Përpjekjet e Greqisë për të aneksuar Shqipërinë e Jugut me anë të « Vorio-Epirit »

Aktualiteti, Historia Comments Off

Prof. Abas Ermenji

Pas caktimit të kufijvet me Protokollin e Firencës, më 17 Dhjetor 1913, fuqitë e mëdha kërkuan nga Greqia që t’i lëshonte krahinat e Shqipërisë politike brenda një muaji. Por Venizelloja, kryeministri dhelpër i Greqisë, i kishte menduar këto punë më përpara. Ndërsa Serbo-Malazeztë nuk gjenin asnjë mbështetje në Shqipërinë e veriut sepse Shqiptarët, myslimanë e katolikë, ishin kundër tyre, në jugë paraqitej gjendja ndryshe: një pjesë e Shqiptarëvet orthodoks ishin grekomanë, të punuar me kohë prej shkollave greqishte e prej klerit grek, dhe mund t’i shërbenin Greqisë si një bazë për të bërë lodrën e saj. Dhe lodra që mendonte Venizelloja ishte kjo: dy krahinat jugore, Korçë e Gjirokastër, të shpallëshin si “shtet autonom” i Epirit të Veriut (ose “Vorio-Epir”, siç e quajtën Grekët) dhe të veçohëshin nga Shqipëria. Pastaj do t’ishte fare i lehtë bashkimi i tyre me Greqinë. Edhe pse në këto dy krahina Myslimanët dhe pjesa e Orthodoksvet atdhetarë përbënin shumicën e madhe, pjesa grekomane e Orthodoksvet i mjaftonte Venizellos si një mbulesë për të fshehur prapa tyre kriminelët e prurë nga Gjiriti dhe prej viseve të tjera të Greqisë.
Por qeverisë greke i duhej të fitonte kohë, gjer sa të pregatiste vënien në zbatim të këtij plani. Prandaj, më 30 Dhjetor 1913, Venizelloja u përgjigj se do t’a tërhiqte ushtërinë prej krahinavet të Shqipërisë jugore pasi t’ishte zgidhur në dobi të Greqisë çështja e ishujvet t’Egjeut. Ndërkohë, ushtëria greke organizoi bandat famëkeqe të quajtura “kompani të shenjta” (hierolohitët) me hajdutë dhe kriminelë të lëshuar prej burgjeve të Greqisë, dhe i vërviti në krahinat e Korçës e të Gjirokastrës për t’a shkretuar vendin në zjarr e në gjak. Shpalli gjithashtu mobilizimin e përgjithshëm për Shqiptarët orthodoks të cilët i shikonte si Grekë. Natyrisht, pjesa e atdhetarëvet nuk pranoi të hynte n’atë trathëti të fëlliqur dhe u mundua t’iu qëndronte Grekëvet bashkë me Myslimanët. Por pati mjaft grekomanë që u vëllazëruan me kriminelët e Gjiritit dhe bënë lodrën e Venizellos. Disa prej këtyre, Simo Marjani me shokë në qarkun e Korçës e të tjerë nga anët e Përmetit, të Delvinës e të Gjirokastrës, u bënë udhëheqësit e Grekëvet dhe formuan banda të rrezikshme kundër popullsisë myslimane.
