Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës

Aktualiteti, Kosova Comments Off

Sulmi i javës së kaluar ndaj Kosovës nga një komando a armatosur serbe i çorri maskën edhe njëherë Serbisë duke nxjerrë në shesh politikën e saj të gënjeshtrës dhe hipokrizisë. Shqiptarët e njohin mirë Serbinë, por edhe bota e jashtme e pa qartë kësaj radhe se në një kohë kur bën sikur negocion, sikur kujdeset për minoritetin serb në Kosovë, në fakt Serbia armatos dhe dërgon trupa në Kosovë me qëllimin për ta destablizuar shtetin e ri kosovar dhe për të përgatitur terrenin për ri-pushtimin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka kohë që ka ngritur alarmin për ekzistencën e mbi 40 bazave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Javën e kaluar kjo u konfirmua nga vetë Serbia e cila pranoi se ka sot mbi 7 mijë ushtarë përreth Kosovës dhe se vitin e kaluar ka patur edhe më shumë, rreth 14 mijë.
Paralajmërimi i SHBA kundër këtij mobilizimi, e detyroi Serbinë të nis tërheqjen e një pjese të trupave të saj. Por kjo nuk do të thotë që Serbia do të heqë dorë nga ideja për ta dërguar ushtrinë në Kosovë përsëri. Thjesht po pret një rast më të përshtatshëm. Sot Serbia ndodhet në inferioritet përballë forcës ushtarake të KFOR-it dhe nuk guxon sulmojë. Por ajo shpreson se një ditë kjo do të ndryshojë, se Kosova do të ketë më pak përkrahje ndërkombëtare dhe se KFOR-i do të largohet apo do të tregohet tolerant më të.
Pikërisht vlerësimi se disa vende perëndimore do ta përkrahnin, e inkurajoi Serbinë të ndërmerrte sulmin e 24 shtatorit ku u vra një pjestar i Policisë së Republikës së Kosovës dhe 3 pjestarë të komandos serbe. Kësaj radhe kjo tentativë dështoi, falë kurajos dhe profesionalizmit të policisë kosovare, por edhe ndoshta të llogarive të gabuara të Serbisë. Por kjo s’do të thotë që ajo do të heqë dorë nga provokime të tilla si dhe nga një sulm masiv në një moment tjetër.
Serbia ka deklaruar se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Nuk ka asnjë arsye për të mos i besuar. Duke mos patur thuajse fare zëra që e kundërshtojnë këtë qëndrim brenda Serbisë dhe duke patur përkrahjen e Rusisë dhe Kinës në botën e jashtme, ky qëndrim i Serbisë mund të vazhdojë gjatë. Dhe bashkë me të edhe rreziku që ushtria e saj të sulmojë Kosovën.
Kosova në veçanti, por edhe Shqiptaria në përgjithësi, duhet të ndërgjegjësohen për këtë. Bisedimet dhe negociatat me Serbinë nuk do te shpien gjëkundi, sepse Serbia i përdor ato vetëm për të përfituar diçka që do të mund ta ndihmonte për rikthimin e saj në Kosovë.
Për fat të mirë Kosova mbrohet sot nga KFOR-i, i cili duket se do të qëndrojë aty për një kohë të gjatë. Por një kohë e gjatë nuk do të thotë e përjetshme. Sepse bota ndryshon, politikat e brendshme dhe të jashtme të vendeve të KFOR-it mund të evolojnë gjithashtu. Pikërisht këtu shpreson edhe Serbia dhe për këtë arsye këmbëngul në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Sepse në këtë mënyrë, ditën që Kosova do të gjendej pa mbrojtje, Serbia do ta kishte mundësinë « legale » ta sulmonte dhe të dërgonte aty ushtrinë.
Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës. E vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga ajo në të ardhmen është rritja e kapaciteteve ushtarake të Kosovës dhe Shqipërisë në një nivel të paktën të barabartë me Serbinë. Ka ende shumë rrugë për të bërë për këtë, do të duhet ende shumë kohë, por është e realizueshme.
Në radhë të parë, numri i shtetasve të aftë për shërbim ushtarak në Kosovë-Shqipëri nga njëra anë dhe në Serbi nga ana tjetër është i krahasueshëm : 2 milionë nga njëra anë dhe 2 milionë e 600 mijë nga ana tjetër. Këto shifra kanë rëndësi, sepse tregojnë se Serbia nuk mund të fitojë ushtarakisht kundër Shqiptarëve. Një ushtri pushtuese duhet të jetë 2 apo 3 herë më e madhe se një ushtri që mbrohet, për të pasur gjasa që të fitojë.
Në radhë të dytë, në të dy shtetet shqiptare duhet arritur objektivi i investimit të 2% de PBB për buxhetin ushtarak. Sipas të dhënave publike Serbia shpenzon 1,2 miliardë dollarë në vit për ushtrinë e saj, duke e kaluar kuotën 2 përqind. Kurse Kosova dhe Shqipëria së bashku sot shpenzojnë më pak se 500 milionë dollarë në vit, respektivisht 0,87% dhe 1,85% të PBB-së tyre. Është e qartë se duhet arritur të paktën në 2% të PBB dhe madje më shumë për të ekuilibruar aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të Serbisë.
Dhe së treti, duhen përdorur sa më shumë të jetë e mundur teknologjitë e reja për modernizimin e kapaciteteve ushtarake të forcave shqiptare në kuadër të NATO-s dhe në bashkërendim me partnerët tanë të aleancës.
Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës – çdo qasje tjetër vetëm do ta inkurajonte në politikën e saj agresive për të rikthyer sundimin e saj në Kosovë.
Qëllimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të jetë lufta, por evitimi i saj nëpërmjet disuazionit të armëve. Pikërisht ekuilibri i kapaciteteve ushtarake do ta bëjë Serbinë të heqë dorë nga planet e saj për ripushtimin e Kosovës dhe do t’i japë një mundësi rajonit të jetojë në paqe. « Kush dëshiron paqen, përgatit luftën » thotë një fjalë e vjetër latine, e cila është më shumë se kurrë e vërtetë sot.

Xhemil Meço

Author

Back to Top