në një kohë që emigrantët kanë qenë pjesa më kritike ndaj pushtetit në Shqipëri dhe që të gjithë sondazhet tregonin se ata do të votonin me një shumicë të madhe për opozitën.
Vota e emigrantëve u vodh dhe u manipulua edhe më shumë se vota në Shqipëri. KQZ premtoi një proces votimi të sigurt, por nuk ndodhi kështu. Shumë zarfa me fletët e votimit nuk arritën kurrë tek votuesit në emigracion, dhe shumë nga ata që arritën nuk kishin fletë votimi brenda. KQZ duhet të na tregojë se ku shkuan këta zarfa dhe këto fletë votimi? Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e votave të emigrantëve nga Greqia nuk kanë ardhur nga operatori postar DHL, por kanë ardhur në KQZ me thasë nga përfaqësues të partisë socialiste. Duke shkelur në këtë mënyrë ligjin elektoral i cili kërkonte garantimin e dërgimit të zarfit me fletën e votimin në adresën e votuesit emigrant dhe kthimin e saj nga ai në KQZ në mënyrë të sigurt nëpërmjet operatorit të zgjedhur postar që ishte në këtë rast DHL.
Jo vetëm kaq, por në periudhën parazgjedhore kryeministri Edi Rama, në kundërshtim të plotë me ligjin elektoral, miratoi ligje që falnin gjobat për 10 vjetët e shkuar, që jepnin bonuse për pensionistët si dhe bëri përurimin e aeroportit të Vlorës me qëllimin e vetëm për të ndikuar votën e shqiptarëve dhe për të favorizuar partinë socialiste në këto zgjedhje.
Dhe e gjithë kjo farsë apo komedi elektorale, u bë përpara shikimit fajtor të vendeve të BE që ende pa përfunduar procesi zgjedhor pranuan të mblidhen në Tiranë në një mbledhje të komunitetit politik europian, duke i çertifikuar de fakto këto « zgjedhje ». Në një kohë kur vëzhguesit e OSBE-ODHIR në raportin e tyre paraprak konstatonin parregullsi të shumta të këtij procesi zgjedhor. Dhe u mjaftuan me shpjegimin e kryetarit të organizatës së patronazhistëve Edi Rama i cili u tha se « zgjedhjet nuk janë si ato të Danimarkës, por janë brenda normave demokratike ». I bie që këto norma të jenë ulur shumë në BE.

Me keqardhje mund të konstatojmë se zgjedhjet e 11 majit 2025 janë zgjedhjet më të manipuluara në historinë e demokracisë 34-vjeçare shqiptare.
Me keqardhje mund të konstatojmë sot se Shqipëria nuk është më një demokraci. Sepse nuk është në demokraci një vend ku vota nuk është e lirë, ku zgjedhjet vidhen dhe manipulohen rregullisht, ku vullneti i votuesve tjetërsohet, ku pushteti përdor administratën për të mbledhur vota, ku rotacioni politik është i pamundur.
Me keqardhje mund të konstatojmë se partia socialiste në Shqipëri nuk mund të largohet më me votë nga pushteti, sepse nuk ka më zgjedhje të lira. Makineria elektorale e PS me patronazhistët dhe bandat kriminale mund të nxjerrin rezultatin që duan në çdo proces elektoral. Edhe fushata zgjedhore që bëjnë është sa për sy e faqe, sepse edhe atë nuk kanë nevojë ta bëjnë më.
Jo vetëm kaq, por me 83 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë PS dhe Edi Rama, janë vetëm një votë larg shumicës absolute prej 84 deputetësh që iu lejon ndryshime kushtetuese. Votë që mund ta gjejnë kollaj. Kjo do të thotë se PS dhe Edi Rama sot i kanë të gjitha pushtetet dhe mund të bëjnë çdo ndryshim që dëshirojnë në Kushtetutën e Shqipërisë.
Nëse këto zgjedhje njihen, pasojat do të jenë të rënda për Shqipërinë, për demokracinë shqiptare dhe për çështjen kombëtare.

Opozita shqiptare, duke parë se këto zgjedhje ishin një farsë elektorale, ka vendosur të mos i njoh ato por të mbledhë të gjitha provat e mundshme dhe t’i denoncojë këto zgjedhje para opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar. Nga ana tjetër ajo ka vendosur të kërkojë përsëritjen e zgjedhjeve me një qeveri teknike.

Qeveria teknike me pjesëmarrjen e opozitës është e domosdoshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe për të dalë nga situata e krijuar me mjete demokratike.

Sepse Edi Rama dhe PS kanë dhënë provën se nuk duan që shqiptarët të votojnë të lirë. Ata i tremben votës së lirë dhe për këtë arsye kanë miratuar dhe mbajnë në fuqi një kod zgjedhor i cili nuk lejon transparencën dhe lirinë e shprehjes me votë. Kodi zgjedhor i mundëson partisë socialiste të deformojë vullnetin e votuesve shqiptarë.
Nga ana tjetër Edi Rama dhe PS i shkelin me të dyja këmbët edhe ato dispozita të kodit zgjedhor që vetë i kanë miratuar. Për shembull duke përdorur burimet financiare dhe njerëzore të shtetit shqiptar për ta tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve.
Dhe së fundmi Edi Rama dhe PS kanë dhënë provën se i kanë vjedhur zgjedhjet me anën e bandave kriminale dhe organizatës ilegale të patronazhistëve. Kjo vjedhje është e faktuar me prova të shumta filmike dhe me dokumente.

Atëhere si mund të imagjinojmë qoftë edhe një çast që Edi Rama dhe PS do të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Ata nuk e dinë çfarë është vota e lirë dhe mund t’iu besohet aq sa mund t’i besohet një hajduti që ka rastin të vjedhë një gjë me shumë vlerë.

Por në fakt pyetja e vërtetë që shtrohet sot është se a do ta pranojnë shqiptarët një diktaturë të re vetëm 34 vjet pas rënies së diktaturës komuniste? A i kanë harruar shqiptarët kaq shpejt tmerret e diktaturës komuniste? Sepse njerëzit që po e instalojnë këtë diktaturë të re nuk janë tjetër veçse bijtë e etërve komunistë. Të cilët nuk dijnë të veprojnë ndryshe veçse ashtu siç kanë mësuar nga partia komuniste. Për ata gënjeshtra dhe terrori janë mjetet kryesore dhe metodat për të mbajtur të nënshtruar dhe të shtypur shqiptarët, dhe këtë e kanë aplikuar më së miri në zgjedhje sot, por do ta aplikojnë në jetën e përditshme nesër.

Prandaj është koha e fundit që shqiptarët të ngrihen, të mos i pranojnë këto zgjedhje dhe të kërkojnë zgjedhje të reja dhe lirinë e votës. Do të ishte një nonsens historik që Shqipëria sot, kur është në situatën më të favorshme prej shekujsh, të zhytet në llumin e një diktature neo-komuniste, të kthehet mbrapa në kohë dhe të humbasë shansin më të madh për të ecur përpara drejt aspiratave të saj shekullore shoqërore dhe kombëtare atëherë kur po i prekte ato me dorë.

Xhemil Meço

Author

Back to Top