Më 13 të Shkurtit 1914, fuqitë e mëdha, me anën e një note të përbashkët, ia kujtuan edhe njëherë qeverisë greke se duhej t’i zbraste tokat e Shqipërise gjer në mbarim të Marsit, dhe se vetëm atëhere mund të merrëshin parasysh kërkesat e saja në lidhje me ishujt e Egjeut. Por Venizelloja përgjigjej me mënyra bizantine se “qeveria helenike zotohej të mos shtynte kurrkënd, drejtpërdrejt as tërthorazi, për të kundërshtuar vendimet e fuqivet të mëdha në lidhje me Shqipërinë e jugës” etj. Me këto fjalë donte të thoshte se qeveria greke s’kishte të bënte nëqoftëse vetë “Epirotët e Veriut” s’donin të bashkohëshin me shtetin shqiptar. Këtë paturpësi cinike, prej atëhere e gjer më sot, diplomacia greke e ka bërë si një rregull të pandryshuarshëm kundrejt Shqipërisë.
Megjithatë, për të mos ardhur në kundërshtim të hapët me fuqitë e mëdha, Venizelloja i dha urdhër ushtërisë së rregullt që t’a lëshonte Korçën më 1 Mars. Të nesërmen, hyri në qytet gjindarmëria shqiptare dhe u vu një administratë e varur prej Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit.
Por kjo ishte vetëm një manevër e qeverisë greke për t’iu treguar fuqivet të mëdha se gjoja ajo po e tërhiqte ushtërinë e rregullt. Kurse nga ana tjetër kish pregatitur shpalljen e “autonomisë s’Epirit të Veriut” dhe hedhjen në vepërim të “kompanivet të shenjta”, që paraqitëshin si “forcë vorio-epirote”. Prej një t’ashtuquajturi “kongres” që u mblodh në Gjirokastër më 28 Shkurt 1914, nën kryesinë e Jorgji Kristaq Zografit, grekoman nga fshati Qestorat i Gjirokastrës dhe ish-ministër i Punëve të Jashtëme të Greqisë, u shpall “autonomia e Vorio-Epirit”. U formua edhe një “qeveri vorio-epirote” me Zografin si kryeministër, Karapanon (ish-deputet grek) si ministër i jashtëm dhe kolonel Dulis (oficer grek) ministër i luftës. Ca ditë më vonë, Himarioti Spiro Spiromilo, major n’ushtërinë greke, shpalli “autonominë” e shtatë fshatravet të Himarës.
Menjëherë pas kësaj tragjikomedie, Zografi bëri të njohur se “as Greqia as fuqitë e mëdha nuk kishin të drejtë të ndërhynin në punët e brendëshme t’Epirit të Veriut” dhe kërkoi nga Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit që të mos i lejonte forcat shqiptare të shkelnin “kufijtë e këtij shteti”.

