Mësimet aktuale të Marrëveshjes së Mukjes

Aktualiteti, Historia, Kosova, Lufta civile, Marrëveshja e Mukjes Comments Off

78 vjet më parë, në datat 1 dhe 2 gusht 1943 u nënshkrua në Mukje, një fshat afër Krujës, një marrëveshje  historike midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste. Kjo marrëveshje parashikonte krijimin e një Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë dhe bashkërendimin e luftës kundër pushtuesit dhe luftën për një Shqipëri Etnike të lirë, indipendente, demokratike dhe popullore. Ja ç’thuhej midis të tjerash në proklamatën e nxjerrë me këtë rast:

Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.
2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.
3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Marrëveshja u nënshkrua nga dy delegacionet me 12 përfaqësues të lartë të secilës organizatë dhe ngjalli një gëzim të madh në popull. Por gëzimi nuk zgjati shumë sepse komunistët nuk e mbajtën marrëveshjen. Ja si e përshkruan prishjen e Marrëveshjes së Mukjes Abas Ermenji, një nga drejtuesit e Ballit Kombëtar në atë kohë : 

« Kjo marrëveshje shkaktoi, siç thamë, një gëzim të përgjithshëm dhe bota, pas një ankthi aq të gjatë, nisi të merrte frymë lirisht. Por komunistët, me shtytjen e emisarëve jugosllavë, e prishën marrëveshjen e Mukajt disa javë më vonë, në një mbledhje që bënë në Labinot të Elbasanit, dhe filluan luftën me armë kundër Ballit Kombëtar duke e quajtur “organizatë fashiste dhe bashkëpunonjëse me okupatorin”. 

Shkakun dhe mënyrën e prishjes së marrëveshjes së Mukajt i tregojnë mirë emisarët jugosllavë, të cilët ishin ata që e komandonin Partinë komuniste shqiptare. “Shokët delegatë (shqiptarë) ranë në Mukaj në pozitat e nacionalistëve, plot oportunizëm, dhe u kënaqën vetëm me ndonjë ndërrim të thjeshtë fjale ose fjalie”, shkruanin ata më 13 Tetor 1943. Por le të nxjerrim këtu disa rreshta nga libri i bardhë jugosllav, botuar më 1949: “Disa antarë të Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha, iu jepnin tepër rëndësi bisedimevet për marrëveshje me Ballin Kombëtar dhe nuk donin të zbatonin vendimet mbi krijimin e një ushtërie nacionalçlirimtare (komuniste), pse kishin frikë se mos zgjuanin dyshime në Ballin Kombëtar dhe dështonte marrëveshja… etj. 

“…Kështu u arrit në kapitullimin e turpshëm të antarëve të Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare përpara drejtonjësve të Ballit Kombëtar, në Konferencën e Mukajt, më 1 dhe 2 Gusht 1943… 

“…Në rezolutën e nënshkruar (ndërmjet Partisë komuniste dhe Ballit Kombëtar), në vend të përshendetjes “Vdekje Fashizmit -Liri Popullit” u vu fjala nacionaliste “Ja vdekje -Ja Liri”. Ndër detyrat e Komitetit për Shpëtimin Kombëtar figuronte edhe krijimi i “Shqipërisë së Madhe”, parrullë me të cilën vepronin pushtuesit italianë, gjithë qeveritë kuislinge, Balli Kombëtar dhe tradhëtarët e tjerë… …Në vigjiljen e Konferencës së Mukajt, shoku Zvetozar Vukmanoviç-Tempo kishte arritur rishtaz pranë selisë së Komitetit Qendror të Partisë komuniste shqiptare, që ndodhej në katundin Kucakë. Në mbledhjen e Komitetit Qendror, me kërkesën dhe insistimin e Koçi Xoxes, ai parashtroi pikëpamjen e tij në lidhje me qëndrimin kundrejt Ballit Kombëtar… 

…Mbasi u vu mirë çështja edhe nga ana e Koçi Xoxes dhe e shumicës së Komitetit, u muar më në fund qëndrimi që duhej: Komiteti Qendror i P.K shqiptare e dënoi tradhëtinë e turpshme të Mukajt… 

…Menjëherë pas Konferencës së Mukajt u thirr në Labinot Konferenca e dytë e Komitetit Qendror të “Lëvizjes NacionalÇlirimtare”, në gji të së cilës u muar një qëndrim i qartë e i prerë kundër Ballit Kombëtar”. 

