Bashkimi me Shqipërinë zgjidhja e vetme për Kosovën

Aktualiteti, Kosova Comments Off

Kosova nuk ka reshtur kurrë së luftuari për lirinë dhe pavarësinë e saj. Këto përpjekje kanë filluar qysh me Lidhjen e Prizrenit, kanë vazhduar me Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë dhe janë pasuar me një rezistencë dhe luftë të vazhdueshme ndaj pushtimit serb duke filluar nga viti 1913 dhe duke vazhduar me krijimin e Jugosllavisë më 1918, gjatë Luftës së Dytë Botërore e më pas në vitet 1968, 1981 dhe 1990.

Falë rezistencës paqësore të viteve 1990, luftës heroike të UÇK dhe ndërhyrjes së NATO-s, Kosova arriti të çlirohet nga ushtria serbe më 10 qershor 1999. Dhe më 17 Shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë e saj, duke realizuar ëndrrën shekullore të Shqiptarëve të Kosovës për të dalë njëherë e mirë nga sundimi gjakatar i Serbisë.

Por Serbia ende nuk e pranon se Kosova ka dalë nga sundimi i saj dhe me instiktin e bishës ndaj gjahut, vazhdon përpjekjet për ta rikthyer nën kthetrat e saj.

Megjithëse Kosova sot është njohur nga gjysma e vendeve antare të OKB, midis të cilave demokracitë e mëdha perëndimore, Serbia nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës dhe ka arritur ta bllokojë antarësimin e saj në OKB me anë të aleatit të saj të madh Rusisë. Strategjia e Serbisë ka qenë ta vonojë dhe ta zvarrisë sa më shumë njohjen e Kosovës, duke pritur dhe shpresuar që Fuqitë e Mëdha perëndimore të lodhen dhe të ndryshojnë mendim.

Dhe deri diku kjo strategji ka funksionuar. Njohjet e reja kanë qenë ngadalësuar dhe sot janë bllokuar përkohësisht. Nga ana tjetër, ndërsa deri dje Pavarësia e Kosovës ishte e padiskutueshme, sot edhe aleatët i saj po i kërkojnë të bëjë kompromise të dhimbshme.

Por cilat janë këto kompromise?

Kompromisi i parë që i kërkohet Kosovës, me kërkesë të Serbisë, është dhënia e autonomisë pjesës veriore të saj, komunave Zubin-Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë e veriut. Serbia paska të drejtë që të kërkojë një autonomi të tillë, por jo Kosova për komunat shqiptare të Luginës së Preshevës! Por nuk mbaron me kaq, sepse Kosovës i kërkohet të pranojë edhe një asociacion të komunave serbe, ku përveç atyre të veriut do të futeshin edhe komunat serbe të rajoneve të tjera të Kosovës.

Kompromisi i dytë ka të bëjë me Kishën Ortodokse Serbe, e cila duhet të njihet, t’i njihen prona të paprekshme dhe të ketë status të privilegjuar në më shumë se 40 vende kryesore në Kosovë. Nga ana tjetër, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën që e përcakton Kosovën si shtet laik, kërkohet që Kisha Ortodokse të njihet si palë e sistemit politik dhe kushtetues. Me sa duket qëllimi i Serbisë me këtë kërkesë është që ta shndërrojë Kosovën në një shtet fetar, të cilin mund ta shkatërronte më lehtë.

Për më tepër, Kisha Ortodokse e Kosovës do të varej nga Kisha Ortodokse e Serbisë, ç’ka do t’i jepte të drejtë Serbisë të ndërhynte legalisht në punët e Kosovës sa herë ta dëshironte.

Nëse Kosova do të pranonte këto “kompromise” që në fakt janë lëshime thelbësore ndaj Serbisë, Kosova do të kthehet në një shtet jo-funksional që do të bllokohej sa herë të dëshironte Serbia. Dhe duke qenë se qëllimi i deklaruar i Serbisë është rikthimi i Kosovës nën sundimin e saj, Serbia do t’i përdorë sa të jetë e mundur të gjitha mekanizmat që ka në dorë, ashtu siç ka bërë deri më sot me komunat serbe të veriut të Kosovës.

Duke pranuar këto kompromise Kosova do t’i lidhte vetë duart e saj me zinxhirë.