Pasi shpallën në Gjirokastër t’ashtuquajturën qeveri “t’Epirit të Veriut”, Grekët dhe grekomanët i shtuan përpjekjet për t’u bërë zotër të vendit. Koloneli holandez Thomson, i ngarkuar prej Komisionit të Kontrollit si komisar për krahinat e jugës, shkoi në Korfuz ku pati një bisedim me Karapanon, përfaqësonjësin e “qeverisë së Vorio-Epirit”, për t’i gjetur një rregullim çështjes. Thomsoni, duke shprehur mendimet e Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit, i cili s’donte të kishte shumë kokëçarje, iu premtoi Grekëvet disa “të drejta të veçanta” për popullsinë e “Epirit të Veriut”. Por qeveria e Durrësit nuk i pranoi këto lëshime dhe u tregua kundër çdo forme autonomie për krahinat e jugës.
Grekët, duke parë qëndrimin e lëkundshëm të Komisionit të Kontrollit dhe mos-interesimin e fuqivet të mëdha, provuan të pushtonin prapë Korçën me befasi, natën mbë 2 Prill 1914. Ushtëria e rregullt e tyre ishte “tërhequr” më 1 Mars sa për të gënjyer fuqitë e mëdha, sepse në të vërtetën ata kishin lënë forca të fshehura brenda në qytet dhe nëpër fshatrat rreth Korçës, nëpër shtëpitë e Orthodoksvet grekomanë. Kishin lënë gjithashtu në spitalin e Korçës një numër ushtarësh gjoja “të sëmurë” dhe “mjekët” e tyre, që nuk ishin veçse oficerë për të drejtuar grushtin e befasisë në çastin e duhur. Kishin depot e fshehta t’armëvet, gjithmonë nëpër shtëpitë e grekomanëvet ose nëpër kishat orthodokse, si edhe një rrjetë spiunësh që i ndërlidhte mitropolia e Korçës me peshkopin grek në krye.
Të pregatitur në këtë mënyrë, Grekët dhe grekomanët i ranë Korçës natën mbë 2 Prill 1914. Por gjindarmëria shqiptare, nën kumandën e majorit holandez G. Snellen, i theu forcat armike dhe i vuri përpara. Ky guxim iu dha zemër Shqiptarëvet t’atij qarku, të cilët u ngritën me shumicë, t’udhëhequr prej Themistokli Gërmënjit e të kumanduar prej Sali Butkës me shokë, dhe u hodhën kundër bandavet greke e grekomane. Enthusiazmi qe i madh. Pas një përpjekjeje të rreptë që bënë në Barmash me armiqtë “vorio-epirotë”, Shqiptarët çliruan Kolonjën dhe Leskovikun. Të tjera fuqi vullnetarësh u ngritën në këmbë, çliruan Përmetin, Tepelenën dhe, në ditët e para të Majit, arritën gjer afër Gjirokastrës, ku e kishte qendrën e ashtuquajtura “qeveri e Vorio-Epirit”. Bandat e Grekëvet dhe të Shqiptarëvet grekomanë, duke u tërhequr, dogjën e vranë sa mundën nëpër fshatrat myslimane.
Princ Vidi me qeverinë e Durrësit shpresuan se erdhi rasti për t’i përzënë Grekët nga Shqipëria jugore dhe menduan të pregatitnin një fuqi prej 10.000 vullnetarësh që t’ua dërgonin ndihmë luftëtarëvet të jugës. Por ai që do t’a vinte në zbatim këtë plan ishte ministri i Luftës, Esad Toptani, i cili nuk kishte asnjë dëshirë për të ndihmuar “Toskët”. Ai e dinte se atë pjesë të Shqipërisë nuk do t’a kishte kurrë pas vehtes, prandaj s’mërzitej fort sepse t’a merrnin Grekët, me të cilët ishte në lidhje. Kështu Esadi, jo vetëm që s’tregoi vullnet të mirë për të mbledhur fuqi, por fshehu edhe një sasi armësh e municionesh që u nisën nga Durrësi për në jugë, dhe që nuk arritën kurrë !
Kur panë vendosmërinë e Shqiptarëvet dhe forcat e tyre që arritën gjer përpara Gjirokastrës, qeveria greke bashkë me Zografin iu paraqitën fuqivet të mëdha kërkesa më të zbutura, në dukje, por që në të vërtetë s’e ndryshonin aspak qëllimin dhe planin e Greqisë. Ishte një manevër për të fituar kohë e për t’a pushtuar vendin ca nga ca. Grekët kërkonin tani, jo autonominë e plotë të “Vorio-Epirit”, por një administratë të veçantë për krahinat e Korçës e të Gjirokastrës, të cilat duhej të kishin gjindarmërinë e tyre të përbërë prej “vendasvet” dhe me oficerë grekë, ndërsa gjuha shqipe mund të përdorej bashkë me greqishten nëpër zyrat dhe shkollat.