Ky “qëndrim i qartë e i prerë” që mori Partia komuniste kundër Ballit Kombëtar, me shtytjen e emisarit jugosllav Vukmanoviç-Tempo, ishte prishja e marrëveshjes së Mukajt dhe shpallja e Luftës civile. 

Në Konferencën e dytë të Labinotit, e cila u mblodh më 4 shtator, Enver Hoxha, për të larë vehten e tij përpara emisarëve jugosllavë, tregohet më i  rreptë nga të tjerët kundër Ballit Kombëtar, marrëveshjes së Mukajt dhe atyre që e nënshkruan: 

“Çështja e independencës u bisedua gjatë, po ashtu edhe çështja e Kosovës. Kjo çështje ka shërbyer edhe për Mustafa Krujën si mollë sherri, grindjeje e përçarjeje… Lufta jonë nacional-çlirimtare është një luftë popujsh, e përbashkët, krahas me aleatët kundër Boshtit… Populli shqiptar, që ka vuajtur, nuk do të dojë të skllavërojë tjetrin, që ka vuajtur si ai, e kësisoj reciprokisht. Kjo luftë i ka bashkuar popujt… Ne kemi mprojtjen e Bashkimit Sovietik, mprojtësin e shteteve të vogla dhe të gjithë popujve… Pra vetë popullsitë në mes të tyre, në Kosovë, do të merren vesh dhe do të vendosin se nga të shkojnë… Delegatët tanë kanë diskutuar por nuk kanë ditur të mbrojnë pikëpamjet e tyre dhe e nënshkruan proçes-verbalin (e vendimeve të Mukajt). U shtua edhe një gjë tjetër: “Shqipëria Etnike”. Kështu që pranohet teza e Ballit Kombëtar, i cili nuk bën luftë nacional-çlirimtare por lufton kundër nesh…” (Shih veprën Enver Hoxha, botuar në Tiranë më 1968, vëllim i I-rë, faqe 357-360). » 

(marrë nga  « Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë », Abas Ermenji, 1968, kapitulli 30).

Vazhdimin e dimë të gjithë: një luftë civile e përgjakshme në Shqipëri e pasuar nga vendosja e diktaturës komuniste si dhe rikthimi i Kosovës nën sundimin serb.

Fatkeqësisht sot shohim se historia po përsëritet. Kryetari i partisë socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ashtu siç Enver Hoxha në vitin 1943 e la Kosovën në Jugosllavi, po bën sot të njëjtën gjë duke i kërkuar Kosovës të futet  në një Jugosllavi të re me emrin «Ballkan i hapur». Madje shkon edhe më larg sepse kërkon ta fusë aty edhe Shqipërinë !

Natyrisht që diçka e tillë është e papranueshme për Shqiptarët, të cilët nuk do ta pranojnë kurrë të bashkohen me Serbinë. Por  është me rëndësi që të analizojmë me vëmendje historinë e Marrëveshjes së Mukjes, që ka qenë një moment kyç i historisë moderne të kombit shqiptar dhe të nxjerrim mësime nga ajo.  Një mësim me rëndësi është se nuk mund të kemi marrëdhënie të sinqerta dhe miqësore me Serbinë e cila gjithmonë synon ta nënshtrojë kombin shqiptar.  Këtë e provuan më së miri edhe komunistët shqiptarë, të cilët Serbia i detyroi që t’i lëshonin Kosovën e më pas deshi t’i hiqte qafe dhe për pak sa nuk e ktheu Shqipërinë në republikë të 7-të të ish-Jugosllavisë. Vetëm fati e ndihmoi Shqipërinë që kjo të mos ndodhte.

Por mësimi më i madh që na përcjell sot Marrëveshja e Mukjes është domosdoshmëria e bashkimit dhe unitetit. Që prej dy dekadash klasa politike në Tiranë dhe në Prishtinë është treguar e bashkuar në lidhje me çështjen e Kosovës. Ky bashkim dhe ky unitet ka bërë që Kosova të arrijë Pavarësinë. Ky bashkim dhe unitet duhet të vazhdojë sepse kjo është rruga e duhur, është rruga e vetme dhe vetëm kështu do të zgjidhet çështja kombëtare shqiptare dhe Shqiptarët do të zënë vendin që u takon në rajon dhe në Histori.

Xhemil Meço

Author

Back to Top