Të votojmë për opozitën që të shpëtojmë Shqipërinë nga një diktaturë e re!

Aktualiteti Comments Off

Në datën 11 maj, vetëm pas pak ditësh, zhvillohen zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Shqipërisë. Këto zgjedhje zhvillohen në një kontekst tepër të veçantë. Partia socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama synojnë të fitojnë mandatin e katërt radhazi dhe të konsolidojnë përfundimisht pushtetin e tyre për të shkuar më pas drejt një mandati të pestë e kështu me radhë. Në fakt Edi Rama nuk synon as më shumë e as më pak se vendosjen e një diktature neo-komuniste në Shqipëri, të ngjashme me atë të Enver Hoxhës por me një fasadë gjoja demokratike.
Të gjithë e kemi parë korrupsionin e qeverive të drejtuara nga Edi Rama, vjedhjet dhe abuzimet me buxhetin e shtetit, përdorimin e administratës shtetërore për interesa të partisë socialiste. Në një vend me të vërtetë demokratik një qeveri e tillë nuk qëndronte në detyrë as 24 orë dhe kryeministri do të jepte menjëherë dorëheqjen dhe nuk do të lejohej të ushtronte më funksione politike. Por kjo nuk ndodh në Shqipëri, madje Edi Rama e quan arrestimin e ministrave dhe zyrtarëve të partisë socialiste si një sukses të tij!? Sepse, siç thotë ai, e ka lejuar drejtësinë të bëjë punën e saj!? Me këto arsyetime absurde ai kërkon të mashtrojë shqiptarët deri në vendosjen e plotë të kontrollit të tij mbi shtetin shqiptar. Sepse deri tani Edi Rama dhe partia socialiste kanë ende dy elemente që nuk i kontrollojnë plotësisht: drejtësinë dhe në mënyrë të veçantë SPAK-un si dhe mediat shqiptare.
Nëse Edi Rama dhe PS fitojnë zgjedhjet e 11 majit, ata do ta shkatërrojnë SPAK-un, ashtu siç kërcënuan kur u arrestua kryetari i korruptuar i bashkisë së Tiranës. Edhe mediat që janë ende të lira nuk do të kenë një fat më të mirë sepse nuk do të jenë në gjendje të ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe, ose do të futen në shërbim të pushtetit, ose do të mbyllen. Shqipëria e pas 11 majit, nëse Edi Rama fiton zgjedhjet, do të jetë një tabllo e shëmtuar e një neo-diktature triumfuese që do të zhgënjëjë shpresat e qindra mijë shqiptarëve që shpresuan në vitet ’90 se Shqipëria doli nga komunizmi dhe po shkonte drejt demokracisë. Tranzicioni i stërgjatur drejt një sitemi demokratik, i penguar dhe i sabotuar qëllimisht nga ish-komunistët, si dhe rikthimi në pushtet i krahut radikal të partisë socialiste ose « rilindjes socialiste » në vitin 2013 ishin këmbana alarmi se punët nuk po shkonin në drejtimin e duhur. Por të paktë ishin ata që e kuptuan rrezikun e këtij rikthimi dhe përgjithësisht ky ndryshim politik u perceptua nga opinioni i gjerë si një proces normal i rotacionit politik në një sistem demokratik.
Por që në fillimet e saj Rilindja Socialiste abuzoi me demokracinë, ajo punoi fort që të vendoste nën kontrollin e saj administratën e shtetit shqiptar duke i përdorur të gjitha mënyrat: korrupsionin dhe vjedhjen, joshjen dhe frikësimin. E mbushi administratën me militantë socialistë, të paguar nga shqiptarët dhe me anë të të cilëve është përpjekur të kontrollojë jetën e shqiptarëve. Nga ana tjetër, RIlindja socialiste punoi fort që ta shkatërronte opozitën shqiptare dhe institucionet demokratike të shtetit shqiptar me qëllimin për të sunduar e vetme dhe e pashqetësuar. Baza ideologjike e Rilindjes Socialiste është diktatura komuniste e Enver Hoxhës, të cilën ajo e promovon me të gjitha mënyrat. Baza njerëzore e Rilindjes socialiste janë familjet ish-komuniste të diktaturës me një garniturë përfituesish dhe interseaxhinjsh të të gjitha llojeve.
Është sot më se e qartë se me këtë mandat të 4-t Edi Rama ka si qëllim të vetëm përjetësimin e pushtetit të tij dhe të Rilindjes socialiste, thënë ndryshe vendosjen e një diktature të re. Shenjat e para të kësaj diktature ne tashmë i kemi parë: vënia e administratës dhe e shtetit shqiptar në shërbim të partisë socialiste, rotacioni i pamundur politik, glorifikimi i epokës së diktaturës komuniste me filmat e Kinostudios « Shqipëria e Re », me përkujtimin e festave të diktaturës, me deklaratat e Edi Ramës se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë, me versionin komunist të historisë në tekstet shkollore, me vendosjen në krye të Akademisë së Shkencave të një ish ministri të PPSH-së etj.
Por në datën 11 maj Shqiptarët kanë ende mundësinë që ta ndalojnë vendosjen e kësaj diktature. Me votën e tyre Shqiptarët e kanë ende forcën që t’i thonë jo neo-diktaturës së Edi Ramës. Në zgjedhjet e javës së ardhshme opozita shqiptare, e cila ka mbijetuar dhe punon në kushte shumë të vështira, paraqitet me disa forca politike. Le të votojmë për një nga forcat e opozitës, sipas sensibilitetit politik të secilit, por të votojmë kundër Edi Ramës! Vetëm në këtë mënyrë, me një shumicë të madhe votash për opozitën, me një «raz de marée » votash kundër Edi Ramës dhe Rilindjes Socialiste, mund ta ndalojmë vendosjen e një diktature neo-komuniste në Shqipëri! Të mos lejojmë që brezat e rinj, fëmijtë e Shqipërisë të rriten përsëri në një diktaturë! T’i shpëtojmë nga kjo fatkeqësi, nga kjo tragjedi të cilën e vuajtën në diktaturën komuniste tre breza me radhë. Dhe kjo mund të bëhet sot me votë. Të votojmë pra për opozitën shqiptare për të shpëtuar Shqipërinë! T’i japim edhe një mundësi demokracisë në Shqipëri! T’i japim edhe një mundësi Shqipërisë!

Xhemil Meço

Author

Back to Top