S’do mend të kuptohet se kjo ishte tallja më përbuzëse dhe më trashamane që i bëhej kombit shqiptar nga ana e Greqisë dhe e fuqivet të mëdha, të cilat e pranuan këtë propozim! Qeveria shqiptare e Durrësit e kundërshtoi sa mundi, po kush i pyeste Shqiptarët? Të mëdhenjtë e Evropës e ndjenin t’afërt shpërthimin e luftës, dhe s’donin t’i prishnin qejfin Greqisë për hatër të Shqiptarëvet. E para ishte Italia që e ndau politikën e vet prej asaj t’Austro-Hungarisë në lidhje me Shqipërinë dhe Greqinë. Duke menduar se Vidi ishte njeriu i Austrisë dhe se Durrësi u bë i kësaj, Italia ia vuri synë Vlorës dhe filloi intrigat me Greqinë për t’i rregulluar veçan çështjet midis tyre. Me politikën e saj mistrece, qeveria e Romës pranoi t’i bënte lëshime Athinës në Shqipërinë e jugës nëqoftëse Venizelloja i largonte trupat greke prej ishullit të Sazanit, për t’i lehtësuar kështu Italisë pushtimin e Vlorës në rast nevoje. Nga ana tjetër, Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit s’mendonte veç si e si të gjente rrugën më të shkurtër, për të pasur sa më pak andralla. Në bazë të raporteve të këtij, fuqitë e mëdha i kumtuan Venizellos, më 24 Prill 1914, se ato ishin gati t’iu njihnin disa të drejta “Vorio-Epirotëvet” dhe se mund të pranonin edhe rishikimin e vijës së kufirit greko-shqiptar. Cinizmi i tyre kundrejt Shqipërisë s’kish si të shkonte më tutje, kur e dimë se ato vetë i kishin njohur ata kufij si të pacënuarshëm, në vendimet e Konferencës së Londrës dhe në statutin organik që Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit i dha shtetit shqiptar më 10 Prill t’atij viti.
Qeveria e Durrësit me Princ Vidin s’patën se ç’të bënin veçse t’ia linin në dorë Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit rregullimin e çështjevet shqiptaro-greke. Komisioni shkoi në Korfuz ku, pas një javë bisedimesh me “përfaqësonjësit e Vorio-Epirit”, nënshkroi, më 17 Maj 1914, Protokollin e Korfuzit, ose protokollin e turpit, i cili, sipas shprehjes s’antarit britanik t’atij Komisioni, Sir Harry Lamb, “nuk bazohej n’asgjë të vërtetë e prandaj, logjikërisht, duhej hedhur në shportën e plehravet”. Harry Lamb e kuptoi se Komisioni i Kontrollit, në Korfuz, e bëri marrëveshjen me përfaqësonjës të qeverisë greke dhe jo të Shqipërisë së jugës, siç paraqitej komedia.
Sipas Protokollit të Korfuzit, dy prefekturat Korçë e Gjirokastër, ndonëse formalisht bënin pjesë me shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vehte, pothuajse autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit. Gjindarmëria e këtyre krahinave do t’ishte vendase, dhe ushtëria e shtetit shqiptar, përveçse në kohë lufte, s’do të kishte të drejtë të shkelte në to. Edhe nëpunësit e lartë do t’ishin vendas, t’emëruar sa për formë prej qeverisë shqiptare por me pëlqimin e Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit. Komunitetet orthodokse do të kishin një statut juridik të veçantë. Shkollat do t’ishin greqishte për të Krishterët, shqipja hynte si gjuhë e dytë vetëm në tri klasët e para të shkollës fillore. Kurse n’administratën do të përdorëshin të dyja gjuhët. Zbatimi i përmbajtjes së Protokollit do t’ishte nën garantinë e fuqivet të mëdha. Protokolli hynte në fuqi pasi të ratifikohej prej qeverisë shqiptare, prej “qeverisë vorio-epirote” dhe prej gjashtë fuqivet të mëdha.
Qeveria shqiptare nuk desh t’a ratifikonte Protokollin e Korfuzit, i cili, si shumë vepërime të tjera të këtij lloji, tregonte mënyrat e neveritshme të fuqivet të mëdha kundrejt popujvet të vegjël e të pamprojtje. Për të kënaqur Italinë, që lozi rolin më të dobët n’ato bisedime, qeveria greke, pas ca ditësh, e lëshoi ishullin e Sazanit.

