Shqiptarët duhet të jenë në gjendje të mbrohen vetë

Aktualiteti, Kosova Comments Off

Në fillim të shekullit të kaluar Shqiptarët dolën nga sundimi i perandorisë otomane dhe arritën të krijojnë një shtet të pavarur shqiptar: Shqipërinë londineze. Por gjysma e kombit shqiptar mbeti jashtë kufijve të këtij shteti dhe u gjend nën sundimin e shteteve fqinje: Serbi, Greqi dhe Mal i Zi. Pas luftës çlirimtare të fundshekullit të kaluar Kosova arriti të shkëputet nga sundimi serb dhe të fitojë pavarësinë duke krijuar shtetin e dytë shqiptar i cili njihet sot nga shumica e vendeve të OKB dhe kryesisht nga vendet demokratike. Por ajo nuk njihet nga disa fuqi të mëdha jo-demokratike si Rusia dhe Kina, por edhe nga Serbia e cila e konsideron gjithmonë si pjesë të sajën dhe nuk pranon në asnjë mënyrë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Serbia, e cila e sundoi Kosovën për gati 100 vjet pa arritur ta asimilonte, vendosi më në fund ta spastronte etnikisht atë nga elementi shqiptar dhe për këtë në fund të viteve 1990 kreu një gjenocid ndaj popullsisë shqiptare që rezultoi me mbi 10 mijë shqiptarë të vrarë midis të cilëve shumë fëmijë, 20 mijë gra të përdhunuara dhe 900 mijë Shqiptarë të Kosovës të shpërngulur drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Ndërhyrja ajrore e NATO-s në vitin 1999 e ndaloi Serbinë dhe e detyroi të tërhiqet nga Kosova. Por Serbia, pa as më të voglën ndjenjë faji apo përgjegjësie, pa kërkuar asnjëherë falje, kërkon sot përsëri të kthejë ushtrinë e saj në Kosovë.
Prej vitesh Serbia po armatoset me avionë dhe armë të tjera sulmuese. Në shtatorin e vitit të kaluar (2023) komando serbe sulmuan veriun e Kosovës por u zmbrapsën me sukses nga Policia e Kosovës. Ushtria serbe prej kohësh është vendosur pranë kufirit të Kosovës dhe pret vetëm rastin për të sulmuar. Nëse nuk sulmon, kjo ndodh vetëm sepse Kosova sot mbrohet nga forcat e KFOR-it të cilat janë superiore ndaj ushtrisë serbe. Por është e qartë, se në momentin që KFOR-i nuk do të jetë prezent, Serbia menjëherë do të sulmojë.
Sigurisht që për momentin nuk ka gjasa që KFOR-i të largohet nga Kosova. Misioni i kësaj force ndërkombëtare të vendeve të NATO-s është ruajtja e sigurisë në Kosovë dhe bazohet në rezolutën 1244 të OKB.
Megjithëse duket se KFOR-i do të qëndrojë gjatë në Kosovë, Shqiptarët duhet të mendojnë që sot për sigurinë e tyre në të ardhmen : çfarë do të ndodhë ditën që KFOR-i, për një arsye apo për një tjetër do të përfundojë misionin e tij? Kush do t’i garantojë sigurinë dhe kufijtë e Kosovës?
Ka sot pak të ngjarë që në një të ardhme të afërt Kosova të pranohet në OKB dhe që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Pas më shumë se 10 vjet bisedimesh nën kujdesin e BE, duket qartë se Serbia nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën. Nga ana tjetër, përveç Rusisë, aleates së saj të vjetër e cila bllokon çdo përpjekje për njohjen e Kosovës në OKB, Serbia tashmë ka krijuar marrëdhënie të ngushta edhe me Kinën, e cila përveç armatimit, ndihmës ekonomike dhe investimeve që i jep, sigurisht që do të bllokojë edhe ajo përpjekjet për njohjen e Kosovës në OKB.