Nuk janë më të mira edhe kompromiset e tjera që i kërkohen Kosovës në kuadër të Mini-Shengenit ballkanik, i cili nënkupton hapjen totale të Kosovës ndaj kapitaleve serbe dhe humbjen e çdo kontrolli të shtetit kosovar ndaj lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, duke e kthyer Kosovën thjesht në një entitet politik pa sovranitet të vërtetë, që do t’i ngjante një rajoni me autonomi të zgjeruar siç e dëshiron Serbia.

Nëse këto kompromise do të realizoheshin, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të merrnin fund pas disa vjetësh.

Por cilat janë mundësitë e Kosovës për të evituar këtë katastrofë?

Në radhë të parë, Kosova fare mirë mund të mos i pranojë këto kompromise të rrezikshme, dhe të vazhdojë me strategjinë aktuale të lobimit për njohje të reja, duke pritur momente më të mira ndërkombëtare. Por do të jetë e vështirë, sepse mund të ketë presione të mëdha nga të gjitha anët për të gjetur një kompromis me Serbinë.

Por Kosova ka edhe një mundësi tjetër, nga e cila deri tani kishte hequr dorë: bashkimi me Shqipërinë. Për mendimin tim është e vetmja zgjidhje e vërtetë, sepse vetëm në rast se Kosova bashkohet me Shqipërinë, planet e Serbisë për Kosovën nuk mund të funksionojnë më.

Ky bashkim mund të bëhet me anë të një referendumi në Kosovë dhe në Shqipëri. Disa politikanë kosovarë e shohin këtë si një mundësi reale nëse Serbia nuk e njeh Kosovën. Por në Tiranë, çuditërisht, ende askush nuk ka folur për këtë. Dhe ky referendum duhet përgatitur në të dy shtetet shqiptare. Sigurisht që Shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri e kanë ëndrrën më të madhe që të bashkohen. Luftëtarët dhe dëshmorët e Kosovës për dekada me radhë në të vërtetë kanë luftuar për Flamurin Kuq e Zi dhe për bashkimin me Shqipërinë. Duke e njohur mirë Serbinë ata e dinin që kjo ishte e vetmja zgjidhje e vërtetë.

Por sot fatkeqësisht dhe si shpesh herë në Histori, Shqiptarët janë të ndarë e të përçarë, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë. Për më tepër marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë në nivelin më të ulët që prej vitit 1999. Do të duhet që kjo të ndryshojë, sepse nevojitet një bashkërendim dhe një konsensus i gjerë mbarëkombëtar për përgatitjen e Referendumit të Bashkimit, për përcaktimin e formës së këtij bashkimi dhe mënyrës si do të realizohej referendumi.

Bashkimi Kosovë-Shqipëri mbështetet në të drejtën ndërkombëtare sepse Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane. Shqipëria është vend antar i OKB kurse sovranitetin e Kosovës, megjithëse nuk është antare e OKB, e ka konfirmuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë GJND më 22 korrik 2010. Asgjë nuk ndalon në të drejtën ndërkombëtare dy shtete sovrane të bashkohen në formën që dëshirojnë. Është pastaj çështje e dy shteteve si e organizojnë këtë bashkim, por një referendum është zgjidhja më e mirë për një çështje me rëndësi kaq madhore, sepse referendumi është shprehje e drejtpërdrejt e vullnetit të popullit të dy vendeve.

Sigurisht që bashkimi do të ngjallte reagime të ndryshme. Por do të ishte një zgjidhje shumë më e mirë për Shqiptarët se kompromiset që pamë më sipër. Do të ishte një zgjidhje shumë më e mirë edhe për rajonin që kërcënohet nga no-papers me harta ku Ballkani ndahet në vija etnike. Për këto arësye bashkimi mund të gjejë përkrahje shumë më të gjerë se sa mund ta mendojmë sot, sepse do të vendoste një ekuilibër midis kombeve dhe do të sillte paqen në rajon. Natyrisht është një zgjidhje që duhet shpjeguar mirë dhe duhet përgatitur me kujdes nga Kosova dhe Shqipëria.

Nuk ka asnjë arësye sot që kombi shqiptar të mbetet i ndarë në dy shtete shqiptare. Bashkimi në një shtet shqiptar është një domosdoshmëri jetike për kombin shqiptar dhe sot ka ardhur koha që ky bashkim të realizohet. Është koha që Shqiptarët të tregohen në lartësinë e duhur përpara Historisë dhe duke vendosur interesin kombëtar mbi çdo gjë, të bashkuar dhe me vetëmohim të zgjidhin çështjen kombëtare për t’i hapur rrugën ditëve më të mira për të gjithë Shqiptarët.

Xhemil Meço

 

Author

Back to Top