Kur panë se Rebelët e hodhën vendin në rrëmujë, Grekët e shkelën menjëherë Protokollin e Korfuzit edhe u derdhën mbi krahinat e Shqipërisë së jugës si egërsira t’etshme për gjak e mish njeriu. Në një t’ashtuquajtur “kongres panepirot” që mbajtën në Delvinë, më 6 Korrik, për të ratifikuar Protokollin e Korfuzit, Grekët e “qeverisë” së Zografit vendosën jo vetëm t’i kërkonin të tjera kushte Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit, po edhe të hynin me ushtëri në tokat e shtetit shqiptar, për të mprojtur gjoja Orthodoksit e “persekutuar” prej Myslimanëvet. Atëhere kriminelët e “kompanivet të shenjta”, bandat e Orthodoksvet grekomanë dhe njësi të rregullta t’ushtërisë greke ranë si stuhi e vdekjes mbi Shqipërinë e jugës duke djegur e vrarë ç’gjenin përpara, burra, gra, fëmijë e pleq. Shqiptarët provuan t’iu bënin qëndresë në Tepelenë, Kolonjë, Skrapar e Tomorricë, por u thyen prej rrebeshit. Kështu filloi shpërngulja e popullsisë myslimane në masë për të gjetur shpëtim në pjesët e pashkelura të Shqipërisë. Rrethet e Tepelenës, Dangëllisë, Leskovikut, Kolonjës, u zbrazën pothuajse krejt; popullsia e tyre, me dhjetra mijë, zbriti në drejtim të Vlorës. Grekët ose “Vorio-Epirotët” arritën gjer në Berat. Në furinë e këtij shpërthimi barbar, dogjën shkrumb e hi 314 fshatra myslimanësh. Të vrarët mizorisht nuk numërohëshin. Kush u kap, u ther pa mëshirë. Njëqind Shqiptarë myslimanë me gra e fëmijë ishin mbyllur në kishën e Hormovës, duke kujtuar se atje do të gjenin mprojtje; por bandat e Zografit i vranë që të gjithë, pa kursyer as një grua, as një fëmijë. Një dram si ky ngjau në Panarit të Korçës ku u therën si bagëti 24 burra, e në shumë fshatra të tjera. I tërë ai vend u bë një ikni-kush-do-të-shpëtojë-gjallë !
Mizoritë që punuan Grekët në Shqipërinë e jugës u dëgjuan gjer n’Evropë. Në Londër, Markezi Lansdowne ngriti zërin kundër Greqisë në Dhomën e Lordavet, duke e paditur atë për krimet, djegiet dhe mizoritë më të neveritshme kundrejt Shqiptarëvet. Ndërsa miku i vlefshëm i Shqipërisë, Aubrey Herbert, protestoi me të njëjtin shpirt në Dhomën e Komunevet. Ky këndoi përpara deputetëvet edhe një letër që kishte marrë nga një miku i tij filogrek, dëshmonjës me sy i ngjarjevet të tmerrshme të Shqipërisë, i cili shkruante: “Vajtimi i gravet, ulërimat e fëmijëvet dhe të foshnjavet të njoma në gji të mëmavet është gjëja më rrënqethëse që kam parë, ndonëse kam parë shumë llahtari të tjera në jetën time”. Por ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Edward Grey, s’kishte nge të merrej me kësi gjërash të vogla! Ai i gjente të kënaqshme deklaratat zyrtare t’Elefteri Venizellos, të cilat kishin aq vleftë sa të lehurat e një qeni.
Refugjatët e shpërngulur prej krahinavet të jugës arritën numrin njëqind mijë. Populli i rrethevet të Beratit e të Vlorës ndau kafshatën e bukës me këta të mjerë, por s’kishte se ç’t’iu jepte. Më në fund, kjo turmë njerëzore, e urët, e xhveshur e në një gjendje të papërshkruarshme, zuri vend n’ullishtat e Vlorës, ku u tha e u tret nga uria, nga sëmundjet. Qeveria e Durrësit bëri thirrje për ndihma n’Evropë pranë organizatavet të Kryqit të Kuq e të tjera të këtij lloji, por askush s’u shqetësua për të ndihmuar Shqiptarët. Përpara kësaj tragjedie, qeveria e Durrësit i kërkoi Zografit që të lejonte këthimin e këtyre refugjatëve nëpër vatrat e tyre, ndonëse të djegura, duke i siguruar se nuk do të përndiqëshin. Por ai s’ishte ngopur akoma me kufoma Shqiptarësh, prandaj nuk e pranoi kërkesën. Vendi ishte rrënuar prej tre-katër vjet lufte të paprerë. Tokat kishin mbetur të papunuara. Viti 1915 qe një vit zie i tmerrshëm. Drithi qe fare i pakët, dhe importimi u bë i pamundur me plasjen e Luftës botërore. Popullsia, në një pjesë të madhe të Shqipërisë së jugës, zu të vdiste urie. Tek të mjeruarët e Ullishtavet të Vlorës, përveç urisë dhe të ftohtit, u përhapën epidemitë, që korrën si me drapër të mëdhenj e të vegjël, me mijëra e mijëra burra, gra e fëmijë. Një pjesë e atyre që shpëtuan, emigroi në Turqi e gjetkë. Drami i popullit shqiptar ka fort pak shembuj në historinë e botës.


Marrë nga libri « Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë » të Prof. Abas Ermenjit

Shënim: Protokolli i Korfuzit u anullua nga Konferenca e Ambasadorëve në nëntor të vitit 1921.

Author

Back to Top