Kina sot është një fuqi e re që sfidon rendin botëror global të drejtuar nga SHBA dhe ndihma që iu jep vendeve si Serbia i mundëson asaj tentativa për ndryshimin e këtij rendi. Bota sot gjendet në një mungesë ekuilibri global dhe konfliktet si ai në Ukrainë apo në rajone të tjera përfshirë edhe Ballkanin do të përcaktojnë një ekuilibër të ri.
Shqiptarët duhet të përgatiten për këto ndryshime që të mos t’a pësojnë nga ato, siç ka ndodhur shpesh në histori. Në situatën aktuale, kur diplomacia e BE nuk arriti dot ta bindë Serbinë të njohë Kosovën, kur Serbia afrohet me Kinën duke e larguar edhe më shumë perspektivën e njohjes në OKB, Kosova ndodhet në një rrezik shumë të madh. Sepse kjo situatë mund të shkaktojë përçarje brenda BE dhe mund të ketë vende që mendojnë se i duhet lëshuar më shumë Serbisë, duke cënuar kështu sovranitetin e Kosovës. Kërkesat që i bëhen Kosovës nga BE për lëshime pa fund janë tregues të këtyre hezitimeve nga BE, e cila përpiqet me çdo kusht që ta mbajë Serbinë brenda influencës së saj.
Shqiptarët mund ta përballojnë këtë rrezik vetëm me forcën e armatosur, gjuhën e vetme të cilën flet Serbia. Kosova ka bërë përpjekje në këtë drejtim, por ato nuk janë të mjaftueshme sepse ajo i ka mundësitë e kufizuara. Duke parë shembullin e Ukrainës, Kosovës i duhet të mendojë që sot për sisteme kundrajrore efikase ndaj aviacionit luftarak të Serbisë, e cila prej vitesh ka blerë avionë dhe vazhdon të blejë.
Nga ana tjetër Shqipëria duhet të ndërtojë një forcë ajrore të cilën sot nuk e ka por do t’i duhet nesër. Sepse Serbia nëse ripushton Kosovën, me ndihmën e Rusisë dhe të Kinës do të përpiqet të ketë një dalje në det, dhe Durrësi mbetet një nga opsionet e saj të preferuara. Sigurisht vështirë se qeveria aktuale socialiste anti-kombëtare shqiptare do ta bëjë diçka të tillë, por qeveritë në vijim do të duhet ta mendojnë seriozisht përballjen me Serbinë e cila nuk i fsheh më qëllimet e saj, dhe të vendosin që tani në programet e tyre objektiva për armatimin dhe forcat ushtarake.
Në një përballje frontale gjashtë milionë shqiptarë janë padyshim të aftë t’i qëndrojnë Serbisë, popullsia e së cilës nuk është shumë më e madhe. Por faktori që do të përcaktojë fituesin do të jetë armatimi dhe teknologjia ushtarake. Prandaj shqiptarët duhet të përqendrohen në këtë drejtim në vitet që vijnë: krijimi dhe përgatitja e një fuqie ushtarake të krahasueshme me atë të Serbisë, me armatim dhe teknologji moderne të cilat mund ta përballojnë me sukses sulmin e paralajmëruar të Serbisë. Shqiptarët edhe kësaj here janë në anën e të drejtës sepse mbrojnë vendin e tyre dhe lirinë e tyre ndaj një vendi agresor që tashmë ka kryer gjenocide dhe spastrime etnike dhe ka plane për të vazhduar në këtë rrugë.
Vetëm ekuilibri i forcave midis Serbisë dhe Shqiptarëve mund të sjellë paqen në rajon dhe mund ta bind Serbinë që çdo sulm ndaj Kosovës apo Shqipërisë do të të jetë i kotë dhe i destinuar të dështojë. Për sa kohë që ky ekuilibër nuk ekziston, nëse është ushtarakisht superiore, Serbia do të jetë e tentuar të provojë një agresion të ri në Kosovë. Iu takon Shqiptarëve me ndihmën e aleatëve të tyre ta krijojnë këtë ekuilibër ushtarak për të siguruar mbijetesën e kombit shqiptar dhe një paqe të përhershme në rajon. Dhe kjo fillon me investime në blerjen e armatimit të nevojshëm.

Xhemil Meço

Author

Back to Top